Ndarja nga jeta e ikonës së muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, ka prekur zemrat e gjithë artdashësve dhe adhuruesve të këngëve të saj.
Në shenjë nderimi për artisten e madhe, në të gjitha lokalet e kryeqytetit të Kosovës janë vendosur këngët e saj. Kjo është një mënyrë e veçantë dhe simbolike që qytetarët kosovarë kanë zgjedhur për t’i thënë asaj “lamtumirë”. Një kontrast që tregon se ajo vazhdon të jetojë në historinë tonë të artit me kryeveprat e saj.
E teksa sot i jepet lamtumira e fundit, Kosova e ka shpallur ditën e sotme si ditë zie në nderim të jetës dhe veprës së artistes së madhe, e cilësuar si Bilbili i shqiptarëve.
Varrimi i Nexhmije Pagarushës do të bëhet sot në orën 14:30 në fshatin Pagarushë të Malishevës, në një ceremoni familjare sipas amanetit të saj të fundit.
Artistja e madhe, Nexhmije Pagarusha, mbetet emri më i çmuar në mbarë kulturën shqiptare, e cila me zërin e saj këndoi këngë, të cilat nga njohës të artit dhe kritikë janë vlerësuar si kryevepra artistike.
Vlera e veprës së saj mbetet e njëjtë pavarësisht kalimit të kohës dhe muzika që ajo ka bërë mbetet një nga krenaritë më të mëdha ndër shqiptarë.
Ndër këngët e saj më të njohura mbeten: “Baresha”, “Ani mori nuse”, “E dehun jam”, “Zambaku i Prizrenit”, “Kur më shkon si zog n’hava”, “Kur më del në derë”, “Një lule”, “Dallëndyshe”.
Pagarusha u shua në moshën 86-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë, një betejë të cilën nuk e fitoi dot.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




