Qeveria italiane ka njoftuar një paketë stimuluese prej 3.6 miliardë euro për të ndihmuar ekonominë e vendit me përballjen ndaj impaktit ekonomik nga koronavirusi. Përgjigja ndaj këtij virusi duket të jetë në kohë dhe proporcionale.
Roberto Gualtieri, ministër i financave, ka thënë në një intervistë të dielën se ai po shihte mundësinë e një plani tre hapësh për të mbështetur kompanitë dhe punonjësit e tyre. Italia është vendi europian më i prekur në BE nga Covid-19 me rreth 1700 raste dhe 41 vdekje. Qeverisë i është dashur të izolojë komunitete me rreth 50,000 banorë dhe të mbyllë shkolla, universitete, e shumë hapësira të tjera publike. Kryesisht të tëra këto mbyllje kanë qënë të përqëndruara në zonat e Lombardisë dhe Venetos të cilat janë dhe zonat më me influencë në ekonominë e shtetit italian.

Hapi i parë i masave të ndërmarra nga qeveria italiane përfshin vonesa në pagesat e taksave dhe interesave të kredive, kjo për 11 qytetet të cilat kanë qënë për një javë të izoluara në karantinë. Këto masa i kushtojnë pakëz shtetit italian dhe tregojnë mbështetje për bizneset.
Hapi i dytë është një paketë më e gjerë stimuluese, detajet e së cilës do të zbulohen në fund të kësaj jave. Në të kaluarën Roma ka pasur shumë debate me komisionin europian mbi objektivat e saj të mos-arritura të defiçitit, por gjithsesi qeveria italiane pret nga Brukseli që kjo paketë stimuluese të marrë dritën jeshile.
Z. Gualtieri është shprehur se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm më ministrat e financave të pjesës tjetër të Eurozonës për të diskutuar një përgjigje fiskale të përbashkët ndaj koronavirusit në Itali.
Si çdo qeveri tjetër Roma ballafaqohet me një paqartësi të madhe teksa i duhet të vendosë për mënyrën e duhur për të vepruar në këtë situatë kritike. Nuk është akoma e qartë se sa do të zgjasë epidemia dhe çfarë lloj dëmi do të ketë. Për momentin një efekt negativ është vënë re në nivelin e kërkesës lokale dhe atë të huaj, gjë që tregon për një nevojë të stimulit fiskal. Ndërkohë pengesa e probleme të shumta vihen re në zinxhirët e furnizimeve. Dhe është akoma e paqartë se si do të veprojë Banka Qëndrore Europiane.
Qeveria italiane duhet të tregohet e kujdeshme me tregjet financiare. Mos të harrojmë se borxhi publik i Italisë qëndron në një masë të frikshme prej 135% të GDP-së, gjë që e limiton shumë vendin në ato çfarë mund të bëjë në këtë kohë krize.
Një pyetje e rëndësishme është se si qeveria do të vendosë t’i harxhojë paratë. Bën sens t’a nisë me sistemin shëndetësor, i cili është nën një presion të madh me rritjen e papritur e të madhe të rasteve me infeksion. Numri i njësive të kujdesit shëndetësor intensiv gjithashtu është një problem më vete. Vdekshmëria e përgjithshme e virusit në Itali gjer tani është rreth 2%, por rreth 10% e atyre që kanë rezultuar pozitivisht ndaj koronavirusit kërkojnë për një përkujdesje shëndetësore intensive. Teksa epidemia perhapet situata mund të bëhet më e vështirë për t’u menaxhuar. Qeverisë gjithashtu i duhet të shpenzojë para për të ndihmuar kompanitë, e veçanërisht firmat e vogla. Kjo për të mbështetur punonjësit dhe firmat si rezultat i ndërprerjes së aktivitetit të tyre ekonomik në mënyrë të papritur.
Këto masa sigurisht që nuk do mjaftojnë për ta shpëtuar Italinë nga tremujori i parë i tmershëm që kaloi. Dhe as nuk janë përgjigja më e mirë që mund të ndërmerrej. Siç kam thënë më parë, do të ishte shumë më mirë për eurozonën sikur të krijonte një buxhet të përbashkët e secili vend në rastin e një krize të rëndë të mund të tërhiqte. Por nëse këto para të vëna nga qeveria Italiane shpenzohen në mënyrë të zgjuar e të mirëllogaritur, kjo paketë stimuluese do t’i jepte një lehtësim të përkohshëm.
Nëse përhapja e koronavirusit në Europë dhe në botë përkeqësohet akoma, Europës i duhet të veprojë në mënyrë të bashkuar. E kjo, mbase përmes një kombinimi të stimujve monetarë dhe fiskalë. Tani për tani, Italia po jep më të mirën e saj, por Europa mund ta kishte menaxhuar këtë situatë shumë ndryshe. /Bloomberg
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje