Drejtorja e Zyrës Arsimore të Fierit, Yllka Beci thotë se një “vajzë është shtatzënë” është keqinterpretuar nga media, duke shtuar se me “vajzë” i është referuar një mësuesje të shkollës “Janaq Kilica” që është shtatzënë.
“Deklarata ime është keqpërdorur nga mediat dhe gazetarët. Kam thënë që nxënësit janë shumë mirë, por është një mësuese shtatzënë. Unë kam përdorur fjalën “vajzë” dhe vajzë nënkuptohet edhe mësuesja, jo vetëm nxënësja”, deklaroi Beci në një intervistë për Top Channel.
Beci tha se deklarata është bërë nën një presion të madh nga prindërit dhe gazetarët dhe arsyeja që ajo ka mbërritur në gjimnazin në fjalë ka qenë për të përcjellë normalitet. Drejtorja thotë se në momentin që bëri atë deklaratë nuk kishte asnjë informacion.
Drejtorja e Zyrës Arsimore pretendon se i është cenuar liria si individ dhe si grua, ndërsa konfirmon faktin se një nxënëse është shoqëruar në gjendje të fikëti me ambulancë në urgjencën e spitalit të Fierit, por mohon si deklaratën e bërë më herët se ajo “ishte shtatzënë”, ashtu edhe faktin që gjendja e saj ka lidhje me helmimin e një dite më parë në këtë shkollë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.