Ana e errët

Ekskluzive/ Një i burgosur që dinte shumë! Mëhillaj: Ka grupe kriminale që komandojnë shtetin

“U vetëdorëzova se jam i pafajshëm. Të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj meje nuk janë të vërteta. Kam kryer vetëm një bisedë me Juljan Sinanaj për Sokol Veizajn (vrarë), por që më pas u tërhoqa edhe nga kjo gjë”.

Kështu deklaroi gjatë gjykimit pranë Krimeve të Rënda Andon, apo Erjon Mëhillaj, i cili në përfundim të gjykimit u shpall fajtor dhe u dënua me burg të përjetshëm. Pak vite nga mbyllja e këtij kapitulli që përfshin një sërë ngjarjesh kriminale në qytetin e Vlorës Andon Mëhillaj vdiq në burg, në rrethana që pavarësisht dyshimeve do të mbartin pas pikëpyetje që do të mbeten, sa kohë, Andon Mëhillaj konsiderohet si një nga njerëzit që kishte kontaktuar vrasës me pagesë për llogari të të tjerëve.

Mes dyshimeve se 45-vjeçari nga Vlora mund t’i ketë dhënë fund jetës, nuk përjashtohen edhe problemet shëndetësore apo edhe dhënia fund e jetës me ilaçe, por pavarësisht të gjithave, vdekja e Mëhillajt do të hyjë në historitë konspirative sa kohë pas tij ka ngjarje që mbetën pa emër.

Kushërinjtë Andon dhe Genis Mëhillaj. Gazeta Si, shkurt 2020

Hetimin e cunguar e kritikoi gjatë gjykimit edhe bashkëpuntori i drejtësisë, Julian Sinanaj që kërkoi shpesh llogari se përse nuk kishin përfshire disa emra që ai i kishte dhënë dhe për këtë shkak, edhe pse nuk u tha asnjëherë zyrtarisht, ky gjykim u zhvillua deri në fund me dyer të mbyllura.

Në dosje përmenden grupe që kryen një vrasje të bujshme në qytetin e Vlorës, që edhe pse nuk thuhet cila është (vrasja e Skerdilajd Konomit) sipas Juljan Sinanajt ishte kryer në aleancë me një grup në Tiranë për llogari të një grupi në Durrës.

Gazeta "Si" do të sjellë ekskluzivisht detaje nga kjo dosje që vazhdon të konsiderohet sekrete, pavarësisht se në të ka biznesmenë, gjoba, shpërthime me tritol, konkurrencë apo edhe emra të kërcënuarish, sikurse ish-Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, në atë kohë kandidat për deputet, Ardian Kollozi që iu vendos lëndë plasëse.

Vrasësit me pagesë përmendin në gjykatë edhe emra grupesh kriminale, që sipas tyre komandojnë shtetin, sikurse një grup kriminal i cilësuar nga Ndriçim Gjokona, si grup i fuqishëm në Durrës

Dëshmia e Juljan Sinanajt tregon për këtë episod emrin e Mëhillajt, i cili përmendet me emrin e mëparshëm si Erjon Mëhillaj, por që pas ndryshimit të emrit ai është pikërisht Andon Mëhillaj. Prokuroria thotë se ky veprim u porositi nga Andon Mëhillaj për të përhapur frikë në popullatë, por pa specifikuar arsyet konkrete se përse Kollozit iu vendos 600 gramë tritol në shtëpinë në Vlorë.

Gazeta “Si” po e risjell për lexuesit nga fashikujt e gjykatës së Krimeve të Rënda:

Juljan Sinanaj: Mbaj mend që ka qenë para zgjedhjeve të vitit 2013. Duhet të ketë qenë jo shumë larg periudhës kur do të bëheshin zgjedhjet. Me muaj dhe datë nuk më kujtohet. Mbaj mend që Erion Mëhilli më ka treguar se duhet të vendosja një sasi eksplozivi në banesën e shtetasit Ardian Kollozi. Më tregoi shtëpinë e tij në një pallat të ri i cili ndodhet afër me një banesë ku unë kisha jetuar më parë me qira dhe korrespondon kjo shtëpi me kohën ku kam jetuar kur kërkoja të vrisja Julian Metushin.

Më ka afruar për këtë veprim Erioni një shumë prej 7500 Euro. Kam pranuar dhe për mua ishte shumë e lehtë për ta bërë si veprim, pasi dhe shtëpinë ku rrija e kisha shumë afër. Shumën e sipërpërmendur e mora më parë se të vendosja eksplozivin. Pallati duhet të jetë rreth 7-8 kate. Erioni më tha se duhet ta vija në katet e sipërme të këtij pallati për të bërë zhurmë. Më ka treguar hyrjen dhe unë e mora me mënd se kujt duhet t’ia vija. Unë kam pyetur se kush banonte aty në një kafe tek pallati që do të vija eksplozivin dhe më thanë që është pallati ku banon Ardian Kollozi.

Julian Sinanaj

Sqaroj se kanë kaluar dy-tre ditë nga momenti që më është dhënë porosia dhe këtë periudhë unë e shfrytëzova për t’u orientuar sa më mirë. Kisha parë rrugët dhe nëse kishte kamera rruga nga do të kaloja. Isha siguruar që nuk kishte kamera nga rruga që do të kaloja. Në shtëpinë ku rrija përgatita tritolin, që duhet të ketë qenë një copë kallëp tritol. Fitilin ma ka dhënë Erioni dhe e kam lënë të gjatë aq sa më duhej që të largohesha deri sa të shpërthente. Dola nga shtëpia ime dhe duhet të ketë qenë në orët e para të mëngjesit. Shkova dhe gjeta derën kryesore të shkallës të hapur. E kisha përgatitur eksplozivin më parë dhe e kisha futur në një çantë letre. Dua të shtoj një fakt.

Para se të kryeja këtë veprim unë një ditë kam shkuar tek Pylli i Sodës dhe kam provuar të ndez një fitil për të matur kohën se sa më duhej të largohesha nga moment i ndezjes. Kam matur kohën që donte të digjej si fitil. Pra, siç e shpjegova dhe më sipër shkova tek hyrja ku duhet të jetë katet e sipërme. Jam ngjitur me këmbë. E vendosa në një derë me hekura e cila me sa dukej mbronte katin, ndeza dhe u nisa për në shtëpi. Kisha llogaritur që më parë gati 5 minuta nga moment i ndezjes deri sa të largohesha nga ky vend.

Ka qenë momenti kur kam dalë jashtë nga pallati ku vendosa eksplozivin në një distancë të afërt dëgjova shpërthimin. Dëgjova shpërthimin, nuk i kushtova rëndësi dhe ika në shtëpinë time siç e theksova më sipër të cilën e kisha shumë afër me këtë pallat. Kam dalë rreth orës 12:00 të drekës, kam pirë kafe dhe kam mësuar nëpërmjet mediave se nuk ishte bërë ndonjë dëm i madh.

Rrëfimi i vrasësit tjetër Ndriçim Gjokona tregon lidhjet e Erjon, apo Andon Mëhillajt edhe me policinë, madje përmendet edhe një grup tjetër i fuqishëm në Durrës, i cili ndeshet fare rrallë në media.

Siç tregojnë fashikujt, Gjokona rrëfen përplasjet me vrasësin tjetër Sinanaj, nga frika se mos e eleminonin.

Ndriçim Gjokona: Mbasi vendosa të dorëzohesha, në polici i bëj kërkesë Julianit, ishte periudha që sapo ishte grabitur qëndra tregtare nga babagjyshat, duke parë që edhe situata ishte acaruar nga puna e Albinit dhe ai më thoshte e shtyn ti të mos jetë korrekt me mua. Duke parë që nuk kisha punë tjetër, ose të largohesha, ose të dorëzohesha në polici, ose të më vriste, ose ta vrisja, zgjodha rrugën më të mirë të mundshme.

Para se të dorëzohesha në polici i kam kërkuar Julianit, mbasi filluan pretendimet, që t’i spiunon për vete, për Erionin punon, i kam thënë. Dakort, na gjej një punë dhe unë jam gati ta bëj. Më ka thënë, unë një punë e kam gati, por nuk kam besim tek ti, se ti gjithmonë një avaz ke dhe u referohej kërkesave që më kishte bërë vazhdimisht, për të bërë grabitje, kur venim deri në pikën e fundit për të grabitur dhe unë tërhiqesha, duke justifikuar që kisha frike se isha familjar dhe mund të lija familjen rrugëve. Për këtë më tha nuk kam besim tek ti por, unë punën e kam gati.

Duke qënë se në Vlorë nuk shkova dot, të dorëzohesha në polici pasi Genisi, Erioni dhe shoqëria e tyre kishin njohje në Policinë e Shtetit, duke ditur që mund të shkoja dhe në prokurori por kisha frikë, se ishin shumë të njohur në Vlorë. I kërkova Julianit të na gjejë një punë dhe kur ramë dakort, kam kërkuar të blej sa më shumë nga Juliani, informacion lidhur me personin me vendin, me objektin së do goditej, kush ishte çfarë bënte, etj. Kam arritur të blej vetëm gjëra të vogla, personi ishte “golaxhi”, dmth, njeri jo korrekt, që merr lekë e nuk ia kthen më, që kishte bërë një ndërhyrje në zemër, që jetonte në Durrës, në periferi të Durrësit.

Ai kishte edhe një lokal, mundohesha përditë të nxirrja informacionin se kush ishte personi, që kur të veja në polici të veja dhe të thosha, personi konkret që do ekzektutohej dhe për veten tonë kush ishin personat që do bëjnë ekzekutimin. Më ka thënë gjithashtu personat që kanë bërë presion janë aq të fuqishëm sa komandojnë edhe shtetin, e kishte fjalën për Hasabellinjtë e Durrësit. Kjo gjë ndoshta u bë për të më bërë mua presion që mos të terhiqesha duke e ditur që ishin nga më të rrezikshmit, unë mund të mos tërhiqesha, por më vonë doli, që nuk ishin, ata por ishte tjetërkush.

Pasi kërkoja më shumë informacion Juliani filloi të dyshonte dhe vendosa të dorëzohem në polici, me aq informacion sa kisha. Mënyra e vrasjes ishte domethënë dy variante ishin, që do bëhej e para me armë dore, tek rruga që vete për të shtëpia e përsonit që do vritej, ishte një objekt dykatësh, një pallat në punim e sipër. Objekti papambaruar dhe që nga aty do përdornim dy armët që porositëm në Shkodër, pra dy skorpjonsat që e porositëm në Shkodër. Duke qenë se rreziku, ishte i madh që mund të kapeshim nga policia, ai pra, Juliani, vendosi që ta bënim vrasjen me shpërthim të komanduar, për dy arsye, e para që nuk ishte më i sigurt, që mund të godiste objektivin dhe arsyja e dytë, të bënte presion personave, që kishin bërë porosinë që ata të ishin korrekt me lekët.

Vendosi Juliani që vrasja të bëhej me eksploziv, kur në Durrës ku banoja unë, në atë periudhë, më solli një makine tip Fiat Bravo, ngjyrë e errët, e cila do përdorej për të vendosur eksplozivin, si dhe dy bidona me benzinë, të mbushur brenda me polisterol, për të përforcuar shpërthimin e eksplozivit. Makina do të vendosej në anë të rrugës, përbri objektit në fjalë, që flisnin edhe për ta qëlluar me armë, në atë mënyrë që makina të ulte shpejtësinë, kur të kalonte dhe të kishte mundësinë të bëhej shpërthimi.

Si e njohu Juljan Sinanaj, Andon Mëhillajn?

Gazeta “Si” do të zbardhë pjesë nga dosja ditën e nesërme, duke sjellë rrëfimin me dyer të mbyllura të Juljan Sinanaj dhe cili është grupi tjetër i fuqishëm që përflitet se kishte kryer një ekzekutim të bujshëm me lëndë plasëse në qytetin e Vlorës?


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë