Një zëdhënës i Qeverisë kineze nënkuptoi ditën e enjte se koronavirusi i ri mund të jetë një prodhim laboratorik i ushtrisë amerikane, që më pas e ka hedhur në qytetin e Uhanit në Kinë.
Akuza e tërthortë mbërriti një ditë pasi këshilltari i Sigurisë Kombëtare në SHBA, Robert O’Brien qortoi Kinën për dështim në përpjekjet për parandalimin e epidemisë, kur përhapja ishte në fazën fillestare.
“Ne kemi bërë një punë shumë të mirë për t’iu përgjigjur kësaj krize. Mënyra sesi doli jashtë Kinës dhe si u përballua që në fillim nga Kina nuk ishte e duhura”, deklaroi O’Brien ditën e mërkurë.
Komenti dhe qortimet e tij nuk u pritën mirë në Pekin.
“Kur u regjistrua pacienti zero në SHBA? Sa njerëz janë të infektuar në SHBA? Cilat spitale po merren me të infektuarit? Mund të ketë qenë ushtria amerikane që e solli epideminë në Uhan. Tregohuni transparentë! Bëjini publike të dhënat tuaja! SHBA na detyrohet një shpjegim”, shkroi në Twitter Zhao Lijian, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze.
Po të enjten, një tjetër zëdhënës i kësaj ministrie qortoi zyrtarët amerikanë për “papërgjegjshmëri dhe imoralitet” në komentet që fajësonin Pekinin dhe dështimin e tij në parandalimin e koronavirusit, si faktorët kryesorë që përhapën virusin në mbarë botën.
“Masat e ndërmarra nga ne u dhanë kohë vendeve të tjera që të përgatiten kundër pandemisë. Do të dëshironim që disa zyrtarë amerikanë të përqëndronin energjitë e tyre sesi t’i përgjigjen situatës dhe të nxisnin bashkëpunimin dhe jo të fajësonin Kinën për këtë”, tha Geng Shuang.
Mbi 120 mijë ka shkuaar numri i të infektuarve nga koronavirusi në mbarë botën. Rreth 4700 është numri i të vdekurve për shkak të tij, ku pjesa më e madhe janë regjistruar në Kinë. Ndërkohë, SHBA ka raportuar 975 raste me koronavirus, ku 30 persona kanë ndërruar jetë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




