Komuniteti Mysliman njoftoi se anulon aplikimin e faljeve të Namazit në ditën e xhumasë po edhe në ditën e tjera. Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, Komuniteti mysliman bën të ditur se është vendosur “Anulimi i tubimeve masive si ligjërata, kurse në xhami, aktivitete të ndryshme dhe sipas rrezikshmërisë në zonën tuaj të anulohet edhe falja e namazit të xhumasë. Pesë kohët e namazit sugjerohet të falen në mënyrë jo të organizuar, ndërkohë ezani të thirret në mënyrë të rregullt në të gjitha xhamitë”.
Komuniteti sugjeron që të besimtarët të kryejnë ritet e tyre në banesat e tyre dhe jo duke u grumbulluar. “Ngarkohen të gjithë myftinjtë dhe stafi i tyre të ndërmarrë fushata sensibilizuese për publikun dhe të inkurajojnë të gjithë besimtarët, kryesisht moshën e tretë dhe personat me sëmundje kronike që t’i kryejnë ritualet fetare në banesat e tyre. Zbatimi me rigorozitet i të gjitha sugjerimeve dhe këshillave të nxjerra nga autoritetet përkatëse në vendin tonë si dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”, thuhet në njoftimin e komunitetit.
Pas këtij vendimi të publikuar ka ardhur edhe reagimi i kryeministrit Edi Rama, i cili e ka përshëndetur këtë thirrje të lëshuar së fundmi nga ana e Komunitetit Mysliman.
“Respekt, respekt, respekt për komunitetin Mysliman që vendosi anulimin e faljes së namazit dhe të çdo tubimi nëpër xhami. Ky është jo vetëm vendimi i duhur në kohën e duhur, por edhe mesazhi më kuptimplotë që komuniteti mysliman mund t’i jepte mbarë popullit shqiptar”, reagoi Rama nëpërmjet një statusi në Facebook. Kreu i qeverisë e shoqëron postimin e tij me një shprehje të profetit Muhamet a.s. “Kur bie epidemia as mos shko aty ku ka rënë as mos lëviz nëse bie aty ku je”, porosit profeti Muhamet, paqja e zotit qoftë mbi të”, shkruan Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




