Helmohen sërish disa nxënës në shkollën e mesme “Janaq Kilica” në Fier. Kanë qenë rreth 50 nxënës që kanë shfaqur probleme me frymëmarrjen, shenja helmimi dhe të vjella gjatë orës së mësimit dhe janë dërguar me urgjencë në Spitalin e Fierit me anë të 6 ambulancave.
Ky është rasti i dytë që përsëritet helmimi në po të njëjtën shkollë. Ndërkohë në spital është krijuar një situatë kaotike dhe nga numri i shumtë i nxënësve dhe familjarëve të tyre.
Dyshohet se është hedhur një lëndë e dyshimtë në ambientet e shkollës, duke shkaktuar probleme tek nxënësit. Lënda helmuese mësohet të jetë një Spray Peper (lotsjellës), i hedhur nga një nxënës i kësaj shkolle.
Ndërkohë, ka reaguar zyrtarisht edhe Policia e Fierit, duke dhënë një informacion paraprak në lidhje me helmimin e nxënësve ku thotë se e gjitha dyshohet të ketë ndodhur pasi një nxënës i shkollës "Janaq Kilica" të ketë hedhur një spraj piperi.
“Sot rreth orës 11:10, në spitalin Rajonal Fier kanë shkuar për kontroll mjekësor disa nxënës të një shkolle të mesme që kanë pasur probleme me frymëmarrjen. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor dhe nga veprimet e para të kryera në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Fier, Drejtorinë Arsimore dhe Drejtorinë e Shkollës, paraprakisht dyshohet se është përdorur spraj piperi nga një nxënës i kësaj shkolle. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon veprimet për të zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje”, thotë policia.
Për helmimin e gjimnazistëve në Fier ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë.
Sipas ministrisë, në spital ishin paraqitur 50 nxënës, me shenja intoksikacioni, ndërkohë që aktualisht 42 prej tyre qëndrojnë ende në spital.
“Spitali Rajonal Fier bën me dije se 42 nxënës po marrin trajtim në këtë spital dhe gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar.
8 prej tyre kanë lënë spitalin pasi kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa pjesa tjetër po monitorohet në vazhdimësi, por mjekët konfirmojnë se, nuk ka asnjë prej tyre në gjendje të rëndë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Ndër të tjera, Ministria thotë se “Inspektorati Shtetëror Shëndetësor menjëherë sapo është njoftuar për këtë ngjarje në gjimnazin ‘Janaq Kilica’, në qytetin e Fierit ka nisur grupet e inspektimit në terren për verifikim dhe marrjen e masave të menjëhershme”.
Ministrja Shahini në Fier: E patolerueshme, do gjejmë personin që hodhi sprajin në shkollë
Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ka vizituar nga afër gjimnazistët e shkollës “Janaq Kilica” dhe në prononcimin për mediat ka pohuar se në shkollë është gjetur një spraj.
Shahini tha se po punohet për identifikimin e personit që e hodhi atë, duke rrezikuar jetën e nxënësve.
Ministrja teksa e ka cilësuar të patolerueshme ngjarjen në fjalë, që shkaktoi panik të madh te nxënësit, mësuesit, por dhe familjarët e tyre, tha se do të merren masa ndaj autorit.
“Ngjarja me intoksikimin e nxënësve në gjimnazin e Fierit është e patolerueshme dhe do të mbahen edhe përgjegjësitë konkrete. Tani dhe më pas do të dyfishohen masat e sigurisë në shkolla me qëllim mos të keni më raste të ngjashme”, tha ndër të tjera ministrja Shahini.
Ish-deputeti Luan Baçi: Helmimi i nxënësve, krim i përsëritur shtetëror
Ish-deputeti i Partisë Demokratike në Fier, Luan Baçi tha se helmimi i nxënësve është krim i përsëritur shtetëror.
"E pa falshme dhe paimagjinueshme, papërgjegjshmëria e Kryetarit të Bashkisë, e dhe e Drejtorisë Arsimore në Fier. Përsëri jeta e nxënësve te shkolla Janaq Kilica në rrezik. Helm në gjithë ambientet e shkollës, nxënës që ikin me urgjencë në spital. Shteti ka rënë, do duhej t'ju bëja thirrje, deputetëve të qarkut, Kryetarit të Parlamentit, Kryeministrit, por ata nuk ekzistojnë”, shkruan Baçi.
Ndër të tjera, ai thotë se “i bëj thirrje qytetarëve të Fierit, prindërve të nxënësve, të rrezikuar nga përgjegjshmëria e të papërgjegjshme që të marrin në dorë fatet e fëmijëve të tyre. Ne na kanë në krahë”, shkruan Baçi në “Facebook”.
Një javë më parë 6 nxënës të kësaj shkolle u helmuan në laboratorin e orës së Kimisë, për shkak të një reaksioni kimik.
Reaksioni kimik shkaktoi panik te nxënësit e një shkolle në Fier. Në orën e lëndës së Kimisë, diçka ka rezultuar gabim, duke sjellë reaksionin kimik.
Nxënësit shfaqën probleme në frymëmarrje dhe të kollitura.
Çfarë është spraj piperi?
Spraj piperi është një përbërës kimik që irriton sytë për të shkaktuar një ndjesi djegieje, dhimbje dhe verbëri të përkohshme që përdoret nga policia, në kontrollin e rebelimeve, kontrollin e turmës, dhe vetëmbrojtjen, përfshirë mbrojtjen kundër qenve dhe arinjve.
Efektet e saj inflamatore bëjnë që sytë të mbyllen, duke hequr shikimin.
Ajo gjithashtu shkakton shqetësim të përkohshëm dhe djegie të mushkërive gjë që shkakton gulçim, po ashtu edhe kollitje.
Kohëzgjatja e efekteve të saj varet nga forca e sprajtit. Efekti mesatar i plotë zgjat nga 20 deri në 90 minuta, por acarimi i syrit dhe skuqja mund të zgjasë deri në 24 orë.
Edhe pse konsiderohet një përbërës jovdekjeprurës, ai ka qenë vdekjeprurës në raste të rralla. Për ata me astmë, që marrin edhe ilaçe të tjera, ekziston edhe rreziku i vdekjes.
Spraj piperi mund të blihet vetëm online.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.