Në komunikimin e përditshëm me mediat Ministrja Besa Shahini ka bërë me dije se për momentin nuk mendohet të shtyhen testet e maturës shtetërore.
“Në mënyrë që t’ju vijmë në ndihmë, kemi kërkuar nga RTSH që të na japë edhe një orar shtesë vetëm për maturantët. Dhe ky orar është ora 13:30-14:30, ku do të transmetojmë leksione të klasës së 12-të të matematikës, biologjisë dhe kimisë, në mënyrë që maturantët të kenë mundësi të thellojnë më tutje aftësitë e tyre në këto 3 lëndë, të cilat konsiderohen edhe si më të vështirat nga vetë ata. Mos harroni, nga ora 13:30-14:30, nga e hëna deri të premten, është edhe një orar shtesë për të gjithë maturantët në mënyrë që të arrijnë të përsërisin disa nga leksionet e klasës së 12-të, është shprehur Shahini.
Në vijim Ministrja ka deklaruar se transmetimi
i leksioneve do të vijojë edhe të hënën, edhe pse në kushte normale e hëna do të
ishte pushim, për shkak të Ditës së Verës. Shahini thekson se leksionet mund t’i
gjeni edhe në kanalin e youtube të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Ministrja bëri më dije gjithashtu, se nisma e leksioneve mësimorë në RTSH, mund të
vazhojë edhe përtej datës 23 mars.
“Përtej këtyre 2 orareve që na i ka dhënë RTSH në dispozicion për të transmetuar leksione dhe përtej leksioneve të lëndëve të caktuara, ideja është që të bëjmë shumë më shumë dhe të kemi edhe programe të tjera që janë edhe argëtuese, edhe edukative,” tha Shahini.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



