Ngjarje

Burgjet pa mjekë, në Peqin shqetësimi u ngrit që në 2019-ën

Shkaqet e vdekjes së Andon Mëhillajt në burgun e Peqinit mbeten ende për t’u zbardhur dhe po ashtu nga informacioni i bërë publik deri më tani mbetet e paqartë nëse të dënuarit me burgim të përjetshëm si “punëdhënës” i vrasësit me pagesë Julian Sinanaj i ka ardhur në ndihmë një mjek në momentin kur është gjetur pa ndjenja në qelinë e tij.

Por, mungesa e mjekëve me kohë të plotë në burgjet shqiptare është ngritur si problematikë nga institucioni Avokatit të Popullit përgjatë 2019. Avokati i Popullit ka inspektuar burgun e Peqinit në prill të vitit të kaluar.

“Konkretisht, ndër IEVP-të e inspektuara më datë 05.04.2019, është edhe IEVP Peqin. Në përfundim të këtij inspektimi, u konstatua mungesa e stafit mjekësor me kohë të plotë, pasi të 3 mjekët që kryenin këtë detyrë ishin me kontrata me kohë të pjesshme. Ata kryenin vizitat, sipas orareve të parashikuar në kontratat me institucionin, por nuk ishin prezent kur kishte shqetësime për shëndetin nga të dënuarit. Mungesa e mjekut me kohë të plotë, kishte sjellë për pasojë vonesa të përgjigjeve ndaj kërkesave për vizita mjekësore, si dhe për konsultat jashtë institucionit me mjekë specialiste në spitalin e rrethit”, thotë Avokati i Popullit.

Avokati i Popullit thotë se në përfundim të këtij inspektimi të kryer në rolin e mekanizmit kombëtar për parandalimin e torturës i ka rekomanduar burgut të Peqinit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve që të plotësojë organikën me staf mjekësor.

“Kjo problematikë i është bërë me dije IEVP Peqin si edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve duke rekomanduar: Marrjen e masave të menjëhershme për plotësimin e organikës të institucionit me 3 mjekë të përgjthshëm dhe mjek stomatolog me kohë të plotë, për t’ju përgjigjur nevojave dhe kërkesave të të dënuarve apo të paraburgosurve për vizita mjekësore dhe ofrimin e një shërbimi shëndetësor sa më cilësor”, deklaron Avokati i Popullit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë