Podcast

Audio-Lajme shkurt 6 janar 2020

Moti i acartë, "Shmangni daljet në mëngjes e darkë vonë"

Në kushtet e temperaturave të ulëta në vend, Instituti i Shëndetit Publik i ka kërkuar popullatës që të bëjë kujdes për t’u mbrojtur nga acari. Me anë të një njoftimi në rrjetet sociale, ISHP thotë se duhet të shmanget qëndrimi jashtë në këto ditë të ftohta, sidomos në mëngjes dhe darkë vonë. Sa i përket ushqimit në këto ditë, ISHP thekson se duhet të konsumohen ushqime të ngrohta dhe sa më shumë lëngje.  

Dita e Ujit të Bekuar, besimtarët ortodoksë sfidojnë temperaturat e ulëta

Sot në të gjithë Shqipërinë është festuar Dita e Ujit të Bekuar, e cila përkujtohet çdo vit më 6 janar. Ceremonitë e ditës së Ujit të Bekuar janë zhvilluar në të gjitha kishat ortodokse të vendit.

Besimtarët ortodoksë kanë sfiduar temperaturat e ulëta dhe dëborën për të kryer ritualet, pasi për ta pagëzimi i shpëtimtarit është një ditë e shënuar.

Në Korçë ceremonitë janë zhvilluar në katedralen “Ringjallja e Krishtit”, ku i pranishëm ka qenë edhe presidenti Ilir Meta. Ceremonia u drejtua nga Mitropoliti i Korçës, Johan Pelushi.

Ndërkohë, në një nga shëtitoret e Korçës është bërë ceremonia e hedhjes së kryqit në ujë.

Në ceremoninë e ujit të bekuar kanë qenë të shumtë besimtarët e pranishëm, të cilët kanë ndezur qirinj në ambientet e katedrales në Korçë.

Në Durrës besimtarët kanë bërë pagëzimin e Jezu Krishtit në lumin Jordan dhe fillimin e misionit të tij shpëtimtar. Kryqi është hedhur në ujërat e portit dhe u kap nga i riu Alban Gjonmarkaj. Ceremoni të ngjashme janë zhvilluar edhe në Gjirokastër. Ndërsa, në Berat kryqi është hedhur në ujërat e lumit Osum dhe është kapur nga Xhoxhi Naço.

Antishpifja, presidenti Meta ka afat deri më 12 janar për dekretin

Viti 2020 do të nisë me një përplasje të re mes mazhorancës dhe Presidentit. Paketa Antishpifje e miratuar nga mazhoranca e majtë më 18 dhjetor të 2019 pret vendimin e kreut të shtetit nëse do ta dekretojë apo do ta kthejë për rishqyrtim. Sipas burimeve të Gazeta "Si" mësohet se presidenti duhet të shprehet deri më 12 janar për nismat e mazhorancës tejet e konstestuara. Dy ndërhyrjet në ligjet për AKEP dhe AMA që prekin rregullimet e kontrollin e medias online u miratuan në seancën e fundit parlmaentare, me një shumicë votash, ku opozita ishte përçarë dhe se më shumë se 13 deputetë bashkuan votat me socialistët. Kjo nismë pati të vetmen votë abstenuese nga radhët e socialistëve atë ish-ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati.

Post Viti i Ri, radhë pensionistësh nëpër posta

Dita e parë e punës për këtë vit në disa degë të Postës Shqiptare u vunë re radhë të gjatë të moshuarish, që u paraqitën në sportele për të tërhequr pensionin, apo shpërblimin prej 30 mijë lekësh të vjetra të Vitit të Ri. Radhë të gjata pati në postën pranë ish-Stadiumit Dinamo në kryeqytet, ku pati pensionistë që pritën për orë në radhë për të tërhequr paratë. Mes tyre kishte nga ata që nuk kishin tërhequr pensionin e muajit dhjetor, ndërsa të tjerë që kishin marrë pensionin, por jo shpërblimin prej 30 mijë lekësh që qeveria u akordoi me rastin e festave.

Kurti shpall gjysmën e qeverisë në Facebook, Mustafa nuk e takoi

Albin Kurti ka bërë publike sot emrat e qeverisë së tij i vetëm, pa LDK-në. Para takimit me presidentin e vendit, Hashim Thaçin, kreu i Vetëvendosjes i ka kërkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës të arrijnë sa më shpejt një marrëveshje.

Nëpërmjet një dalje në rrjetet sociale, Kurti ka bërë publike edhe propozimet për ministra, duke i kërkuar kreut të LDK-së, Isa Mustafa që edhe ai të propozojë pesë emra.

Ai e ka pranuar se shkonte në takim me presidentin Thaçin pa pasur marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke e përdorur video-mesazhin e publikuar në rrjetet sociale si një ftesë për LDK-në.

Kreu i VV ka thënë se nuk ka kohë për të humbur dhe i bërti thirrje LDK-së që të propozojë emrat e ministrive.

Miqësorja e bamirësisë, polemika për listën e legjendave kuqezi

Më 10 janar, në “Air Albania Stadium” do të luhet një ndeshje bamirësie mes ish-lojtarëve të Kombëtares së Shqipërisë dhe një seleksioni ish-lojtarësh të njohur nga Italia, Greqia dhe Turqia, ku veçohen Xhanluka Xambrota, Simone Perrota, Jorgos Karagunis dhe Hasan Shash. Të ardhurat që do të grumbullohen nga shitja e biletave do të shkojnë për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Një nismë e kryetarit të Sindikatës së Futbollistëve në Shqipëri, Andi Lila, në bashkëpunim me FSHF-në. “Luajmë dhe rindërtojmë së bashku”, - është motoja e kësaj ndeshjeje. Një nismë për t’u përshëndetur, por edhe pse është një ndeshje bamirësie, sërish ka polemika. Në listën e legjendave të Kombëtares bie në sy mungesa e disa emrave të spikatur si ish-kapiteni Rudi Vata, Bledar Kola, Altin Haxhi, Ervin Skela, Geri Çipi, Arjan Xhumba, Elvin Beqiri e ndonjë tjetër. Pikërisht ish-kapiteni Rudi Vata e ka quajtur një “listë qokash”. Ai thotë se as që është kontaktuar dhe e shpreh hapur pakënaqësinë për faktin që mungojnë emra të tjerë të njohur të Kombëtares.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë