Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”, për 5 të arrestuarit për pengmarrjen në Kamzë, të ndodhur më 17 janar.
Bëhet fjalë për Leonard Hajri, Olsi Turja, Elton Hajri dhe Bajram Hajri, të cilët akuzohen për “Mbajtje peng personi” dhe “Armëmbajtje pa leje”, ndërsa Festim Bixhdili, i cili u arrestua në Kavajë për “Fshehje dhe asgjësim të kufomës”.
Mësohet se gjyqtari që ka shqyrtuar kërkesën është Sokol Tona, ndërsa të arrestuarit përfaqësohen nga avokatë të zgjedhur vetë.
Avokati i një prej të arrestuarve, Elton Hajrit, Arber Hoxha, tha se të pandehurit kanë mohuar akuzat e prokurorisë. Vet Elton Hajri pohoi para togave të zeza se nuk e kishte më prej 3 vitesh në përdorim atë fugon, me të cilin mendohet se është transportuar trupi i Prengës.
Po ashtu, 5 të arrestuarit kanë deklaruar para trupës gjykuese se kompleksi “Golden” ku dyshohet se u mbajt peng Jak Prenga dhe më pas u nxjerr i vdekur që aty, nuk është hapur për shkak të dëmtimeve të pësuara nga tërmeti i 26-nëntorit. Ndër të tjera të arrestuarit kanë thënë se nuk kanë dijeni se kush mund të ketë hyrë brenda në resort dhe të ketë kryer këtë krim.
Rrëmbimi i 49-vjeçarit Jak Prenga kishte në mes pazare droge dhe ka ardhur për shkak të një sasie prej 283 kg kokainë, që vëllai i Jan Prengës, Astriti nuk e kishte çuar në destinacion.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.