Ngjarje

“Beyond”, misioni i rekordeve kthehet me këmbë në tokë

“Do të më mungojë miqësia me kolegët e misionit dhe sigurisht që do të më mungojnë edhe pamjet spektakolare”. Këto ishin fjalët e para pas zbritjes në tokë të Christina Koch, astronautja amerikane që qëndroi për 328 ditë në hapësirë, duke u bërë kështu gruaja e parë që qëndron kaq gjatë në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar.

Megjithatë, ndjesia e saj ishte e dyfishtë dhe këtë nuk e mohoi javën e kaluar kur foli nga ISS. “Po mbyll një ndjesi fantastike në orbitën e Tokës dhe po shoh përpara për të provuar të tjera përvoja në tokë, siç është edhe ndjesia e erës në fytyrë”, deklaroi ajo.

Dëshira iu realizua këtë të enjte. Koch zbarkoi me anijen hapësinore ruse Soyuz së bashku me kozmonautin rus, Alexander Skvortsov dhe astronautin italian të Agjencisë Hapësinore Europiane, Luca Parmitano. Soyuz u ul pa probleme në Kazakistan, në të njëjtin vend ku thuajse një vit më parë Christina Koch fluturoi drejt misionit të rekordeve.

Ndërkohë, rekorde vendosi edhe Luca Parmitano i ESA-s. Astronauti italian, që ashtu si Koch dhe rusi Alexander Skvortsov zbritën në të njëjtën kohë u bë astronauti europian me më shumë orë jashtë Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar, plot 33 orë e 9 minuta përgjatë 201 ditëve që qëndroi në misionin “Përtej” (Beyond).

Në Tokë, Luca do të vazhdojë të punojë me shkencëtarët europiane, duke u përfshirë si subjekt në një sërë eksperimentesh, që nga diagnoza akustike, për të provuar një teori se qëndrimi për një kohë të gjatë në hapësirë përmirëson dëgjimin, eksperimentin e kohës, për të parë nëse astronautët e vlerësojnë ndryshe kohën në hapësire dhe dy eksperimente të tjera të njohura si Grip dhe Grasp, që mbikëqyrin koordinimin mes shikimit dhe lëvizjeve motorike të dorës dhe roli i gravitetit si rregullator për këto lëvizje.

Shkencëtarët europianë shpresojnë që me rezultatet e përftuara nga këto eksperimente të ndihmojnë në ravijëzimin e të ardhmes së njerëzimit dhe zhvillimin e robotikës dhe të teknologjisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë