Podcast

Audio-Lajme shkurt 19 dhjetor 2019

Prokurori Arben Kraja zgjidhet kreu i SPAK
Prokurori Arben Kraja është zgjedhur drejtuesi i Përkohshëm i SPAK, me 6 vota pro.
Në garë ishin tre kandidatë Arben Kraja, Edvin Kondili dhe Altin Dumani. Prokurori Kraja është zgjedhur me 6 vota pro; Prokurori Altin Dumani mori 4 vota, ndërsa prokurori Edvin Kondili mori vetëm një votë, atë të kreut të KLP-së, Gent Ibrahimi.
Po ashtu, sot u betuan te presidenti Meta edhe 8 prokurorët e SPAK.

Raporti i sizmologëve grekë: Përse pati kaq shumë dëme nga tërmeti
Një raport i hartuar së fundmi nga disa sizmologë grekë, ka zbuluar detaje të mëtejshme për tërmetit tragjik të 26 nëntorit. Ky raport, i siguruar nga Gazeta Si, u financua nga Departamenti i Gjeologjisë së Universitetit Kapodistrian të Athinës.
Katër sizmologët grekë Efthymis Lekkasm, Spyridon Mavroulis, Dimitri Papa dhe Panayotis Carydis kanë arritur përfundimin se:
“Ndërtesat e pa përforcuara të cilat mbanin ngarkesa të paplanifikuara, si katet shtesë, pësuan më shumë dëme nga tërmeti për shkak të zbatimit të rregullave të vjetra të ndërtimit, cilësisë së dobët të ndërtimeve, mjeshtërisë së dobët, ndërhyrjeve të bëra nga njerëzit, mungesës së mirëmbajtjes dhe riparimit jo adekuat pas tërmeteve të kaluara, si ai shtatorit.
Një alarm nga ekspertët grekë jepet edhe për ndërtesat parabrikat në Shqipëri, ndërtesa në të cilat janë vërejtur dëmtime jo-strukturore, rënie të suvasë, shkëputje të mureve dhe ndarje të ndërtesave të ngjitura apo çarje të mureve të jashtëm dhe të brendshëm të ndërtesave.

Mazhoranca tërhiqet, rivlerësimi banesave shkon në 3 për qind
Rivlerësimi i pasurive paluajtshme do të realizohet me një taksë 3 për qind. Kështu ka vendosur Parlamenti në seancën e fundit të këtij viti, duke u tërhequr nga varianti i parë kjo taksë të ishte në vlerën 2 për qind.
Deputeti i PS-së, Ervin Bushati kërkoi ndryshimin e kësaj takse, duke e lidhur me faktin se paratë e arkëtuara do të shkojnë për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti. Sipas ligjit të miratuar deri më 30 gusht banorët mund të realizojnë rivlerësimin e banesave.

Opozita depoziton nismën, kërkon listat e hapura
Opozita e re ka depozituar në Parlament nismën për ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke kërkuar listat e hapura. Në propozim e paraqitur nga dy deputetët Myslim Murrizi dhe Halit Valteri kërkojnë që në vend të ketë vetëm një zonë zgjedhore me 140 deputetë dhe partitë duhet të paraqesin 156 kandidatë. Zgjedhësit sipas këtij propozimi duhet të zgjedhin pesë kandidatë nga lista, sipas numrave, përveç partisë që preferojnë.

Meta do të monitorojë gjyqin ndaj Salianjit
Ervin Salianji ka njohur Presidentin Ilir Meta mbi pretendimet e ngritura për një proces të parregullt ligjor në çështjen “Babale”, ku gjyqtari Artan Gjermeni e dënoi me 1 vit burg ish-deputetin e PD-së.
Zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi konfirmoi takimin përmes një postimi në rrjetet sociale.
Sipas zëdhënësit të Presidencës, Ilir Meta i ka dhënë garancinë Ervin Salianjit që do të ndjekë më vëmendje procesin gjyqësor kundër tij në shkallën e dytë të drejtësisë.
Në këtë takim, Presidenca thotë se presidenti Meta theksoi se mbron parimin kushtetues se kushdo që akuzohet penalisht, prezumohet i pafajshëm derisa në ngarkim të tij nuk ka një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Sherri mes 3 gardianëve të burgut. Dy të vrarë në Patos, arrestohet autori
Policia ka kapur në kohë rekord autorin e ngjarjes së ndodhur në ambientet e Poliklinikës në Patos ku mbeti një i vrarë dhe një i plagosur, i cili më pas ndërroi jetë në spital.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 12:20 si pasojë e një konflikti, që duket se nuk ishte i çastit, pasi të tre ishin gardianë në burgun e Fierit.
Elis Kapaj, 22 vjeç ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa Manol Rrapaj, 26 vjeç që u plagos, ka ndërruar jetë në spitalin e Fierit. Mësohet se të dy viktimat ishin banues në Patos.
Autori Martin Skëndaj i ka qëlluar me armë zjarri. Policia ka kapur autorin dhe ka sekuestruar armën e zjarrit.

Korçë, gjendet i pajetë pronari i lokalit të fshatit
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Mborje të Korçës, ku pronari i një lokali në këtë fshat është gjetur i pajetë mëngjesin e sotëm, rreth orës 07:15. Viktimës Flamur Duçi, 45 vjeç, i është gjetur një plagë dhe djegie në trup dhe nga këqyrja paraprake mendohet se autorët janë munduar t’i vënë zjarrin. Kanë qenë banorët e fshatit ata që kanë parë trupin e pajetë të Duçit, që më pas kanë lajmëruar policinë. Viktima nuk rezulton të jetë person me precedentë panele, ndërsa nga banorët e zonës njihej si njeri i qetë dhe pa probleme.

“Jo, faleminderit”. Vetëvendosja i “vë fre” LDK-së për Presidentin
“Jo, faleminderit!”. Kjo ka qenë përgjigja e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj kërkesave të Isa Mustafës për formimin e qeverisë së ardhshme të Kosovës.
Teksa pritet të konstituohet Parlamenti i ri i vendit, koalicioni mes VV-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës duket gjithnjë e më i largët dhe molla e sherrit është karrigia e presidentit.
Mustafa ka ashpërsuar tonet duke e bërë të qartë se LDK-ja ose merr postin e presidentit ose shkon në opozitë. Por për Vetëvendosjen, partinë më të votuar në zgjedhjet e gjashtë tetorit, ky kusht është i papranueshëm.
Deputetja Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu i ka thënë”Jo” partisë se drejtuar nga Isa Mustafa, i cili sipas saj po kërkon të gjithë postet kyçe, përveç kryeministrit.
“Nuk mund të pranojmë që LDK-ja të marrë edhe kryeparlamentarin, edhe gjysmën e qeverisë edhe Presidentin”, shkruan Haxhiu në një përgjigje të ashpër në rrjetet sociale.

Belgjika kryeson renditjen e FIFA-s, Shqipëria dhe Kosova ruajnë pozicionet
FIFA ka publikuar së fundi renditjen botërore të kombëtareve për vitin 2019. Për herë të dytë radhazi kjo renditje kryesohet nga kombëtarja e Belgjikës. “Djajtë e kuq” konsiderohen kombëtarja më e mirë e momentit, duke u renditur para Francës kampione bote dhe Brazilit, që mban vendin e tretë. Janë të njëjtat pozicione si në dhjetor të 2018-ës. Ngjitet një vend Anglia, në vend të pestë është Uruguaji, për të vazhduar me Kroacinë, Portugalinë, Spanjën, Argjentinën dhe Kolumbinë.
Në renditjen botërore të FIFA-s, Shqipëria mbetet në vend të 66-të, ashtu si në renditjen e mëparshme. Në pozita të njëjta është edhe Kosova, që mban vendin e 115-të. Gjatë vitit të fundit kuqezinjtë kanë pasur luhatje në lojë dhe rezultate, kurse Kosova ka pasur rritje të vazhdueshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë