Podcast

Audio-Lajme 10 janar 2020

Ekskluzive / Jo vetëm ndërtimet pa leje, policët “mbyllën sytë” edhe për përdhunimet

Jo vetëm ndërtimet pa leje, vjedhjet e grabitjet, por në një rast as përdhunimi nuk bën pjesë tek veprat penale me të cilat duhet të harxhonin kohën e tyre punonjësit e policisë së Durrësit, të arrestuar gjatë aksionit të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat mbrëmjen e së enjtes. Gazeta “Si” ka siguruar ekskluzivisht dosjen e Prokurorisë, ku në një rast dyshohet se një oficer i Policisë Gjyqësore në Manzë, që në dosje përmendet vetëm me shkronjën, E., jo vetëm që nuk ka arrestuar një shtetas të denoncuar për përdhunim, por mendohet edhe se ka dëmtuar provat duke bërë që në fund Prokuroria të dështojë të provojë akuzën e ngritur ndaj tij. Ekskluziven e plotë mund ta lexoni në “gazetasi.al”

Konferenca e donatorëve mbahet në Ditën e Pavarësisë së Kosovës

Konferenca e Donatorëve, ku do të përfshihet në organizimin e saj edhe Bashkimi Europian, Presidenca kroate e tij dhe Komisioni Europian do të zhvillohet më 17 shkurt në Bruksel. Data është bërë publike nga Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviç. Deklarata e Presidentes së Komisionit u përforcua më vonë nga një postim në rrjetet sociale i kreut të zyrës së BE-së në Tiranë, Luigi Soreca. Ndërkohë, po gjatë kësaj të premteje, ministri turk i Mjedisit dhe Urbanizimit, Murat Kurum deklaroi se 500 banesat e premtuara nga Turqia pritet që të jenë gati brenda 6-muajve.

PD paralajmëron rikthimin tek protestat

A do t’u rikthehet Partia Demokratike dhe aleatët e saj protestave për të kërkuar largimin e Edi Ramës? Kjo është pyetja që po i adresohet gjithnjë e më shumë zyrtarëve të opozitës dhe ai që paralajmëroi se protestat nuk do të jenë larg është Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve, Gazment Bardhi. “Çdo mjet demokratik që sjell largimin e kësaj qeverie, përfshirë protestat popullore është mundësi reale për ditët në vijim. Nuk ka një datë konkrete për protestë. Kur të ketë një datë konkrete, ne do ta bëjmë publike", deklaroi Bardhi.

PD nxjerr dokumentin e dënimit të kryebashkiakut Ismailaj

Partia Demokratike ka publikuar sot dokumentin e dënimit të kryebashkiakut Qerim Ismailaj në Greqi. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi në një konferencë për shtyp u shpreh se Ismailaj rezulton i dënuar me 3 vjet burgim nga Gjykata e Kios, më datë 25 Shkurt 2000.

Sipas ligjit të dekriminalizimit, Bardhi theksoi se Qerim Ismailaj nuk mund të ushtrojë asnjë funksion publik, aq më pak të jetë kandidat për Kryetar Bashkie. Ai është subjekt ndalimi sipas ligjit dhe duhet menjëherë të procedohet penalisht për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit.

Vrau kunatën në Paskuqan, arrestohet autori

Policia e Tiranës në kohë rekord ka vënë në pranga autorin e vrasjes pas krimit të rëndë në Paskuqan, Erdet Çapoku.

Mësohet se 34-vjeçari është arrestuar te Kupola në zonën e Laprakës në kryeqytet. Çapoku tashmë ndodhet i shoqëruar në Polici, për veprime të mëtejshme.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmë rreth orës 23:40 në Paskuqan.

Eredet Çapoku ka goditur për vdekje me një mjet të fortë (shkop druri) kunatën e tij, Enkeleda Çapoku, 30 vjeç.

Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka shpallur në kërkim 34-vjeçarin, i cili pas ngjarjes është larguar nga banesa.

Thaçi, ultimatum Kurtit për mandatin e kryeministrit: Merre ose lëre!

Presidenti Hashim Thaçi, sot ia ka dërguar edhe një letër kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ku ka theksuar se është në pritje të përgjigjes së tij, siç kishte premtuar në takimin e tyre konsultativ, por se ende nuk e ka pranuar propozimin e tij. Thaçi, i kërkon kreut të VV-së të vendosë së më parë nëse do ta marrë apo jo mandatin për kryeministër.

Në letrën e tij Thaçi i ka kërkuar Kurtit që ta njoftojë, në mënyrë që të mos humbet më kohë dhe të vazhdohet me mandatimin e dikujt tjetër.

Thaçi ka thënë se qytetarët e Republikës së Kosovës me të drejtë e presin funksionalizimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe presin nga ai si President të dekretoj kandidatin/en e propozuar për Kryeministër.

Trump kërkon që Lindja e Mesme të futet në NATO

Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë një deklaratë të papritur të enjten, duke kërkuar anëtarësimin e vendeve të Lindjes së Mesme në NATO. Duke folur për tensionet në rajon, Trump tha se ai mbështet zgjerimin e NATO-s, për të përfshirë aty vende të Lindjes së Mesme.

“Unë mendoj se NATO-ja duhet të zgjerohet dhe ne duhet të përfshijmë Lindjen e Mesme, absolutisht” u tha Presidenti Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. Ai dukej se po i referohej Izraelit si vendit të parë që mund të bëhej pjesë e Aleancës Veri-Atlantike, i cili është edhe aleati më i besuar i SHBA-së në Lindjes në Mesme.

Presidenti tha me shaka se organizata mund të quhet NATO-ME, ose NATO plus Lindja e Mesme. Ai tha se ia hodhi si mundësi këtë emër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në një telefonatë të mërkurën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë