Shkon në 10 numri i të prekurve nga koronavirusi në Shqipëri. Përveç 6 të prekurve të një dite më parë, nga 114 persona që iu janë nënshtruar analizave për COVID 19, ka edhe 4 persona të tjerë pozitiv me këtë virus.
“Janë testuar në ISHP 114 raste, vetëm 10 janë pozitiv me këtë virus. Janë 6 vetë kontakte të tyre të 2 të infektuarve, dhe kemi edhe 2 raste të reja të panjohura me këta raste”, deklaroi zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli.
Ndërkohë, drejtoresha e ISHP, Albana Fico, u shpreh se duhet të zbatohen urdhrat dhe udhëzimet nga autoritetet.
“Për sa u përket testimeve ashtu si tha dhe zv.ministrja kemi 114 të testuar në ISHP dhe dua t’ju siguroj për nivelin e kapaciteteve. 200 deri në 500 kite kemi siguruar. Analizat teknike funksionojnë 24 orë. Apeloj që të zbatohen rregullat e higjienës personale, për larjen e duarve mbi 20 sekonda, përdorimi i dezinfektantëve, respektimi i higjienës respiratore. Duhen përsëritur.
Nëse kollitemi përdorim facoletë që e hedhim menjëherë ose gropën e bërrylit. Të krijojmë mundësinë vetes dhe që ne njohim për distancimin social. Nuk është vendi për të folur për 1.5- 1.2 m, por jemi të informuar që një nga mënyrat e përhapjes janë edhe spërklat.
Në sipërfaqet ku punojmë duhet të infektohen. Shpesh thuhet që përderisa kemi larë duart nuk ka problem. Të zbatohen urdhrat e Ministrisë dhe rekomandimet e ISHP”, tha drejtoresha e ISHP-së, Albina Fico.
Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, ka bërë me dije se numri i thirrjeve për koronavirusin tashmë në 127 është rritur 3-fish.
Ai thotë se 80% e rasteve nuk shfaqin simptoma teksa ata që kanë, vetëizolohen në shtëpi.
“Është trefishuar numri i thirrjeve për koronavirusin. 80% e rasteve nuk shfaqin simptoma.
Njerëzit që kanë simptoma vetëizolohen në shtëpi. Jemi në të njëjtat kushte si me gripin kur kemi pasur 400 thirrje.
E ka një shpërndarje të shpejtë, të qëndrojë çdokush në shtëpi të vet, të bëjmë atë që bëjmë bota. Filloi dhe izolimi i Italisë. Nga mirëkuptimi ju them që duhet të izolohen kontaktet. Për fat të mirë koronavirusi përhapet me spërkla dhe jo vetëm në ajër. Nuk e di edhe unë mund të jem infektuar askush nuk e di.
Sa më shpejt t’u përgjigjen apeleve tona aq më shumë në dispozicion do të jemi ne. Jo në spital. Veç faktit që do të gjejmë një radhë aty edhe mund ta marrim koronavirusin nga spitali.
Është e njëjta gjë siç na ndodh me gripin. Ndiqni me rigorozitet udhëzimet dhe Komiteti i Ekspertëve sot do të vendosë dhe për masa të tjera”, tha ndër të tjera Brataj.
Rakacolli tha ndër të tjera se nëse do të arrihet në pikën që Spitali Infektiv në QSUT të mbushet me pacientë, atëherë është menduar për të kthyer në karantinë edhe spitalin “Shefqet Ndroqi”, ose Sanatoriumi siç njihet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



