Ambasada Amerikane në Tiranë ka shpërndarë një udhëzues për qytetarët e saj në lidhje me situatën e krijuar pas konfirmimit të dy rasteve me koronavirus në Shqipëri.
“Shqipëria ka konfirmuar disa raste me koronavirusin e ri brenda kufijve të saj dhe ka pezulluar fluturimet me Italinë e Veriut deir më 3 prill. Gjithashtu, është pezulluar procesi mësimor dhe shkollat janë mbyllur deri më 23 mars”, kujton Ambasada e SHBA.
Në njoftimin e shpërndarë thuhet se megjithatë, nuk ka asnjë kufizim në hyrje apo dalje, ndërsa në pikat kufitare të vendit është shtuar personeli mjekësor.
“Si masë mbrojtëse të gjithë personat e dyshuar me koronavirus që hyjnë në vend nga Aeroporti Nënë Tereza dhe porti i Durrësit dhe i Vlorës trajtohen nga grupe mjekësore të specializuara”, vijon mesazhi i SHBA.
Në të njëjtin njoftim thuhet se personave që hyjnë në vend nga zonat e nxehta të koronavirusit u është kërkuar vetëkarantinimi për dyjavor dhe kujtohet numri 127 si thirrja e emergjencës.
“Karantina të përkohshme janë përcaktuar brenda Spitalit Infektiv në Tiranë. Deri më tani asnjë spital privat nuk është autorizuar për të menaxhuar rastet me koronavirus. Nuk ka një informacion zyrtar se sa mund të zgjasë koha e izolimit në ambientet e përkohshme të karantinës”, thotë SHBA.
Edhe Ambasada Ruse në Tiranë ka shpërndarë në njoftim në rusisht për të gjithë shtetasit e saj. Në njoftim thuhet se Shqipëria ka konfirmuar rastet e para me koronavirus dhe i vë në dijeni për numrin e emergjencës 127. Ambasada Ruse fton të gjithë qytetarët e saj që nëse dyshojnë se kanë simptomat e koronavirusit të ri, si ethe, kollë të thatë, temperaturë të lartë të telefonojnë në këtë numër dhe të presin ndihmën mjekësore në shtëpi, apo hotele ku mund të ndodhen, pa u paraqitur në spitale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




