Kreu i Partisë Demokratike në Itali, Nicola Zingaretti ka njoftuar të shtunën se është infektuar me koronavirus. Lideri i një prej partive qeveritare e bëri publik lajmin në një postim në rrjetet sociale, ku siguroi italianët se ishte në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.
“Mjekët më kanë thënë që kam rezultuar pozitiv në Covid19. Jam mirë, por do të më duhet të qëndroj në shtëpi për disa ditët e ardhshme. Nga këtu do të vazhdoj të ndjek punën që duhet të bëjë qeveria. Guxim për të gjithë dhe shihemi së shpejti!”, tha pasuesi i Matteo Renzit në Partinë Demokratike në një video të publikuar në Facebook.
“Të gjithë të prekurve i them se unë gjithashtu kam koronavirusin,” tha Zingaretti. “Natyrisht i përmbahem protokolleve të parashikuara për të gjithë të infektuarit deri tani.” shpjegoi lideri i Partisë Demokratike. “Unë jam mirë dhe për këtë arsye është zgjedhur izolimi në shtëpi. Madje edhe familja ime po ndjek protokollin shëndetësor. Mjeket po testojnë të gjithë zyrtarët që kam kontaktuar”, shtoi Zingaretti.
Mediat italiane ngrejnë shqetësimin se Zingaretti mund ta ketë përhapur virusin tek një sërë zyrtarësh të lartë, duke mos “kursyer” kështu as politikanët.
“Le të luftojmë dhe më shumë se kurrë në këtë moment. Unë do të jap një shembull të mirë duke ndjekur indikacionet e mjekëve. Shihemi së shpejti”, tha ai.
I pari që komentoi lajmin ishte ish-kryeministri Matteo Renzi. “Nicola, të gjithë jemi me ty! Dhe me të gjithë ata që luftojnë kundër koronavirusit. Dhe faleminderit mjekëve, infermierëve, farmacistëve, studiuesve”, shkruan Renzi.
Partia Demokratike italiane së bashku me Lëvizjen 5 Yjet janë dy forcat kryesore që përbëjnë qeverinë e kryeministrit Giuseppe Conte
Sipas të dhënave të Mbrojtjes Civile Italiane dhe Komisionerit Angelo Borrelli, numri i viktimave nga koronavirusi ka shkuar në 197, të testuar pozitiv 3916 dhe të shëruar 523
Qeveria e kryeministrit Conte ka alokuar një fond prej 600 milionë eurosh dhe ka shtuar në sistem edhe 20 mijë profesionistë të tjerë, mes të cilëve studentë të sapodiplomuar dhe ish mjekë të dalë në pension, për tu përballur me koronavirusin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




