Policia e Durrësit ka proceduar penalisht pronarët e dy farmacive të cilët shisnin dezinfektantë duarsh pa kupon tatimor. Në kuadër të operacionit “Medikamenti”, strukturat e policisë kryen kontrolle të befasishme në të gjitha farmacitë, për parandalimin e tregtimit të medikamenteve me çmime abuzive dhe fshehjes së të ardhurave.
Dy pronaret e farmacive, S. L., 32 vjeçe, banuese në Durrës dhe E. D., 40 vjeçe, banuese në Shijak, janë proceduar për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”. Aksioni i policisë i specialistëve për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore Durrës, është kryer në zbatim të masave të përcaktuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve abuzive të tregtimit të medikamenteve me çmime të rritura fiktivisht, duke përfituar nga situata emergjente e COVID-19 që po kalon vendi, si dhe fshehjen e të ardhurave të përfituara nga abuzimi me çmimet.
Gjatë kontrollit të ushtruar në farmacinë në lagjen Nr. 13, u gjetën dhe u sekuestruan një sasi dezinfektantësh për duart (xhel antibakterial), pa faturë tatimore, të cilët shiteshin me çmime abuzive, si dhe në farmacinë në lagjen Nr. 4, u konstatuan shitje pa kupon tatimor.
Policia thotë se kontrollet e befasishme do të vijojnë në të gjithë qarkun, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë dhe përfitimit nga situata e krijuar duke abuzuar me çmimet jo vetëm të medikamenteve, por të çdo produkti për konsum nga qytetarët.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



