Një urdhër i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, për tërheqjen e forcave të Policisë së Shtetit nga shërbimet që kryejnë në bllokun e Ambasadave për t’u zëvendësuar me polici private duket se ka prishur qetësinë e diplomatëve të huaj. Një burim i sigurt i tha Gazetës “Si” se urdhri që ka dalë në datën 2 janar 2020, kërkon zëvendësimin e policisë në portat hyrëse të bllokut të ambasadave me polici private dhe konkretisht me policë të shoqërisë tregtare “Illyrian Guard”. Por siç mësohet më tej ekskluzivisht për Gazetën “Si” duket se ambasada britanike dhe një ambasadë tjetër nuk kanë rënë ende dakord me këtë sugjerim të policisë shqiptare, dhe madje ato kanë kërkuar përforcime pranë hyrjes së ambasadave të tyre.
Gazeta “Si” vëzhgoi patrullat e policisë të vendosura në bllokun e ambasadave dhe konstatoi prezencë të shtuar të forcave të policisë, madje edhe me jelekë antiplumb edhe në hyrje të Ambasadës Britanike.
Por, policia e kontaktuar nga Gazeta “Si” deklaroi se masat e shtuara në bllokun e ambasadave kanë lidhje me gatishmërinë e shtuar të policisë pas vrasjes së gjeneralit iranian në fillim të 2020-s. Megjithatë, konflikti konfirmohet nga burime jozyrtare të policisë, të cilat shtuan se patrullat e shtuara në bllokun e ambasadave do të vijojnë të tilla derisa të kalojë faza tranzitore dhe deri sa Policia e Shtetit të zëvendësohet me “Illyrian Guard”.
Çfarë është “Illyrian Guard”?
Shoqëria tregtare “Illyrian Guard” u krijua në prill të 2019 dhe ofron shërbime me pagesë për ruajtjen e institucioneve. Është 100 për qind nën varësi të Ministrisë së Brendshme dhe siç çdo institucion që do prezencën e kësaj policie, duhet së pari të dorëzojë një kërkesë. Siç është deklaruar gati një vit më parë efektivët e “lllyrian Guard” do jenë ish-policë apo policë mbi 55 vjeç që konsiderohen jo aq me rendiment sa një efektiv në moshë të re dhe ndoshta ky është shkaku që i ka detyruar diplomatët që të humbasin diplomacinë e tyre dhe mos të dorëzojnë kërkesë për “Illyrian Guard”. Deri tani bëjnë me dije burimet e gazetës “Si”, në bllokun e ambasadave vazhdojnë shërbimet e përforcuara të Policisë së Shtetit, pasi të huaj të kuadër edhe gatishmërisë antiterror kanë më tepër besim tek Policia e Shtetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


















