Të gjithë bashkë për reformën, synohet të miratohet brenda dy muajve
Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim i kanë vënë vetes si afat fundor 15 marsin për miratimin e reformës zgjedhore. Ky është produkti i takimit mes Damian Gjiknurit e Rudina Hajdarit, si bashkëdrejtues të Komisionit Parlamentar për Reformës Zgjedhore me Oerd Bylykbashin dhe Petrit Vasilin, të mandatuar nga opozita jashtëparlamentare për diskutuar për këtë çështje. Reforma do të jetë jashtëparlamentare me asistencën e OSBE/ODIHR dhe sipas marrëveshjes së arritur, socialistët zotohen që të mos ndryshojnë draftin e dakordësuar me opozitën jashtëparlamentare në momentin e votimit në Parlament.
Qeveria kampione në digjitalizim, por KLSH e ngel në siguri
Qeveria e ka cilësuar 2020 si vitin e “revolucionit digjital” të shërbimeve publike, duke deklaruar se janë rreth 470 aplikime të reja që ofrohen përmes platformës e-Albania. Gama e shërbimeve që ofrohen janë nga më formalet e të thjeshta, e deri tek dokumentacionet më të komplikuara me vulën digjitale. Por, kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër është shqetësimi i vazhdueshëm mbi sigurinë e infrastrukturës së shërbimeve online që po ofrohet. Këtë shqetësim e ka ngritur edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit pas auditimit të kryer në gjysmën e parë të 2018 në një sektor delikat të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. KLSH auditoi Njësinë e Teknologjisë së Informacionit të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit të atashuar pranë Ministrisë së Financave. Grupi auditues, sipas raportit të KLSH-së, ka verifikuar disa problematika serioze. KLSH thotë se teknologjia e informacionit zhvillohet pa një plan strategjik, pa pasqyrim të qartë të objektivave të Ministrisë së Financave lidhur me sigurinë institucionale dhe të infrastrukturës së teknologjisë së informacionit, me mungesë objektivash strategjikë për burimet njerëzore të strukturës së teknologjisë së informacionit dhe në kundërshtim me strategjinë kombëtare të zhvillimit të digjitalizimit.
Shahini: Rektori Koni vazhdon të bëjë shkelje, më 8 maj zgjedhjet e reja
Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, në një dalje për mediat ka deklaruar se rektori Mynyr Koni vazhdon të kryejë shkelje dhe të shkaktojë probleme.
Në çështjen e rektorit Koni, ministrja nuk lë pa përmendur edhe presidentin Meta, i cili rrëzoi kërkesën e kësaj të fundit për të mos shkarkuar Mynyr Konin.
Sipas Shahinit, Meta vazhdon të ndjekë politikën e tij të zakonshme, duke refuzuar propozimet e qeverisë.
Shahini tha se më 8 maj, universitet publike do të zgjedhin drejtuesit e rinj dhe theksoi se fushata do të nisë sipas rregullores një muaj përpara.
Shqipëria po boshatiset, OKB: Në 2100, popullsia sa gjysma e Tiranës sot
Shqipëria rrezikon që të katandiset në një vend që do të strehojë një grusht banorësh në fund të këtij shekulli. Organizata e Kombeve të Bashkuara ka publikuar parashikimet për ndryshimet demografike globale. Në raportin e Divizionit të Popullsisë së OKB-së bëhet parashikimi duke analizuar raportin lindshmëri-vdekje dhe emigracionin dhe në bazë të këtyre të dhënave ndërtohen projeksionet për tre skenarë. Asnjëri prej skenarëve nuk është pozitiv për Shqipërinë. Në variantin më të mirë, sipas OKB-së, Shqipëria në 2100 do të ketë rreth 1.8 milionë banorë. Në skenarin e mesëm, numri i banorëve që do të popullojnë Shqipërinë përllogaritet në rreth 1.1 milionë banorë dhe në skenarin më negativ në vetëm 514 mijë banorë, ose sa gjysma e banorëve të Tiranës sot.
Meta, thirrje për dialog: Shpopullimi, “rreziku i vërtetë rus” që i kanoset vendit
Pas projeksionit të fundit të OKB-së, që flet për një ulje të ndjeshme të numrit të popullsisë, vjen edhe reagimi i presidentit Ilir Meta.
Kreu i shtetit shprehet i shqetësuar për rrezikun që po i kanoset vendit nga shpopullimi.
“Stop shpopullimit të Shqipërisë! Ky është “rreziku i vërtetë rus” që i kanoset vendit”, shkruan Meta në një postim në “Facebook”. Ai përsërit edhe njëherë thirrjen për dialog ndaj klasës politike.
Prokuroria i kërkon gjurmët e gishtave kryebashkiakut të Mallakastrës
Sektori i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka nisur verifikimin për gjurmët e gishtave të kreut të Bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismailaj. Mësohet se organi i akuzës i ka drejtuar një kërkesë kryebashkiakut, ndërsa gjurmët e gishtave fillimisht do t’i merren nga ADISA. Ishte Partia Demokratike ajo që publikoi dokumentin e dënimit të kryebashkiakut Qerim Ismailaj në Greqi. Sipas sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi, Ismailaj rezulton i dënuar me 3 vjet burgim nga Gjykata e Kios, më datë 25 Shkurt 2000.
Socialistët publikojnë kontratën me firmën e Bashës në SHBA
Vendimi i Gjykatës së Tiranës për të pushuar çështjen penale ndaj kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, si dhe ndaj dy ish-zyrtarëve të kësaj partie sa i përket fondeve të paguara në SHBA ndaj një kompanie lobuese vijon të shkaktojë reagime të forta brenda radhëve të PS-së. Socialistët nuk pajtohen me vendimin ne Gjykatës dhe për këtë ata po nxjerrin si provë kontratën e firmosur nga Basha me firmën lobuese Muniz Capitol. Ndërsa zv.kryeministri Erjon Braçe ironizon vendimin e Gjykatës dhe qëndrimet e PD-së, duke theksuar se provat ekzistojnë.
Oferta e fundit e Kurtit për LDK, shton numrin e ministrive: Merrni 6, plus Presidentin!
Në përpjekje për të arritur sa më parë një marrëveshje për formimin e qeverisë, Albin Kurti i ka propozuar një ofertë të re Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje i ka dërguar Isa Mustafës në orët e vona të së martës propozimin për arritjen e marrëveshjes. Ai propozon rritjen e numrit të ministrive nga 12 në 14, duke i dhënë LDK-së gjashtë ministri, Vetëvendosjes pesë dhe minoriteteve tre.
Edhe pse ka rritur numrin e ministrive, Kurti duket se nuk është tërhequr nga posti i Kryetarit të Kuvendit, i cili edhe sipas skemës së re i takon LDK-së.
Barcelona emëron trajnerin e ri, Kike Setien zëvendëson Ernesto Valverden
Klubi i Barcelonës ka zyrtarizuar mbrëmë vonë në darkë shkarkimin e trajnerit Ernesto Valverde. Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi përmes një postimi në rrjetet sociale. 55-vjeçari u emërua në krye të ekipit katalanas në majin e vitit 2017, duke fituar dy tituj kampionë, Kupën e Mbretit dhe një Superkupë Spanje.
Tekniku i ri i skuadrës së Barcelonës për dy vitet e ardhshme do jetë Quique Setién. Ish-tekniku i Betis do firmosë në ditët në vijim kontratën dyvjeçare me opsion rinovimi edhe për një sezon të tretë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.