Një shoqëri që prodhon më shumë lajme nga sa është në gjendje që të konsumojë është e prirur që t’i harrojë shpejt ato. Fundja, çudia më e madhe tri ditë zgjat. E tillë është edhe ngjarja e 1 nëntorit 2019, kur në një atentat mafioz mbeti i plagosur prokurori Arjan Ndoj dhe dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve ndërroi jetë më vonë në spital.
Gazeta “Si” po i rikthehet kësaj ngjarjeje dhe zhvillimeve që i paraprinë dhe pasuan atë kur kanë kaluar 3 muaj e gjysmë nga atentati.
Më 1 nëntor 2019, në vendin e njohur si Mbikalimi i Shkozetit qëllohet me breshëri automatike ndaj automjetit të Prokurorit Arjan Ndoja, i cili po udhëtonte atë ditë nga Durrësi në drejtim të Tiranës i shoqëruar nga dy persona të tjerë.
Nga sulmi prokurori u plagos lehtë, dhe më rëndë Aleksandër Laho, njohur ndryshe edhe si Landi Muharremi, apo “Rrumi i Sukthit” dhe person me precedentë penalë, si dhe Andi Maloku, që ndërroi jetë pak ditë më vonë në spital.
Atentati mbërrinte pak javë pasi emri i Arjan Ndojës ishte vënë në qendër edhe të diskursit të politikës, pasi ky prokuror kishte lëshuar urdhrin e arrestit për Liridon Pulën, kreun e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Durrës, që e akuzonte për shpërdorim detyre. Nga Qeveria akuzuan prokurorin se punonte për llogari të një grupi kriminal dhe se akuza ndaj kreut të ASHK-së ishte sajesë për të shantazhuar këtë të fundit, pasi kishte zbuluar disa transaksione të dyshimta pronash në bregdet që kalonin për llogari të një grupi kriminal në Durrës.
Autorët qëlluan ndaj Arjan Ndojës dhe dy personave të tjerë nga një makinë tip Mercedes Benz në ecje e sipër. Më vonë u provua se makina ishte vjedhur në qytetin e Lezhës, ndërsa targat në qytetin e Tiranës. Makina u gjet e braktisur, por e padjegur në zonën e Shkafanës, pranë Gjirit të Lalëzit.
Përse vrasësit nuk e dogjën mjetin me ngjyrë gri në të cilin u gjetën maska, kallashnikovë dhe lëndë djegëse? Një ekspert shpjegoi për gazetën “Si” se diçka u ka shkuar keq autorëve, të cilëve nuk u është hapur bagazhi i automjetit ku ndodheshin shishet e mbushura me benzinë. Eksperti thotë se kjo ndodh shpesh dhe në mënyrë të paparashikuar në rastet kur kopjohen çelësat e makinës sipas numrit të shasisë.
Bashkë me mjetin e padjegur, grupi hetimor ka gjetur edhe çelësat të vendosur në kuadrin e makinës, që do të thotë se grupi i vrasësve e ka patur me nxitim, ndoshta në dijeni të faktit që policia ishte afër tyre.
Në makinën në fjalë, policia gjeti një kapuç, brenda të cilit edhe qime floku. Nga analiza e ADN-së grupi hetimor identifikoi Redjan Rrajan si njërin prej autorëve të dyshuar të ngjarjes. Ai u arrestua më 5 nëntor të 2019.
Përveç sekuestrimit të provave, prokuroria dhe policia u vunë në lëvizje për të identifikuar edhe persona të mundshëm dhe të skeduar në të shkuarën për metodën e vjedhjes së makinës përmes kopjimit të çelësave sipas numrit të shasisë. Njëri prej tyre ishte Julian Sulo, një 39-vjeçar i njohur në qytetin e Lushnjes për problemet e vazhdueshme që ka patur me drejësinë dhe si kundërshtar i bandës së Aldo Bares.
Grupi hetimor dyshon se Sulo dhe autorët e atentatit ndaj Arjan Ndojës janë pajtuar nga një grup i fuqishëm kriminal për shkak të një konflikti me pronat në bregdet. Kontrollet e Policisë u zgjeruan edhe në Lushnje dhe Tiranë dhe u hodhën dyshime se në këtë atentat mund të ketë gisht edhe Durim Bami, një nga personat më problematikë nga Nikla që besohet se mund të ketë ofruar ndihmë për grupin kriminal që ishte në kërkim të “vrasësve me pagesë”, duke i adresuar ata tek Redjan Rraja.
Dosja në fjalë është një sfidë edhe për vetë SPAK-un. Deri në mes të janarit, Prokuroria e Posaçme nuk ka qenë në gjendje që të përcaktojë se kush ka qenë shënjestër e atentatit, prokurori Arjan Ndoja, apo “Rrumi i Sukthit”. Rindërtimi i ngjarjes nuk ka ndihmuar në sqarimin e kësaj dileme. Prokuroria thotë se autorët kanë qëlluar në breshëri në ecje e sipër dhe nga dinamika e të shtënave shënjestër duket se kanë qenë që të tre personat.
Dilema përforcohet nga dyshimet se Landi Muharremi, alias Aleksandër Laho është pajtuar nga njëra palë në procesin gjyqësor për pronësinë e 200 hektarëve tokë në bregdet, ndërsa pala tjetër është përgjigjur përmes pajtimit të vrasësve me pagesë që dyshohet se janë nga Nikla e Krujës.
Muharremi është përfolur si një prej personave që ka gisht në grabitjet e disa dosjeve të bujshme nga Prokuroria e Durrësit, ku në njërin rast u grabit posta e kësaj Prokurorie, në një kohë që vëllai i tij është në krye të kësaj poste. Po ashtu, emri i tij ka dalë edhe në rastin e dhunës ndaj biznesmenit libanez, Faadi Mitri që ishte i interesuar për të investuar në Gjirin e Lalëzit për ndërtimin e një resorti turistik pikërisht në pronën ku mendohet se po përplasen dy grupet kriminale. Por, Muharremi asnjëherë nuk është marrë në pyetje për këtë ngjarje.
Dozat e misterit shtohen nga fakti që në makinën e Arjan Ndojës janë gjetur dosje të grabitura nga posta e Prokurorisë së Durrësit dhe dosja e gjyqtarit, Skerdilajd Konomi, i vrarë në 2011 pas një atentati me tritol në qendër të qytetit të Vlorës, pas të cilit dyshohet se qëndron përplasja për pronësinë në Gjirin e Lalëzit.
Landi Muharremi nuk ka folur për ngjarjen në fjalë, ndërsa prokurori Ndoja e ka përjashtuar që të ishte ai shënjestra.
“Nëse do të më adresoheshin mua, nuk kishin arsye të më vrisnin në autostradë. Mua mund të më vrisnin në derë të shtëpisë, në prokurori. Nuk ka arsye që të më sulmonin në autostradë”, thotë ai.
Praninë e dosjeve në bagazhin e makinës, përfshirë dosjen e Skerdilajd Konomit, Arjan Ndoja e justifikoi duke thënë se zotëronte një zyrë konsulence ligjore.
“Unë prej kohësh drejtoj një studio ligjore, ku ofroj dhe konsulencë ligjore për çështje të ndryshme. Ndër to janë disa çështje që lidhen me pronat, por edhe çështje penale, për të cilat unë jam njohës dhe sugjerues. Shpresoj që Prokuroria të tregohet objektive në hetim, pasi këto janë gjëra të ditura dhe unë nuk kam shkelur asnjë ligj, apo të drejtë”, deklaroi ai.
Arjan Ndoji la Spitalin e Durrësit më 18 nëntor të 2018, ndërsa në hetimet që vazhdonin, Redjan Rraja, personi i vetëm i arrestuar deri më tani mohonte akuzën. Dosja u mor nga Prokuroria për Krimet e Rënda dhe automatikisht, pas shkrirjes së kësaj prokuroria më 20 dhjetor 2019 i kaluar SPAK-ut.
Në mes të janarit, raportoi se hetimet për atentatin në fjalë ishin komplekse dhe se organi i akuzës ende nuk kishte arritur që të përcaktonte se kush ishte shënjestra e sulmit, prokurori Arjan Ndoj apo Landi Muharremi.
Prokurorët kanë shtrirë hetimet edhe jashtë vendit, duke kërkuar informacion në disa vende të tjera për disa persona me rekorde kriminale. Dyshohet se bëhet fjalë për disa eksponentë të botës së krimit, të njohur edhe nga autoritetet shqiptare, si pjesë e një grupi që operon në Durrës e Fushë-Krujë dhe përforcon dyshimet se atentati ka lidhje me përplasjet mes grupeve kriminale për çështjen e pronave në bregdet.
Atentati në fjalë dhe të gjitha misteret që ai ka lënë pas u “harruan” pas ngjarjeve që pasuan më vonë vendin, sidomos pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit, që goditi vendin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.