Ngjarje

Gjysma e vendit në shtetrrethim! Ndalohen të gjitha makinat, në rrugë vetëm ato me leje

Qeveria zgjeroi si gjeografinë ashtu edhe përshkallëzimin e masave kufizuese të lëvizjeve. Veç Tiranës e Durrësit, nën regjim të fortë lëvizjeje do të përfshihen edhe Shkodra, Lezha, Elbasani, Lushnja, Fieri dhe Vlora.

Kryeministri Edi Rama njoftoi përmes rrjeteve sociale se ashpërsimi i kufizimit të lëvizjeve përfshin edhe automjetet private të qarkullimit dhe jo vetëm mjetet e transportit publik. Masa është e përkohshme dhe do të jetë në fuqi përgjatë gjithë fundjavës.

“Nga e premtja në orën 06:00 deri të dielën në mesnatë do të blindohet perimetri i qarqeve Tiranë-Durrës dhe do të mbyllet qarkullimi i automjeteve private e atyre të transportit ndërubran drejt Tiranës dhe Durrësit, apo anasjelltas nga Tirana dhe Durrësi drejt zonave të tjera të vendit. Do të mbyllet qarkullimi i automjeteve private në Tiranë e Durrës, si dhe transporti ndërurban mes Tiranës dhe Durrësit. Do të mbyllet qarkullimi i automjeteve private dhe urbanëve në Shkodër, Lezhë, Elbasan, Lushnje, Fier dhe Vlorë”, shkruan Rama.

https://www.facebook.com/edirama.al/posts/10157517793591523

Të vetmet mjete që përjashtohen nga këto kufizime janë autoambulancat, apo makinat e tjera të administratës shtetërore, që lëvizin për shkak të detyrës, ndërsa nga automjetet private do të lejohet vetëm qarkullimi i mjeteve të transportit të mallrave, që në Tiranë dhe Durrës mund të lëvizin pas plotësimit të kushtit për akreditimin e mjeteve dhe të punonjësve të tyre.

“Sipërmarrjet që kryejnë shërbime transporti mallrash, apo shërbime furnizimi me mallra ushqimore, apo farmaceutike në perimetrin Tiranë-Durrës duhet të akreditojnë automjetet e transportit të punonjësve të tyre, si edhe të vetë punonjësit emër për emër, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit”, sqaroi Rama.

https://www.facebook.com/edirama.al/posts/10157517879851523

Masa tjetër është dhënia pushim për të gjithë administratën shtetërore të ditës së premte, ndërsa personat që ofrojnë shërbimet shtetërore, ose publike në Tiranë dhe Durrës dhe gjatë periudhës së shtet-rrethimit të fundjavës dhe që për kryerjen e detyrës u duhet makina, duhet të akreditohen në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Sipas paralajmërimit të Kryeministrit Rama ata që në automjete marrin familjarë, apo persona të tjerë që nuk kanë lidhje me detyrën shtetërore do të penalizohen rëndë.

Ndërkohë, personat që përgjatë fundjavës do të hyjnë apo dalin nga Aeroporti i Rinasit duhet të t’i tregojnë postbllokut të policisë biletat e fluturimit.

Masat e kufizimit përfshijnë edhe mediat. Të gjithë televizionet duhet të akreditojnë automjetet dhe stafin e tyre nëse do të lëvizin në Tiranë dhe Durrës.

Kryeministri thotë se masat ekstreme janë një domosdoshmëri për të mbrojtur qytetarët nga përshkallëzimi i përhapjes së koronavirusit, që e përshkruan si “përshkallëzim agresiv i koronavirusit mbi ne dhe të afërmit tanë”.

“Ky është një “grip” që do të preke shumë prej nesh. 80 për qind e atyre që do të preken do ta kalojnë pa asnjë shenjë. Kjo do të thotë se gjithkush nga ne mund ta ketë, prandaj edhe pse nuk ndjejmë asgjë, na takon të gjithëve që të mbrojmë të moshuarit e të sëmurët rrotull nesh, sepse po e transmetuam tek ata u kemi bërë peshqesh një hall të madh”, vijoi Rama.

Kryeministri kujton se sipas statistikave pjesa dërrmuese e të prekurve shërohen, por thotë se Qeveria nuk mund “të vendosë bast me këtë probabilitet të ulët”.

Më vonë, përmes një videomesazhi ku përsëriti masat e mësipërme, Kryeministri Edi Rama iu përgjigj edhe zërave që kërkojnë mbylljen e kufijve. Ai iu rikthye shembujve nga Mesjeta për të mbrojtur idenë se mbyllja e kufijve nuk mbron nga përhapja e virusit.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/318347515791188/

“Po të ishte e vërtetë, nuk do të ishte murtaja e Mesjetës, kur nuk kishte transport ajror dhe kur transporti rrugor bëhej me karroca. Pra mbyllja e kufijve nuk e ndalon prekjen nga epidemitë, por vetëm e ngadalëson. Ajo duhet bërë as më parë dhe as më vonë, por pas shfaqjes së virusit në territor”, tha Rama.

Sa u takon masave drastike të marra që kufizojnë lirinë e lëvizjes, Rama i cilësoi ato të domosdoshme dhe foli për dy avantazhe që jep.

“Së pari zvogëlon mundësinë që numri i atyre që kanë nevojë për t’u shtruar në spital të mos jetë më i madh se kapacitetet shëndetësore të vendit. E dyta i jep kohë shkencës botërore që të gjejë kurën e duhur. Na jep kohë teksa po afron rritja e temperaturave që dobëson viruset dhe besohet se do të dobësojë edhe koronavirusin”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë