Parlamenti i drejtohet sërish të Venecias për shkeljet e Presidentit
Parlamenti do t’i drejtohet sërish komisionit të Venecias për të marrë ekspertizën ndërkombëtare nëse presidenti Ilir Meta ka shkelur ose jo Kushtetutën me dekretimin e Marsida Xhaferllarrit si anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Kjo është vendosur në mbledhjen e sotme të komisionit hetimor parlamentar për shkarkimin e presidentit, ku pjesë e hetimit do të jetë veç anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit, edhe çështja e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Pas këtij vendimi, kryetari i Parlamentit, Gramoz Ruçi pritet t’i drejtohet Venecias për ekspertizë me pesë pyetje, ndërsa vendimi për shkarkimin e presidentit është shtyrë me katër muaj.
Ligji Antishpifje, presidenti deklaron se do ta shqyrtojë me vëmendje
Presidenti Ilir Meta shprehet se do ta shqyrtojë me vëmendje paketën Antishpifje të miratuar nga Parlamenti, përpara se të marrë një vendim për ta dekretuar apo për ta kthyer sërish për rishqyrtim. Në një deklaratë për mediat, kreu i shtetit theksoi se do të shqyrtonte të gjitha aktet ligjore për miratimin e kësaj paketa. Meta në deklaratë për median theksoi se do të jetë përherë në mbrojtje të Kushtetutës dhe bëri thirrje që në këtë situatë të krijuar nga tërmeti i 26 nëntorit, politika shqiptare të kishte një reflektim të thellë dhe vendime të gjithëpranuara.
SPAK nis punën, Kraja: Do të jemi një skuadër e fortë
Prokuroria e Posaçme SPAK ka nisur sot punën, ku është prezantuar drejtuesi, prokurori Arben Kraja, i cili u zgjodh me 6 vota nga KLP. Përpara anëtarëve të SPAK, prokurori Kraja u zotua se ky institucion do të ketë një skuadër të fortë, e cila do e drejtojë me kompetencë.
I pranishëm në prezantim ishte edhe kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi, i cili theksoi se SPAK do të bëjë një punë intensive në vitin që po vjen. Në prezantim po ashtu kanë qenë edhe kryeprokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela si dhe prokurorja Donika Prela.
Ahmetaj betohet te Meta si ministër i Rindërtimit
Është betuar sot përpara Presidentit ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës, ministri i Shtetit për Rindërtimin, duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, u betua se do të zbatojë me përpikëri Kushtetutën dhe ligjet, si dhe do të kryejë me përgjegjësi detyrën.
Ndërkohë, presidenti Meta, duke i dorëzuar dekretin, i ka uruar ministrit të Rindërtimit suksese në këtë detyrë shumë të rëndësishme.
Korçë, arrestohet autori i vrasjes së pronarit të lokalit
Policia ka arrestuar autorin e dyshuar të vrasjes së 48-vjeçarit Flamur Duçi në fshatin Mborje të Korçës.
Policia ka ndaluar 18-vjeçarin me Denis Hoti, banues në fshatin Mborje, i dënuar më parë për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë, bazuar në hetimet e kryera në lidhje me ngjarjen e mësipërme, ka urdhëruar ndalimin e këtij shtetasi, pasi dyshohet se ka konsumuar elementë të veprës penale “Vrasja me dashje”.
Pronari i lokalit të fshatit, Flamur Duçi, u gjet i pajetë mëngjesin e së enjtes. Kanë qenë banorët e fshatit ata që e kanë gjetur dhe kanë lajmëruar policinë.
Me armë pa leje dhe i akuzuar për mashtrim, në pranga presidenti i Turbinës
Gentian Gjoka, presidenti i skuadrës së futbollit të Turbinës, është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi është kapur me armë pa leje. Tani presidenti i skuadrës cërrikase rrezikon nga 7 deri në 15 vjet burg, për akuzën e armëmbajtjes pa leje.
Sipas Policisë së Tiranës, Gjoka ishte shpallur në kërkim nga Policia e Vlorës për akuzën e mashtrimit. Ai banon në Tiranë dhe Policia, pas informacioneve të marra se Gjoka qarkullonte me armë zjarri, ishte vënë në ndjekje. Arrestimi i Gjokës është bërë në rrugën “Medar Shtylla” në Tiranë. Në banesën e presidentit të Turbinës Policia ka gjetur një armë zjarri të tipit pistoletë dhe një krehër me fishekë. Nuk është hera e parë që drejtues të skuadrave të futbollit përfundojnë në pranga. Ka ndodhur shpesh më parë që drejtues të sportit në vendin tonë të kenë probleme me drejtësinë dhe Gjoka është rasti i fundit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.