Evakuohet studentja e fundit shqiptare nga qyteti kinez, Wuhan ku ka shpërthyer virusi vdekjeprurës, koronavirus përmes bashkëpunimit të autoriteteve shqiptare me ato turke.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, evakuimi i studentes shqiptare, Silva Doçi është bërë në bashkëpunim me autoritetet turke, duke e bërë edhe Shqiptaren pjesë të operacionit të largimit të ndërmarrë nga autoritetet turke për shtetasit e tyre që jetonin në Wuhan.
Ministria thotë se prej ditësh e ka ndjekur me prioritet çështjen e studentes shqiptare, në kushtet e vështira kur askush nuk mund të hynte apo dilte në Wuhan, ka qenë në kontakte me palën turke, duke i paraqitur kërkesën zyrtare për të përfshirë edhe studenten shqiptare në operacionin e largimit të ndërmarrë për shtetasit turq që jetonin në Wuhan.
Studentja shqiptare, Silva Doçi, mbeti e izoluar brenda ambienteve të kampusit universitar në këtë qytet, pas masave të marra për izolimin e tij më 23 janar 2020.
Studentja ka udhëtuar me një avion turk me 45 persona të evakuuar dhe ndodhet në Ankara. Nga testet që i janë kryer ajo ka rezultuar të mos jetë prekur nga koronavirusi. Por megjithatë, ajo do të qëndrojë në karantinë për 14 ditë, që është dhe koha kur virusi shfaq shenjat, së bashku me të gjithë të evakuarit.
“Studentja shqiptare, Silva Doçi ka kryer të gjitha testet dhe ka dalë negative për virusin nCOV, por udhëtimi i gjatë në një avion me mbi 45 persona të tjerë të evakuuar nga Wuhan, e bën të detyrueshëm qëndrimin e saj në karantinë. Çdo shtetas që del nga provinca Wuhan, është i detyruar t’i nënshtrohet një regjimi mjekësor karantine 14 ditor para se të lëvizë lirshëm”, thotë ministria në njoftimin e saj.
Ndër të tjera, Ministria thotë se po ndjekë dhe do të vazhdojë të ndjekë të gjithë procedurën e evakuimit të studentes shqiptare, deri në mbërritjen e saj pranë familjes në Shqipëri.
Më herët, Ambasada shqiptare në Pekin u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që ndodheshin në Kinë që të ktheheshin në Shqipëri për t’ju larguar virusit vdekjeprurës. Sipas ambasadorit shqiptar në Pekin, Selim Belortaja, në epiqendrën ku u shfaq virusi ishin katër studentë shqiptarë. Tre nga të cilët janë kthyer, ndërsa studentja Silva Doçi mbeti e izoluar brenda ambienteve të kampusit universitar në këtë qytet.
Deri më tani nga virusi vdekjeprurës, koronavirus, ka 12000 mijë të infektuar në të gjithë botën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




