Ngjarje

Koronavirusi ngujon Europën! SHBA aktivizon fondin 50 mld dollarësh

Europa është tashmë epiqendra e pandemisë së koronavirusit të ri. Kjo është deklarata e bëra nga kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që u kërkoi të gjitha vendeve mobilizim të komunitetit dhe masa sa më agresive për të shpëtuar jetë.

“Mos e lini këtë zjarr që të djegë më tej”, deklaroi Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Deklarata e tij mbërrin pasi shumë vende europiane deklaruan një rritje rekord të numit të të prekurve nga virusi dhe të vdekjeve të shkaktuara prej tij. Italia renditet e para në këtë listë. Në vetëm 24 orë, autoritetet italiane njoftuan 240 vdekje, duke e çuar numrin total të atyre që kanë humbur jetën në 1266 dhe të të infektuarve në 17.660.

Spanja është vendi i dytë më i goditur në Europë pas Italisë. Autoritetet atje raportuan ditën e premte një rritje me 50 për qind të vdekjeve, duke e çuar numrin total në 120 viktima, ndërsa të infektuarit u rritën në 4231 persona.

Kryeministri spanjoll, Pedor Sanchez njoftoi shpalljen e emergjencës për dy javë me radhë duke filluar prej ditës së shtunë. Shumë vende të tjera kanë kufizuar, shtuar kontrollet, e deri tek mbyllja totale e kufijve për pasagjerët.

Pse është Europa “epiqendër”.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 133 mijë person janë diagnostikuar me koronavirusin e ri në 123 vende të botës. Numri i atyre që kanë humbur jetën ka tejkaluar 5 mijë vetët, që kreu i OBSH-së, Tedros e vlerëson si një “shifër tragjike dhe e pashoqe më parë”.

“Europa është shndërruar në epiqendrën e pandemisë, me më shumë raste të infektuarish dhe vdekjesh se e gjithë pjesa tjetër e botës, përveç Kinës. Rastet e reja që po raportohen në Europë, me rreth një të tretën e popullsisë së Kinës, tejkalojnë rastet e raportuara nga Kina në kulmin e epidemisë që e preku”, thotë Tedros.

Përveç Spanjës dhe Italisë, Franca ka konfirmuar rreth 3 mijë të infektuar dhe 79 vdekje, 18 vetëm brenda 24 orëve. Gjermania konfirmon pak më shumë se 3 mijë të infektuar, por vetëm pesë raste fatale. Në Britaninë e Madhe janë konfirmuar rreth 800 persona të infektuar dhe 11 vdekje.

Si po e përballojnë vendet europiane pandeminë?

Qeveria spanjolle tha se me gjendjen e emergjencës do të mobilizojë të gjitha burimet shtetërore për të mbrojtur sa më mirë shëndetin e qytetarëve. Kjo do t’u japë pushtet autoriteteve që të kufizojnë lirinë e lëvizjes, të urdhërojnë zhvendosje masive, të ndalojnë aksesin në zona të caktuara të vendit dhe të ndërhyjnë tek biznesi privat për 15 ditë.

“Fitorja është në dorë të secilit prej nesh. Heroizmi sot është që të lash duart dhe të qëndrosh në shtëpi|, deklaroi Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez.

Shumë vende të tjera europiane u kanë kërkuar të njëjtën gjë qytetarëve të tyre, ndërsa qeveria britanike përfshiu edhe Spanjën në një listë me Italinë si vende që u këshillon qytetarëve të vet që t’i shmangin udhëtimet.

Italia nga ana tjetër është e gjitha në karantinë. Danimarka mbyll kufijtë e saj për shtetasit e huaj duke filluar që nga dita e shtuna. Çekia ndalon hyrjen e të gjithë shtetasve të huaj, me përjashtim të atyre që kanë leje pune, apo qëndrimi dhe po ashtu i ndaloi pjesës më të madhe të qytetarëve të vet që të dalin jashtë vendit.

Sllovakia ka aktualisht si masë mbrojtëse vetëm ndalimin e hyrjes së qytetarëve të huaj, por nuk përjashton mundësinë që në ditët në vazhdim të ashpërsojë kufizimet edhe për qytetarët e vet.

Austria ka mbyllyr të gjithë kufijtë tokësorë me Italinë për të gjithë shtetasit e huaj, përveç atyre me certifikata mjekësore të lëshuara në katër ditët e fundit. Nuk ka kufizime për shtetasit austriakë.

Ukraina mbylli për dy ditë kufijtë për të gjithë shtetasit e huaj. Hungaria ka mbyllur plotësisht për njerëzit kufijtë me Slloveninë dhe Austrinë, ndërsa Polonia do të mbyllë kufijtë po për të huajt duke nisur nga dita e diel.

