Paraditen e së hënës qarkulloi në media lajmi i bujshëm se Prokuroria e Posaçme kishte mbyllur hetimet mbi tre gjyqtarët që i njohën Dritan Dajtit gjykimin e shkurtuar, duke mos e çuar në gjykatë me argumentin se nuk kishte prova të mjaftueshme që të provonin se vendimi i tyre përbënte vepër penale.
Në fakt, kërkesa për pushimin e çështjes kishte mbërritur sëbashku me dosjen e dorëzuar nga ish-Prokuroria për Krimet e Rënda, që u shkri më 19 dhjetor 2019, për t’i lënë vendin Strukturës së Posaçme Antikorrupsion.
Por, gjykata e refuzoi kërkesën dhe vendosi këtë të hënë rikthimin e çështjes për hetim, këtë herë tek SPAK, ndaj tre gjyqtarëve Petrit Aliaj, Aleks Nikolli dhe Skënder Damini. Ata akuzohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Tre gjyqtarët ishin pjesë e trupës prej pesë gjyqtarësh, që në shkurt të 2019-ës vendosën në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda që t’i njohin Dritan Dajtit të drejtën e gjykimit të shkurtuar, pavarësisht se ky i fundit kishte vrarë katër efektivë policie në vitin 2009.
Njohja e kësaj të drejte i ulte automatikisht dënimin me një të tretën, por në rastin e Dritan Dajtit, që nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ishte dënuar me burgim të përjetshëm, ja konvertonte dënimin me 25 vite burg.
Dritan Dajti prej vitit 2009 qëndron në paraburgim, ndërsa seancat në ngarkim të tij janë zvarritur vazhdimisht. Ai ka kaluar 10 vite në qeli që prej arrestimit nga policia për vrasjen e katër efektivëve specialë të cilët shkuan për ta arrestuar, Dritan Dajtit i mbetet të kalojë pas hekurave edhe rreth 7 vite burg, duke llogaritur kohën e paraburgimit, që vlerësohet me 1.5 ditë burg.
Tre gjyqtarët në fjalë ishin thirrur nga gjykatat e apelit të rretheve për të shqyrtuar dosjen e Dritan Dajtit, pasi të gjithë gjyqtarët e Krimeve të Rënda e kishin kaluar nëpër duar këtë dosje. Skënder Damini dhe Petrit Aliaj u thirrën nga Gjykata e Apelit e Vlorës, ndërsa Aleks Nikolli nga Gjykata e Apelit e Shkodrës.
Efektivët e policisë, Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Sajmir Duçkollari gjetën vdekjen pas përplasjes me armë mes tyre dhe të shumëkërkuarit nga drejtësia në atë kohë. Dajti ndodhej në një makinë tip Tuareg i shoqëruar nga dy persona të tjerë. Nga shkëmbimi i zjarrit me policinë, nga grupi i Dajtit vritet Ledion Mara, ndërkohë që vetë Dritan Dajti mbeti i plagosur.
Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Sajmir Duçkollari gjetën vdekjen pas përplasjes me armë mes tyre dhe të shumëkërkuarit nga drejtësia në atë kohë. Dajti ndodhej në një makinë tip Tuareg i shoqëruar nga dy persona të tjerë. Nga shkëmbimi i zjarrit me policinë, nga grupi i Dajtit vritet Ledion Mara, ndërkohë që vetë Dritan Dajti mbeti i plagosur dhe pa fishekë. Përforcimet e mbërritura e neutralizuan autorin, që në momentin e parë u vetëidentifikua si Dritan Dajti, ndërsa me vete mbante edhe tre dokumente të Policisë së Shtetit dhe një radiomarrëse të uniformave blu.
Nga viti 2003 deri më 2009 emri i Dritan Dajtit ishte thjesht një nga më shqetësuesit për drejtësinë, por sidoqoftë askush nuk ia doli mbanë ta zbulonte vendstrehimin e tij. Aq më tepër që përflitej se i kërkuari, ishte i një kalibri krejt tjetër, ai mbahej si inteligjent, ishte diplomuar si jurist, kishte pasion armët dhe ishte një qitës i mirë. Por arma më e fortë e tij, ishte policia për aq sa zërat jo zyrtarë thonë se Dritan Dajti kishte mbështetjen e disa segmenteve në polici, të cilat jo vetëm i përçonin informacion në kohë rekord, por edhe e mbështesnin.
Kjo mburojë e tij, e njërit prej njerëzve më të fuqishëm të krimit në vend zgjati deri në gusht 2009, një ditë në të cilën fusha e aksionit do të kthehej në një masakër, katër policë të vrarë nga njëra anë dhe njëri nga mbështetësit e Dajtit në anën tjetër. Atë ditë mbetën të plagosur edhe Fatjon Shamku dhe vetë Dritan Dajti dhe për ta vulosur informacionin se Dajti kishte mbështetje policore, atij iu gjetën me vete radiomarrëse policie dhe dokumente policore.
7 gusht 2009
Pas shumë dështimeve për kapjen e Dajtit, policia mori informacion se ai po kalonte pushimet e verës në Durrës në një apartament pranë lagjes 13. 12 oficerë të policisë speciale, të veshur civilë u nisën urgjent drejt Durrësit. Mes tyre edhe katër policët që më pas u vranë; Fatos Xhani, Kastriot Feskaj, Sajmir Duçkollari dhe Altin Dizdari. Shumica të veshur civilë, ngjashëm si për plazh, në mënyrë që mos të diktoheshin, përcjellin informacionin në kufje se mjeti, ku dyshohej se Dritan Dajti ishte si pasagjer, konstatohet në lëvizje.
Në timon kunati i Dajtit, Erges Xhoxhi, në vend të parë Ledjon Mara, ndërsa në sediljen e pasme, oficerët janë të bindur se gjendet i shumë kërkuari i drejtësisë. Oficerët vazhdojnë ndjekjen pa rënë në sy, me motorë dhe madje edhe me agjente femra. Pas pesë minutave në qarkullim, makina ndalon në afërsi të një kryqëzimi në lagjen “Iliria”. Efektivët civilë i janë afruar Tuaregut ku gjendej Dajti, me tre makina civile dhe një motor. I pari që vritet është efektivi Fatos Xhani, i cili u qëllua për vdekje sapo hapi derën e parë të shoferit dhe thërret ndal policia.
I njëjti njeri që qëlloi me dy armë Sajmir Duçkollarin. Të gjendur në befasi nga vatra e zjarrit dhe tek shikojnë shokët e tyre që rrëzohen të gjakosur në tokë, dy policë të tjerë përpiqen të neutralizojnë njërin prej tyre që përpiqet të largohet. Në këtë çast Dritan Dajti del nga dera e pasme e makinës dhe qëllon edhe një tjetër, policin Altin Dizdari dhe gjatë këtyre të shtënave vritet edhe Ledion Mara, që sapo kishte zbritur nga makina ku ndodhej Dajti.
I katërti që vritet është Kastriot Feskaj. Ai qëllohet pas shpine teksa po përpiqej të neutralizonte të riun që po përpiqej të largohej dhe që siç rezultoi më pas ishte kunati i Dritan Dajtit. Dritan Dajti qëlloi gjithashtu edhe në drejtim të policit tjetër, i cili shpëtoi mrekullisht dhe pastaj nuk kishte më fishekë. Ai u kap i plagosur dhe u vetidentifikua si Dritan Dajti. Ai kishte me vete 3 dokumente policie.
Kush e ndihmoi Dajtin?
Bashkë me të u arrestua edhe Erges Xhoxhi, i cili dyshohet si ndihmësi kryesor i Dajtit. Për të konfirmuar këtë thuhet se gjatë kqyrjes së telefonit ju gjetën kontakte dhe komunikime me disa punonjës policie, njëri prej të cilëve u arrestua. U zbulua se polici i kishte siguruar kunatit të të arratisurit një uniformë policie, të cilën Dritan Dajti e ka veshur dhe ka shkrepur foto duke realizuar disa dokumente policie. Në këto fotografi Dritan Dajti pozon me gradën nën komisar dhe me “detyrën” specialist kundër krimeve ndaj pronës, sipas detyrës që bashkëpunëtori i tij mbante në drejtorinë e Korçës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.