Ekonomi

Koronavirusi në Kinë ul numrin e maskave mjekësore në nivel botëror

Zyrtarët kinezë po blejnë me shumicë ne Kinë maska mjekësore nga fabrikat që zakonisht furnizojnë spitalet në të gjithë botën, duke i detyruar prodhuesit e tyre t’a rrisin prodhimin globalisht si dhe spitalet t’i përdorin këto maska mjekësore me karar.
Maskat janë veshje mbrojtëse esenciale për punonjësit e qëndrave shëndetësore që trajtojnë pacientë të infektuar me koronavirusin, i cili është përhapur në të gjithë Kinën dhe më gjerë. Kina është një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë për maska mjekësore dhe pajisje të tjera mjekësore. Tani zyrtarët në Kinë po e drejtojnë pjesën më të madhe të këtij prodhimi të maskave mbrojtëse në zonat më të nxehta të shpërthimit të Koronavirusit, duke i lënë klientët në SHBA dhe në vendet e tjera të botës që të kërkojnë gjetkë për maska teksa furnizimet për botën pakësohen.
Medicom Group, një prodhues i maskave me qendër në Montreal, tha që mori një letër nga zyrtarët në Shanghai që e urdhëronin që ajo t’ia shiste prodhimet e fabrikës së saj në Shanghai qeverisë lokale. “Ata duhet të kujdesen për njerëzit e tyre gjithashtu” tha Shefi Ekzekutiv i Medicom, Ronald Reuben. “Nuk është e drejtë, por çfarë të bësh?”

Maskat janë veshje mbrojtëse esenciale për punonjësit mjekësorë që trajtojnë pacientë të infektuar potencialisht nga koronavirusi. Në foto, punonjës i fabrikës “Yokoi” në Nagoya, Japoni.
FOTO: TOMOHIRO OHSUMI/GETTY IMAGES


Medicom është duke u përpjekur t’a rrisë prodhimin e maskave mjekësore në Shanghai, por fuqia e saj punëtore është e pakët si rrjedhojë e kufizimeve të udhëtimeve. Shumë punonjës të kësaj fabrike janë prekur nga masat e kufizimeve të udhetimeve e iu është ndaluar kthimi në fabrikë pas Vitit të Ri Hënor.
Zyrtarët në Indi dhe Tajvan kanë ndaluar eksportet e maskave mjekësore. Medicom, ndërkohë, po rrit prodhimin në fabrikat e saj në Francë dhe Augusta, në shtetin Georgia. Kjo pasi shumë vënde të tjera nga frika e koronavirusit kanë rritur kërkesën e maskave. Fabrika franceze, e cila zakonisht bën rreth 170 milionë maska në vit, këtë periudhe ka marrë porosi për 500 milionë.
Korporata 3M (që operon krahas sektorëve të tjerë dhe në atë të prodhimit të pajisjeve mjekësore) tha se bashkia e Shangait po kërkon një numër të madh maskash mbrojtëse nga fabrikat e saj në Kinë si rezultat i shpërthimit të koronavirusit.
Po kështu qeveria lokale në Dongguan është duke blerë të gjitha maskat nga një fabrikë në pronësi të Makrite Industries Inc, tha kompania. Disa nga këto furnizime me maska zakonisht iu dërgohen klientëve jashtë kufijve të shtetit Kinez, përfshirë këtu shitësve me pakicë me bazë në SHBA si Home Depot e Cardinal Health.
“Ne, së pari, duhet ta mbështesim qeverinë derisa ajo të përmirësohet” tha CEO i Makrite Bob Wen. Ai shton se zyrtarët po e ndihmojnë Makrite të plotësojë boshllëqet që ka në staf si rrjedhojë e kufizimeve të udhëtimeve. Numri i vogël i stafit e ka bërë kompaninë që të prodhojë rreth 40,000 maska në ditë nga 160,000 që prodhonin përpara festës së Vitit të Ri Hënor.


Një letër e datës 3 shkurt nga Këshilli Shtetëror i Kinës drejtuar një prodhuesi thoshte se qeveria do të blejë të gjithë furnizimin e saj me maska kirurgjikale dhe veshje mbrojtëse, sipas një kopjeje të letrës të shqyrtuar nga The Wall Street Journal. Letra gjithashtu thoshte se qeveria do të krijonte një rezervë kombëtare që do të thithë çdo tepricë të këtyre pajisjeve.
Një zyrtar, numri i telefonit i të cilit ishte shënuar në letër, shprehej se ishte i gatshëm për koment për më shumë informacion, por numri i tij dilte fikur kur u tentua ta kontaktojnë. Kjo situatë e ngjashme ka ndodhur e me zyrtarët bashkiakë në Shanghai dhe Dongguan të cilët nuk iu janë përgjigjur kërkesave për koment.
Koronavirusi që u shfaq për herë të parë në fund të vitit të kaluar në Wuhan, në Kinën qendrore, ka infektuar më shumë se 28,000 individë dhe ka vrarë më shumë se 560 njerëz. Shumica e rasteve janë shfaqur në territorin e Kinës, por ka pasur raste edhe në vende të tjera. Departamenti Amerikan i Shtetit u ka thënë qytetarëve amerikanë që të shmangin udhëtimet në Kinë, dhe linjat e mëdha ajrore kanë pezulluar fluturimet drejt dhe nga Kina.
Direct Relief, një organizatë jofitimprurëse me qendër në Santa Barbara të Kalifornisë, që siguron pajisje mjekësore gjatë fatkeqësive, po dërgon dërgesa ajrore me më shumë se 300,000 maska në spitalet në Kinë.
Maskat mjekësore që kërkohen më së shumti ndryshe njihen si respiratorë N95. Ato bllokojnë të paktën 95% të grimcave shumë të vogla dhe përdoren në ambiente spitalore dhe industriale. Ato janë më të përparuara sesa maskat e thjeshta që shumë njerëz i veshin nëpër rrugë të Kinës për të parandaluar përhapjen e sëmundjes.
Të përdorura në vlerësimin e sëmundjeve, përfshirë rastet e mundshme të fruthit dhe tuberkulozit, maskat zakonisht hidhen pas një përdorimi, dhe personeli që trajton një pacient tipik me rrezik të lartë mund të ndërrojë 50 copë në ditë, shprehen mjekët.
Disa klientë që blejnë maska nga fabrikat kineze thanë që furnizimet e tyre janë duke mbaruar. Ndërmarrja industriale e furnizimit Seattle Glove shprehet se shiti vëllimin e saj tipik mujor prej rreth 200,000 maska në katër ditë, një javë më parë.
Departamenti Amerikan i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore mban një rezervë strategjike të pajisjeve mjekësore, përfshirë këtu maskat mbrojtëse për fytyrën si dhe mjete të tjera mjekësore.
Numri relativisht i vogël i kompanive që bëjnë maska në SHBA është duke e rritur prodhimin.

Një letër e vënë në një dyqan mjekësor të Premten në Manila thotë që maskat N95 kanë mbaruar.
FOTO: ELOISA LOPEZ/REUTERS


Louis M. Gerson po zgjeron prodhimin në fabrikën e saj në Middleboro, Massachussetts. Nga katër dite pune që me parë i mjaftonin për të përmbushur kërkesat për produktet e saj të prodhuara, tashme ajo po punon me shtatë ditë në javë. “Ne kemi një kërkesë tmerrësisht shumë të madhe për maska dhe pajisjse të tjera mjekësore. Nëse më parë, klientët tanë ekzistues e kërkonin këtë porosi gjatë një viti tashmë ata e duan të dërguar brenda një jave,” tha CEO Ronald Gerson.
Disa spitale janë në kërkim të furnizuesve të rinj të maskave dhe po aplikojnë mënyra te stafet e tyre për të ngadalësuar shterimin e rezervave të maskave.
Sistemi spitalor i Nju Jorkut “Northwell Health” po punon se si t’i japë përparësi shpërndarjes së maskave, në vendet me rrezik më të lartë kontaminimi, midis 800 klinikave të tij. Gjithashtu po i kërkon personelit që t’i ripërdorin maskat kur është e mundur, tha Dr. Mark Jarrett, zëvendës shefi i mjekësisë në Northëell.
“Kaiser Permanente, spitali dhe sistemi i sigurimeve shëndetësore me seli në Oakland të Kalifornisë, do të kufizojë numrin e stafit të pajisur me maska në mënyrë që të ketë rezerva të gatshme maskash në rast të një shpërthimi lokal”, tha Dr. David Witt, epidemiolog i spitalit të Kaizerit në Veri.

Doktor Witt tha që Kaiser filloi përgatitjet për mungesa maskash menjëherë pasi shpërthimi i koronavirusit në Kinë u bë publik. “Ka kaluar një kohë e gjatë që nga ajo ditë, e ne po shohim shenja të mungesave për maska e disa pajisjesh të tjera mjekësore në treg” shton ai. /WSJ


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë