Dëmtimi me eksploziv i një makine tip Volkswaghen Caddy në fshatin Çekrezë e ka detyruar policinë që pas veprimeve të para hetimore të marrë në pyetje të gjithë banorët e lagjes ku jetojnë të zotët e automjetit të shkatërruar. Por marrja në pyetje e fqinjëve dhe të atyre që kanë njohje me çiftin, s’ka zbuluar asgjë tjetër thotë një burim, veçse ka hedhur dritë mbi sekretet e tyre dhe sherret që secili ka pasur pak ditë përpara se të raportohej në telefon shpërthimi. Siç bëjnë me dije burime të sigurta fillimisht është marrë deklarata dhe dëshmia e Kujtime H, në emër të së cilës rezulton në pronësi automjeti dhe më pas bashkëshorti i saj Nuri H. Gruaja ka rrëfyer përbërjen prej pesë anëtarësh të familjes, duke treguar se emrat e fëmijëve, madje me detaje se cilët prej tyre janë të martuar dhe cilët prej tyre janë në shkollë.
Kujtimja i tregon policisë “djali ynë Iliri është i fejuar dhe do martohet, e fejuara e tij është nga Gjirokastra. Djali tjetër jeton në Angli me dokumente të rregullta dhe bashkëjeton me një shtetase të huaj. Vajzën e kemi në shkollë. Makinën që e hodhën në erë e përdor im shoq dhe prej 20 ditësh mbahej e parkuar te shtëpia e re që po ndërtojmë, pasi tjetrën na e shkatërroi tërmeti”.
Por përdoruesi i makinës dhe bashkëshorti i Kujtimes këmbëngul se është i çuditur nga kjo ngjarje. Ai tregon se asnjë mosmarrëveshje nuk ka qenë aq e rëndë sa të përfundonte deri në këtë pikë.
Nuriu: “Nuk kam asnjë dijeni se kush mund ta ketë bërë dhe në rast se e mësoj do vij menjëherë në komisariat. Këto ditë kam pasur vetëm një mosmarrëveshje, pasi një punëtor që e kisha punësuar nuk e kishte punuar siç duhet murin ndarës. Për këtë arsye unë e ofendova dhe e nxora punëtorin jashtë shtëpisë”.
Policia ka vazhduar marrjen në pyetje edhe të banorëve nga Çekreza që kishin mundësuar punësimin e të riut tek i zoti i makinës. Por ai ka treguar itinerarin e tij dhe faktin që ditën e ngjarjes kishte qenë duke blerë një biletë për të udhëtuar në Francë. Kjo e ka detyruar sërish policinë të rikthehet në fshat, duke rrëzuar dyshimin se lënda plasëse mund të ishte vendosur për një konflikt të tillë. Mes tyre janë pyetur B. Xh, e cila edhe ajo ka shpjeguar pemën familjare dhe se ku gjendeshin fëmijët e saj dhe se asnjë nga të afërmit e saj nuk kishte probleme të natyrës së hakmarrjes dhe gjakmarrjes me askënd. Ndërkohë banori tjetër Bedri XH. edhe ai ka folur hapur dhe ka thënë se njihej me të zotin e makinës dhe nuk kishin asnjë konflikt. Por, edhe ky banor i fshatit Çekrezë ka qarë hallet e tij duke shtuar se “kam dy djem që gjenden në Angli, flasim shpesh në telefon. Njëri nga djemtë i quajtur Diti ka pasur një konflikt pas një mosmarrëveshjeje me shtetasin Florenc K. muzikant, me të cilin është grindur për volumin e lartë të muzikës. Pas konfliktit, prindërit dhe dajat e tyre në Shqipëri janë ulur për ta diskutuar ngjarjen në lokalin e Pëllumb Gj.”
Por edhe ky banor ka shtuar se incidenti nuk ka asnjë lidhje me shpërthimin me lëndë plasëse. Siç shton policia lokale, për të zbardhur ngjarjen do të vazhdohet më tej me marrjen në pyetje të banorëve, pasi në vendngjarje nuk ka asnjë kamera sigurie. Gjithashtu nuk është gjetur asnjë gjurmë që do të zbardhte shpërthimin. E vetmja mundësi për ta zgjidhur çështjen ka mbetur pyetja e dëshmitarëve dhe rrëfimi i tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




