Ngjarje

Gjoba milionëshe kush thyen rregullat kundër koronavirusit

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, gjatë një deklarate për mediat për shtyp, ka bërë të ditura të tjera masa që do të merren për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Manastriliu tha se i ka propozuar Këshillit të Ministrave mbylljen e të gjitha lokaleve, bareve e restoranteve, në Tiranë e Durrës deri në një njoftim të dytë. Bizneset që nuk zbatojnë këtë urdhër, do të gjobiten me 20 milion lekë të vjetra.
“Duke kërkuar mirëkuptimin e gjithsecilit, në këtë betejë që do ta fitojmë vetëm nëse e përballojmë së bashku, ju bëj me dije se në cilësinë e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me vendim te Komitetit te Eksperteve i kam propozuar Këshillit të Ministrave përshkallëzimin e masave si më poshtë:

  1. Mbylljen deri në një njoftim të dytë, të të gjitha bareve, lokaleve restoranteve dhe klubeve, në Tiranë dhe Durrës fillimisht.
  2. Caktimin e një gjobe në masën 5 mijë euro, për të gjithë ata qytetarë që vijnë nga zonat e prekura dhe nuk zbatojnë Urdhërin e vetëkarantinimit të detyrueshëm apo ata qytetare qe nuk zbatojnë vetkarantinimin pas konfirmimit të diagnozës.
  3. Caktimin e një gjobe në masën 20 milionë lekë të vjetra për të gjithë baret, restorantet, lokalet apo klubet që nuk e zbatojnë këtë Vendim dhe rihapen në shkelje të tij.
  4. Vendosjen e distancës së sigurisë mes punonjësve, prej 1.5 metra, në të gjitha bizneset që nuk mund të mbyllen për arsye të zinxhirit ekonomik.
  5. Reduktimin në maksimum të personelit të call center-ave, dhe garantimin e distancave dhe të kushteve mbrojtëse për çdo punonjës! Sa me sipër, kërkojmë mirëkuptimin tuaj për veten tuaj, për familjet tuaja dhe për familjet e punonjësve tuaj.- tha Manastirliu.

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë