Ngjarje

Çereku i Italisë (16 mln banorë) futet në karantinë

Italia ka vendosur në izolim më shumë se një të katërtën e popullsisë, duke u përpjekur të ndalojë përhapjen e koronavirusit të ri, ndërsa Covid-19 mbërriti edhe në Uashington DC (SHBA) në një kongres politik, ku morën pjesë Donald Trump dhe Mike Pence. I pyetur për zhvillimin, Trump u tha gazetarëve në Florida se nuk ishte i shqetësuar dhe po planifikonte të vazhdonte mitingjet politike.
Në Itali janë konfirmuar më shumë se 5,800 raste me Covid-19, pas një rritje alarmante prej më shumë se 1200 personash të infektuar për 24 orë, ndërkohë që deri më tani ka 233 të vdekur. Pothuajse 100 vende tani po reagojnë ndaj shpërthimeve. Në orët e para të ditës së sotme, kryeministri italian Giuseppe Conte nënshkroi një dekret që miratonte një karantinë të detyruar për rajonin e Lombardisë, gjithsej 16 milionë banorë. Provincat e prekura përfshijnë Milanon, Venecian, Modenan, Parmën, Piacenzën, Reggio Emilian, Riminin, Pesaron dhe Urbinon, Alessandrian, Astin, Novarën, Verbano Cusio Ossola, Vercellin, Padovën dhe Trevison.


Dekreti i bllokimit përfshin fuqinë për vendosjen e gjobave për këdo që kapet duke hyrë ose duke dalë nga rajoni deri në datën 3 prill. Ai parashikoi gjithashtu ndalimin e të gjitha ngjarjeve publike, mbylljen e kinemave, teatrot, palestrat, disko dhe baret. Ceremonitë fetare si funeralet dhe dasmat gjithashtu do të ndalohen dhe ditët e pushimit për punonjësit e kujdesit shëndetësor janë anuluar.
Ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar, qeveria është duke përgatitur masat e veta ndaj gjendjes emergjente, duke përfshirë legjislacionin e urgjencës që lejon njerëzit të ndërrojnë punë dhe vullnetarë të punojnë në Shërbimin Kombëtar Shëndetësor ose shtëpitë e kujdesit dhe gjykatat mund të përdornin lidhjet telefonike, ose lidhjet video për të shqyrtuar çështjet.

Përshkallëzimi i masave në Itali vjen ndërsa Shtetet e Bashkuara luftojnë me përgjigjen e tyre ndaj shpërthimit. Në Uashington DC, autoritetet raportuan se një burrë i moshës 50 vjeç kishte dalë pozitiv edhe pse nuk kishte pasur asnjë kontakt të identifikueshëm me persona që kishin virusin.
Autoritetet Australiane po kërkojnë gjithashtu njerëz, përfshirë punonjës të qeverisë, të cilët kanë pasur kontakt me personat pozitivë të virusit. Tre persona kanë vdekur në vend dhe më shumë se 70 raste janë infektuar. Të Dielën, Ministri Federal i Shëndetësisë në Australi u bëri thirrje njerëzve të shmangin panikun dhe të mos zbraznin raftet e super marketeve duke blerë sa më shumë letër tualeti.
Ndërsa shkalla e infeksioneve të reja në Kinë, ku filloi shpërthimi, është ngadalësuar. Por profesori Yuen Kwok-yung nga Universiteti i Hong Kongut, është shprehur se shqetësimi për Kinën kontinentale dhe Hong Kongun ishin raste të importit të kundërt dhe nxiti qytetarët, të shmangnin udhëtimet deri në fund të viti.
“Ne mendojmë se epidemia ndoshta nuk do të marrë fund. Do të ketë ato që ne i quajmë raste të anasjelltë të importuara. Në fillim vendet e tjera kishin frikë nga ne, tani kemi frikë prej tyre për kthimin e virusit,” shprehet Yung.

Gjithashtu, edhe Nju Jorku konfirmoi 13 raste të reja me koronavirus të shtunën në mbrëmje, duke rritur numrin e të infektuarve deri në 89 raste.
Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo njoftoi, numrin e fundit dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në vend. Sipas të dhënave priten të rriten rastet edhe mes mjekëve, sepse infermierë dhe mjekë mund të jenë infektuar nga një shofer i kompanisë Uber, i cili ka shkuar në spitalin Queens dhe rezultoi pozitiv me virusin. Sipas Cuomo, ende ka mijëra banorë në Nju Jork që presin rezultatet e testit, kështu që ai rekomandoi se njerëzit duhet të futen në vetë izolim për të parandaluar përhapjen e sëmundjes.
Nju Jork është tani shteti i tretë në SHBA që shpall gjendjen e jashtëzakonshme për rastet e koronavirusit, pas Uashingtonit dhe Kalifornisë. Në mbarë vendin, janë konfirmuar 430 njerëz të infektuar dhe 19 të vdekur në 31 shtete.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë