Ngjarje

Alarmi, uji që rrjedh i paligjshëm në Tiranë dhe 7 qytete të tjera

Në Shqipëri ekzistojnë rreth 200 mijë abonentë që nuk kanë matësa, ndërsa 40% e ujit të përdorur nuk arkëtohet. Ky është konkluzioni i nxjerrë nga raporti vjetor i Entit Rregullator të Ujit, ku theksohet se vetëm 8,201 janë klientë familjarë. Raporti i siguruar nga Gazeta “Si” vlerëson se 8 shoqëri të ujësjellësave, përfshirë dhe ato të tre qyteteve të mëdha si Tirana, Fieri dhe Elbasani, veprojnë të palicencuara nga Enti Rregullator i ujit për shkak të problematikave ligjore dhe të mosmarrjes së Akt Miratimit Higjeno-Sanitar nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor.
Sipas raportit gati gjysma, 48 për qind e volumit të ujit të prodhuar në Shqipëri raportohet si i vlerësuar jo me matës, ndërsa kohëzgjatja e furnizimit me ujë në shkallë vendi është 13,2 orë në 24 orë. Treguesit për vitin 2019 flasin për përkeqësim të mbulimit të kostove të veprimit dhe mirëmbajtjes krahasuar me vitin 2018, dhe për arkëtim të ultë në mjaft shoqëri të ujësjellësve.
Në fund të vitit 2019 nga 57 shoqëritë UK, 49 prej tyre raportojnë të dhëna sipas zonave të reja të shërbimit në përputhje me kufijtë administrative të bashkive, por mbesin akoma 8 shoqëri të pa licencuara nga ERRU për shkak të problematikave ligjore për vlerësimin, transferimin dhe regjistrimin e tyre në QKB, si dhe të mos marrjes së Akt Miratimit Higjeno Sanitar.

Faksimile e raportit të ERRU. Gazeta “Si” 6 shkurt 2020


“Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Tiranë ofronte shërbimin e furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura pa licencë pas përfundimit të afatit të saj me datë 05.10.2018. Kjo për shkak se shoqëria nuk arrin të pajiset me Akt Miratimin Higjieno Sanitar. Shoqëria pretendon se janë plotësuar të gjitha dokumentat e nevojshme për marrjen e akt miratimit higjeno sanitar, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor. Kjo e vërtetuar edhe me shkresat përcjellëse të cilat u bënë prezent gjatë inspektimit. Në këto kushte u vendos ri inspektimi i kësaj shoqërie brenda 6 (gjashtë) muajve me qëllim realizimin e detyrave të lëna në raportin e inspektimit”, thuhet në këtë raport.
Sipas Raportit “niveli i arkëtimit kundrejt faturimeve gjatë vitit 2019 ishte 79 për qind po aq sa në vitin 2018, ndërkohë që në mjaft zona si, Kukës, Divjakë, Kavajë, Gjirokastër, Fier, Elbasan, Durrës dhe Vorë, ky tregues është nën 60 për qind.
Mbulimi me furnizimin me ujë për vitin 2019, është pothuajse në të njëjtin nivel krahasuar me vitin paraardhës, thuhet në raport, sipas të cilit, disa zona turistike kanë orare të kufizuara të furnizimit me ujë siç janë Saranda me 12 orë, Durrësi me 8,3 orë Vlora me 13orë, Divjaka me 4 orë dhe kjo paraqet mjaft problem për mbarëvajtjen e sezonit turistik kur qytetet mbingarkohen nga turistët.
Niveli i arkëtimeve në 2019 mbetet në nivelin e vitit 2018, pra 79 %. Ndër shoqëritë me nivele mjaft të ulta të këtij treguesi (nën 60%) janë UK Kukës, UK Divjakë, UK Kavajë, UK Gjirokastër, UK Fier, UK Pustec, UK Roskovec, UK Elbasan. Shoqëritë UK Durrës dhe UK Vorë e justifikojnë uljen e këtij treguesi për shkak të tërmetit të fuqishëm të muajit nëntor.
Punësimi i militantëve
Punësimet në ndërmarrje e Ujësjellësave tejet të fryra janë një tjetër shqetësim që Enti ka konstatuar. Këto punësime dukshëm janë përtej asaj që parashikon organika e këtyre ndërmarrjeve që tashmë janë në varësi të bashkive. Njësitë vendore kanë shtuar numrin e punonjësve e kjo për qëllime elektorale dhe votash. Raporti vlerëson se gjatë vitit 2019 pati rritje të personelit me 254 punonjës dhe “Shoqëritë e Ujësjellësve janë të mbingarkuara me punonjës të pajustifikuar, rritja e të cilëve është e dukshme sidomos në vitet zgjedhore, siç ishte viti 2019”. Sipas Raportit sektori paraqitet me probleme mjaft të mëdha në drejtim të treguesve financiarë ku vetëm 13 shoqëri arrijnë të paraqesin mbi 100 për qind të mbulimit të kostove të veprimit dhe mirëmbajtjes, ndërsa vetëm 4 prej tyre arrijnë të mbulojnë edhe kostot totale. Enti thekson se administrata e tej fryera kanë ndikuar në mos realizimin e investimeve për cilësinë e ujit të pijshëm.

LEXONI RAPORTIN E PLOTË


“Në shumë shoqëri ky tregues është artificialisht i lartë për shkak të plotësimit të detyrimit ligjor të garantimit të sigurisë së veprave të ujësjellësit me personel roje. Gjithsesi shoqëritë UK janë të mbingarkuara me punonjës të pajustifikuar, rritja e të cilëve është evidente sidomos në vitet zgjedhore siç ishte viti 2019. ERRU ka forcuar kërkesat që Shoqëritë të justifikojnë secilin pozicion të stafit të saj dhe me përshkrimin përkatës të punës”, theksohet në raport

Tabela krahasuese e ERRU sipas raportit vjetor. Gazeta “Si” 6 shkurt 2020

Nga tabela e mësipërme vërehet se Sektori për vitin 2019 e ka zhvilluar aktivitetin e tij duke shënuar një rritje të konsiderueshme të kostove të operimit dhe mirëmbajtjes me rreth 1.3 miliard lekë në një kohë që të ardhurat janë rritur me 584 milion lekë. Kjo ka sjell dhe një rënie në mbulimin e kostove të operimit dhe të mirëmbajtjes..
Kjo tregon se në sektor janë rritur kostot për O&M (Kosto Operative dhe Mirëmbajtjeje), ndërkohë që të ardhurat kanë mbetur në nivele pothuaj të njëjta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë