Ngjarje

Koronavirusi, kontrolle në të gjitha pikat kufitare

Koronavirusi, është kryefjala e ditëve të fundit, kudo në botë. Ky virus i ri i pa njohur më parë, me origjinë nga Kina, ka shkaktuar vdekjen e 170 njerëzve në zonën  e shpërthimit të virusit dhe ka infektuar mijëra të tjerë kudo në botë. Ministria e Shëndetësisë në vendin tonë ka bërë me dije se ne jemi një vend me risk të ulët për marrjen e virusit, ndërkohë në një intervistë për Gazetën “Si” eksperti i Institutit të Shëndetit Publik, Artan Simaku, shpjegon masat që ka marrë Shqipëria për parandalimin e një epidemie nga koronavirusi.

– Çfarë do të thotë emergjencë globale për një virus? Si përkthehet në punën tuaj të përditshme konkretisht “rritja e vigjilencës” dhe shtimi i masave për sa i përket survejancës?

Emergjencë globale do të thotë marrja  e masave të përforcuara. Normalisht ekzistojnë mbikëqyrja e survejancës e sëmundjeve infektive, në të gjithë shtetet kryen sipas disa standardeve dhe rekomandimeve të OBSH, por në këtë rast ky është një koronavirus i ri që nuk ka qarkulluar më parë si SARS-i dikur dhe ka filluar transmetimi nga njeriu tek njeriu dhe duke qenë se është virus i ri janë marrë masa të përforcuara. Masat e përforcuara janë që evidentohet kalimet e  udhëtarëve. Në punën tonë të përditshme janë përforcuar masat  në pikat e hyrjes, në porte dhe aeroport. Evidentimin e listës së udhëtarëve që pyeten nga cilat vende vijnë.

Personat që konfirmojnë se janë kthyer nga një udhëtim në Kinë; cila është procedura që ndiqni për ta?

Deri tani nuk janë evidentuar raste. Edhe në këto shtetet e tjera që kanë dhe linja direket me Kinën, janë evidentuar 2-3 raste, pra nuk është se ka pasur raste masive. Nëse kemi një rast, fillimisht do të bëhet procedura e karantinës, do të izolohet.

– A ka një protokoll për parandalimin e virusit? Cilat janë masat që keni përforcuar në aeroport, porte dhe pikat e tjera të kalimit kufitar? Sa forca të shëndetësisë janë angazhuar në dijeninë tuaj, si funksionon?

Është protokolli i OBSH që e zbatojnë të gjithë shtetet. Ne ndjekim udhëzimet e OBSH që janë të njëjtë për të gjitha shtetet. OBSH përveç se nxjerr udhëzimet mbledh të dhënat për çdo vend dhe vlerëson riskun për çdo vend. Përveç specialistëve të çdo shteti që vlerësojnë riskun e vlerëson dhe OBSH.  Vlerësimi i riskut  që ka bërë edhe ISHP dhe OBSH është shumë i ulët për vendin tonë. Fati i mirë është që nuk kemi linja direkte me Kinën.

– Çfarë ndodh për shembull me shqiptarët që kthehen nga Kina? Ku duhet të drejtohen ata?

Vendi i parë ku vijnë këta persona janë pikat kufitare dhe që në pikat kufitare bëhet evidentimi. Pyeten fillimisht qytetarët nga vijnë, pastaj bëhet dhe evidentimi i simptomave. Si në aeroportin e Rinasit ashtu edhe në spitalin infektiv ka dhoma të veçanta për izolimin e këtyre personave, nëse paraqesin shenja.  Task-forca e mbledhur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale konsiston edhe në marrjen e masave se për shembull nëse kemi raste, ku do trajtohen, ku do mjekohen, mjetet mbrojtëse të personelit, që do jetë  në kontakt me pacientin. Por që nuk ka rrezik se edhe në vende të mëdha janë shumë pak raste, përveç Kinës vendit të shpërthimit të virusit.

– ISHP ka edhe përvojën e virusit SARS në vitet 2020-2003, ku asnjë rast nuk pati në Shqipëri, megjithëse virusi u afrua në Itali dhe Rumani. Cili është protokolli apo hapat që do të ndiqen nga Instituti i Shëndetit Publik në rastin e izolimit të një epidemie të mundshme?

Masat e shtuara të këtij virusi të ri, janë të njëjta me masat që janë marrë për SARS-in. Deri tani nuk pyesnim njeri në pika kufitare “nga vjen” sepse nuk ka pasur situatë paniku, nuk  ka pasur virus të ri.  Që prej pandemisë  së 2009 nuk pyesim njeri në aeroport për shembull, sepse ka qenë situatë e zakonshme. Ndërsa tani konsistojnë këto masat e përforcuara, dhomat e veçanta, mjetet mbrojtëse, pyetja e udhëtarëve, evidentimi nëse personi ka pasur kontakt direkt me qendrën e epidemisë. Këto janë standarde në të gjithë Europën.

– Cilat janë simptomat specifike që duhet të na shqetësojnë?

Simptomat janë të njëjta si gripi, temperaturë e lartë, kollë, dhimbje muskujsh, vështirësi në frymëmarrje, por koronavirusi i ka më të ashpra se sa gripi, sepse gripi i zakonshëm stinor, varion  nga i lehtë, mesatar dhe i rëndë. Koronavirusi i ka simptomat më të ashpra dhe përkeqësimi i gjendjes  bëhet më shpejt.

– Cilat janë grupmoshat më të rrezikuara për t’u prekur nga koronavriusi? Me çfarë medikamentesh mund të trajtohen pacientët? A kemi mjekë të specializuar mjaftueshëm sa për të përballuar rastet e mundshme?

Për koronavirusin janë të gjitha grupmoshat më të rrezikuara sepse është një virus i ri, ndërsa për  gripin e zakonshëm për shembull, grupet në risk janë personat e moshës së tretë. Mënyra e mjekimit është e njëjtë si me gripin, sepse siç thamë virusi është me simptoma të njëjta si gripi. Janë edhe  medikamentet antivirale që jepen në këto raste.  Klinicistët, jo vetëm këtu në Shqipëri por edhe në të gjithë Europën kanë shumë eksperiencë, sepse kemi kaluar SARS-in në fillim, kemi kaluar  edhe pandemia e gripit 2009 e gripit AH1N1, kështu që ishte një “shkollë” shumë e madhe  për ta. ME masat e  përgatitjes nga udhëzimet e OBSH, të gjitha shtetet kanë krijuar një eksperiencë të madhe në sëmundjet respiratore.

– A është përcaktuar një buxhet nga Ministria e Shëndetësisë për të përballuar kostot ekonomike?

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, prej disa vitesh ka një buxhet dhe financon falas vaksinimin, ndaj gripit  sezonal, ndaj punonjësve të shëndetësisë fillimisht,  të grupeve në risk të popullatës më pas, gratë shtatzënë, fëmijët e vegjël, personat me sëmundje kronike të evidentuar. Përveç kësaj në kohën e pandemisë në vitin 2009 ka financuar blerjen e vaksinës dhe medikamenteve antivirale për përballimin e situatës, sepse ishte një ngjarje e paplanifikuar atëherë. Sezonin e gripit e dimë që do të ndodhë dhe jemi të përgatitur, por edhe në këto raste kemi eksperiencën që na ka mësuar për të pasur një buxhet shtesë. Kështu që Ministria e Shëndetësisë, gjithmonë ka një buxhet absolutisht. Tani nuk ka vaksinë.  Të jeni të sigurt që nëse kemi një vaksinë, Ministria e Shëndetësisë do të jetë shumë e gatshme për ta marrë. Është krijuar edhe eksperienca për të trajtuar çështjen, kështu që nuk ka vend për panik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë