Ardian Dvorani deklaron se nuk ka patur asnjë kontakt me Henri Çilin, apo persona të tjerë për çdolloj ndërhyrjeje në çështje të caktuara që presin aktualisht gjykimin në Gjykatën e Lartë.
“Nuk ka pasur asnjë lloj kontakti, të çfarëdo natyre dhe me çfarëdo personi të gjyqtarit Ardian Dvorani, lidhur me çfarëdo çështjeje gjyqësore”, thuhet në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë.
Po në të njëjtën deklaratë sqarohet se emri i Ardian Dvoranit është lakuar për shkak se ai është i vetmi anëtar i Gjykatës së Lartë e për rrjedhojë edhe relator për të gjitha dosjet që dorëzohen në këtë institucion. Sqarohet po ashtu edhe mënyra e administrimit të dosjeve, duke nënkuptuar se ndërhyrja jashtëligjore për radhën e shqyrtimit të dosjeve të caktuara është e pamundur.
“Çështjet gjyqësore në Gjykatën e Lartë shqyrtohen duke respektuar radhën e ardhjes së tyre për shqyrtim pranë kësaj Gjykate. Përjashtimisht, në raste të caktuara dhe të motivuara sipas kritereve të paracaktuara dhe të miratuara në rregullat e brendshme të administrimit të tyre, çështje konkrete mund të shqyrtohen në mënyrë të përshpejtuar, jashtë radhës së ardhjes për shqyrtim në Gjykatën e Lartë. Procesi i përshpejtimit të gjykimit të çështjes, jo vetëm që kërkon përmbushjen e këtyre kritereve, por edhe angazhimin dhe pëlqimin paraprak të gjyqtarit relator, kolegjit përkatës dhe Kryetarit të Gjykatës”, vijon deklarata.
Në vijim të deklaratës thuhet se jo vetëm nuk ka asnjë kuptim por edhe nuk është proceduar në fakt në asnjë rast më urdhërimin e përgatitjes për shqyrtim të ndonjë çështjeje gjyqësore jashtë radhës së ardhjes së tyre në Gjykatën e Lartë.
Gjykata e Lartë hedh poshtë edhe akuzat se për dosjen e Arbjan Alikos, për të cilën është shpërndarë lajmi se ka ndërhyrë Henri Çili për shqyrtimin e saj jasht radhe ka nisur punën për hartimin e relacionit nga ana e këshilltarëve ligjorë.
“Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani ka ndjekur dhe përmbushur detyrimin procedural të caktimit të këshilltarëve ligjore që ngarkohen me studimin dhe përgatitjen e relatimeve për çështjet gjyqësore, duke ndjekur rigorozisht kriterin kohor të ardhjes së çështjeve për shqyrtim në Gjykatën e Lartë. Asnjë dosje gjyqësore nuk mund të tërhiqet për çfarëdo qëllimi nga ana e këshilltarëve ligjorë pa miratimin e gjyqtarit relator. Kushdo mund të konstatojë, jo vetëm respektimin e radhës kohore të ardhjes së çështjeve në Gjykatën e Lartë, por edhe faktin e thjeshtë se nuk ka asnjë veprim në lidhje me çështjen penale nr. 52105-00941-00-2019”, thuhet në deklaratë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




