Sociale

Të hënën lehtësohet lëvizja e automjeteve me dy orare për ata që ikin në punë

Qeveria ka vendosur të lehtësoj lëvizjen e automjeteve por me disa kushte.

Kryeministri Edi Rama njoftoi lejimin e qarkullimit me mjete në orare të kufizuara për të gjithë ata që janë në punë në sektorin publik, apo privat.

“Të gjithë ata që ditën e hënë dhe në vijim do të jenë të angazhuar për punë në sektorin publik, apo privat, do të mund të qarkullojnë me automjete vetëm deri në orën 08:00 të mëngjesit dhe nga ora 16:00 deri në orën 17:00 të pasdites”, njoftoi Kryeministri.

Rama tha se ky vendim u mor pas një konsultimi të kryer në distancë të Qeverisë dhe përsëriti se për të gjithë të tjerët penalizimet do të jenë të rënda.

“Qarkullimi i automjeteve që nuk janë pjesë e shërbimeve shtetërore në lëvizje, apo shërbimeve private që e kanë të domosdoshme lëvizjen, do të jetë e ndaluar rreptësisht për çdo automjet tjetër jashtë fashave të lejuara për vajtje-ardhje në punë”, thotë ai.

Akti normativ për masat e veçanta administrative që hyjnë me fuqi menjëherë do të publikohet ditën e diel.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë