Shënohet viktima e parë nga koronavirusi në Shqipëri. Ajo është e moshuara që rezultoi rasti i parë në qytetin bregdetar të Durrësit, e konfirmuar paraditen e së martës se ishte prekur nga Covid 19. Sot ajo ndodhej në gjendje kritike për jetën dhe fillimisht u tentua që të dërgohej në ora 11:00 drejt Tiranës me anë të një autoambulancë, por gjendja e saj rënduar ka detyruar mjekët që ta rikthejnë në spitalin e Durrësit, duke mos e dërguar drejt Spitalit Infekvit.
E moshuara ishte shtruar me 3 mars me shenja gripi dhe pneumoni në spitalin e Durrësit. Ajo, si e sëmurë kronike, kishte qëndruar në Itali dhe pas 10 ditësh u rikthye në Shqipëri. Mësohet se 73-vjeçarja doli pozitive vetëm pas testit të kryer ditën e hënë dhe u izolua, por gjendja e saj kritike bëri që të mos përballonte këtë sëmundje. Ndërsa Ministria e Shëndetësisë duke konfirmuar edhe rastin e rëndë, renditi edhe komplikacionet që kishte pacientja. “Pacientja 73-vjeçare e konfirmuar me COVID-19 ka ndërruar jetë pak minuta më parë nga komplikacionet e rënda, si pasojë e disa sëmundjeve bashkëshoqëruese kardiake dhe pulmonare. 73-vjeçarja vuante nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese: Insuficience kardiake kronike, SPOK, Nyha III, Fibrilation atrial, hypertyreisis, tatus post by pass.”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Shëndetësisë.

Pacientja me inicialet Xh.G kishte ditë në spital Durrësit, e shtruar fillimisht me pneumoni. E moshuara kishte qëndruar disa ditë më radhë në kontakt të vazhdueshëm, jo vetëm me stafin mjekësor dhe pacientë të tjera, por edhe me familjarë të ndryshëm që i shkonin për vizitë.
Pas daljes së rezultatit pozitiv nga koronavirusi, pacientja është izoluar, por me dyshimet se e ndjera ka infektuar edhe disa të tjerë, është vendosur që të vetëizolohen dhe mjekët dhe stafi tjetër mjekësor që i ka shërbyer në Durrës. Katër pjesëtarët e këtij stafi janë futur në vetëkarantinë dhe se mësohet se edhe i janë marrë analizat edhe personave të afërm të familjes. E moshuara mësohet se kishte qëndruar në Bolonja të Italisë dhe pas kthimit kishte marrë pjesë edhe në një ceremoni mortore te të afërmit e saj.
Ndërkohë që ka pasur disa debate për mënyrën e reagimit ndaj këtij rasti se përse nuk është izoluar menjëherë, ndërsa ka dyshime se e moshuara ua ka treguar me vonesë mjekëve faktin se kishte qenë në Itali. Për këtë pati edhe një reagim të mjekut Pëllumb Pipero, i cili ngrinte hipoteza se mund të jetë vepruar gabim, duke përmendur se edhe raste të ngjashme mund të kenë ndodhur edhe në Itali.
“Dje ju kam thënë lani sa më shesh duart, sot po ju them kufizoni lëvizjet. Edhe në Itali rasti i parë u konstatua pas 5 ditësh. Nëse në Durrës është bërë i njëjti gabim, është njerëzor, kudo mund të ndodhte”, theksoi Pipero.
Ndërsa të afërmit e saj kanë thënë se kanë qëndruar me të infektuarën dhe janë ankuar për përgjigjen e stafit mjekësor.
Pas kësaj ngjarje, zëvendësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli në një deklaratë për mediat tha se viktima vuante nga disa sëmundje.
“Ishte një e sëmurë që vuante nga insuficienca kardiake, kishte sëmundje kronike të mushkërive, kishte tiroide dhe kishte kryer para disa vitesh by-pass kardiak. Ishte në grup të atyre personave që kur preken nga koronavirusi kanë risk,” u shpreh Mira Rakacolli.
Epidemiologja, tha në konferencë se viktima cuante nga isuficenca kardiake e rëndë dhe prej vitesh kishte crregullime të ritmit të zemrës.Gjithashtu, vuante nga sëmundje kronike të mushkërive që në gjuhën mjekësore quhet SPOK.
Duke shprehur fillimisht ngushëllimet për familjarët, Rakacolli i bëri thirrje përsëri qytetarëve që të bashkëpunojnë me stafin mjekësorë dhe që kushdo që ka nj histori udhëtimi duhet të vetë izolohet dhe kush ka shenja të njoftojë numrin 127.
“Siç ju kemi informuar deri më sot ky është një virus që ashtu si gripi prek kryesisht moshat e mëdha dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve të jenë bashëkpunues me autoritetet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