Mali i Zi njoftoi mbylljen e dy nga tre pikat kufitare me Shqipërinë. Kosova ndaloi hyrjen e shtetasve të huaj dhe mbylli baret, restorante dhe çdo aktivitet politik, social, sportiv e kulturor për një afat dyjavor.

Shqipëria ndaloi transportin publik tokësor dhe ajror me Greqinë, ndërsa Greqia ka përforcuar ekipet mjekësore në kufijtë e saj në përpjekje për të identifikuar që aty personat e infektuar.

Franca ka mbyllur shkolla e universitetet në zonat më numrin më të madh të të infektuarve, po ashtu edhe Zvicra dhe Gjermania. Por, të trija ,këto vende pritet që në orët dhe ditët në vazhdim të mbyllin këto institucione në rang kombëtar.

Në fuqi janë edhe masa kufizuese të ashpra, si në Gjermani ku ndalohen aktivitetet që tubojnë në të njëjtin vend me shumë se 1 mijë vetë. Autoritetet thonë se janë të përgatitura për shpërthimin e një epidemie, me gati 28 mijë shtretër dhe pajisje të tjera mjekësore për t’u ardhur në ndihmë personave të prekur, ndërsa në dispozicion është vendosur edhe një fond për të shtuar këto kapacitete me 10 mijë shtretër të tjerë.

Bundesliga, i vetmi kampionat i madh europian që vazhdon do të pezullojë ndeshjet duke filluar nga dita e martë, ndërsa në Francë nga kjo e premte u mbyll muzeu i famshëm i Luvrit dhe Kulla Eifel.

Pse Europa mund të jetë me keq se Kina

Numri i rasteve të reja me koronavirus në Europë ka tejkaluar numrin e rasteve që konfirmoheshin nga Kina në kulmin e epidemisë që goditi vendin. Por, Europa është në një pozicion më të keq.

Pjesa dërrmuese e rasteve në Kinë ishin të përqëndruara në një vend, me epiqendër qytetin e Uhanit në provincën Hubei. Përqëndrimi në një vend të vetëm dhe regjimi autoritar kinez, që vendosi në karantinë miliona banorë, më e madhe në historinë e njerëzimit ishin një avantazh i fortë në luftën kundër virusit.

Në Europë gjërat janë ndryshe. Nuk bëhet fjalë vetëm për një zonë, por janë disa zona të shpërndara thuajse në të gjithë kontinentin dhe vende të ndryshme po zbatojnë strategji të ndryshme për t’u përballur me pandeminë.

Panorama bëhet me e zymtë sepse shifrat bazohen tek rastet e zbuluara, ndërsa shkencëtarët dhe ekspertët besojnë se mund të ketë shumë më tepër raste, që kalojnë pa u zbuluar për shkak të mungesës së mekanizmave identifikues në shumë vende.

Çfarë po ndodh në pjesën tjetër të botës

Presidenti amerikan, Donald Trump shpalli gjendjen e emergjencës kombëtare që i lejon administratës federale që të ketë akses në fondin e majmë prej 50 miliardë dollarë, ndërsa prej së shtunës ndalohen fluturimet me 26 vende europiane.

Pakistani mori masat më drastike deri më tani, duke mbyllur plotësisht kufijtë e vet tokësorë dhe ajrorë me të gjitha vendet e tjera për 2 javë.

Në Kanada deputetët votuan pro pezullimit të punës së Parlamentit, ndërsa zyrtarët e shëndetësisë këshilluan që të mos ndërmerren udhëtime të panevojshme jashtë vendit. Kryeministri Justin Trudeau filloi vetëngujimin 14-ditor ditën e premte, pasi bashkëshortja e tij rezultoi pozitive me koronavirus.

Në Australi, Ministri i Brendshëm, Peter Dutton u shtrua në spital pasi rezultoi pozitiv. Ai së fundmi kishte udhëtuar në drejtim të Uashingtonit ku kishte patur edhe një takim me vajzën e Presidentit Donald Trump, Ivankan.

Irani njoftoi 85 persona të vdekur brenda 24 orëve të fundit duke e çuar numrin total të personave që kanë humbur jetën nga virusi në këtë vend në 514. Por, shifra besohet se është shumë më e ulët nga realiteti.

Rastet e para u regjistruan nga Afrika Lindore, në Kenia, Etiopi dhe Sudan, që pati edhe vdekjen e parë në rajon si pasojë e koronavirusit.

Ndërkohë, në disa media ndërkombëtare qarkulloi lajmi se Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro kishte rezultua pozitiv. Lajmi u përhap me shpejtësi pasi ai vetëm pak ditë më parë shtrëngoi duart me Donald Trump. Por vetë Bolsonaro dhe zyra e tij e shtypit e përgënjeshtruan këtë lajm dhe publikuan testin me rezultatin negativ për koronavirusin e ri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë