Në 1 shkurt 2019, kreu i KLP Gent Ibrahimi, u pyet nga gazetarët se kush ishte përgjegjës për faktin që KLP ende nuk ka zyrat e veta. Përgjigja e Ibrahimit, “Qeveria! Është përgjegjësi e qeverisë që duhej ta kishte zgjidhur problemin e zyrave të Këshillit!”
Këtë javë, pas paraqitjes së letrave kredenciale, Ambasadorja e SHBA Yuri Kim ka filluar takimet e prezantimit. Është takuar me ministrat e jashtëm, mbrojtjes, drejtësisë, atë të brendshëm. Është takuar me kryeprokurorin Olsian Çela. Sot u takua edhe me kreun e prokurorisë së posaçme Arben Kraja. Me siguri që takimet e prezantimit, ose kortezisë siç quhen, do të vazhdojnë. Gjithçka – më se normale.
Ditën e enjte, më 30 janar 2020, Yuri Kim pati edhe një takim tjetër – me Gent Ibrahimin dhe anëtarët e KLP. Në një njoftim në mediat sociale, ambasada amerikane shprehej, “Sot, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Kim u takua me anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe i përgëzoi ata për ngritjen e bazave për themelimin e Zyrës së Prokurorisë së Posaçme dhe për përpjekjet e tyre të vazhdueshme në rekrutimin e prokurorëve të rinj. Ajo vuri theksin në angazhimin e Shteteve të Bashkuara në mbështetje të punës së tyre në qeverisjen e sistemit të prokurorisë ndërsa Shqipëria zgjeron përpjekjet e saj për të ndëshkuar korrupsionin në nivele të larta.” Mëse e pritshme, duke qenë se ambasadorja Kim e ka shprehur qartë që mbështetja e zbatimit të reformës në drejtësi do të jetë në prioritetet e saj më kryesore.
Nuk e dimë ende se ku do t’i zhvillojë ambasadorja Kim takimet e ardhshme të kortezisë. Por nga fotot e botuara nga ambasada amerikane, duket qartë që takimi me KLP nuk është bërë në zyrat e Këshillit, por në ambasadën amerikane. Saktësisht një vit pas deklaratës së Gent Ibrahimit, KLP vazhdon shëtitjet. Nuk dihet nëse buxheti i KLP, ai i miratuar në fletoren zyrtare prej 152 milionë lekë, përfshin financimin për godinën e KLP.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




