Marrja e godinës së Teatrit Kombëtar më 24 korrik 2018 nga grupimi “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” do të hetohet.
Këtë e konfirmon një shkresë që “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” ka bërë publike në llogarinë e saj në Facebook.
Në fakt, dokumenti që lajmëronte kallëzimin penal dhe nisjen e hetimeve, nuk i ishte drejtuar grupimit që prej më shumë se një viti janë zotuar në ruajtje të godinës së Teatrit Kombëtar, por Ministrisë së Kulturës të cilës i kërkohet të vërë në dispozicion dokumentacionin lidhur me inventarin e sendeve. Zarfi që mbante letrën e firmosur nga Komisar Oltion Agolli, sipas “Alenacës për Mbrojtjen e Teatrit” mbërriti në sheshin e teatrit.

Alenaca ka reaguar ndaj lajmit duke e konsideruar si presion.
“ Me metodën “Bjeri pragut të dëgjojë dera”, Drejtoria Vendore e Policisë na bën me dije që për aktin e marrjes së ndërtesës së Teatrit Kombëtar nga qytetarët më 24 korrik, po zhvillohet një hetim. Indirekt, na bëhet me dije që të keqen mund ta kemi në derë shpejt dhe ajo mund të vijë bashkë me procedime penale”- citohet në deklaratën e Aleancës.
Reagimi i vetëm që mund të bëjmë në këto kushte, thotë grupimi, pas vënies në dijeni që ne e kuptojmë qartësisht si kërcënim e presion ndaj secilit prej nesh personalisht dhe ndaj kauzës së Teatrit në përgjithësi, është që të vazhdojmë me konseguencë qëndresën tonë qytetare dhe të mos ndalemi derisa ajo të mbyllet me shpëtimin e Teatrit Kombëtar nga plani i shkatërrimit të tij.
Sipas tyre, ky është vetëm një episod i ri në sagën e intimidimeve për të frikësuar aktivistë në ushtrimin e lirë të së drejtës kushtetuese për të protestuar.
Aleanca bën me dije se i ka mbledhur këto ngjarje dhe ka filluar t’i raportojë te përfaqësitë ndërkombëtare në Shqipëri.
Aleanca përmes reagimit në Facebook, fton qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë që ta mbështesin në këtë qëndresë.
“E drejta është me ne dhe vendimi i Europa Nostra për të përzgjedhur Teatrin Kombëtar në listën e 14 vendndodhjeve më të rrezikuara në Europë e konfirmon këtë plotësisht. I bëjmë thirrje Presidentit të Republikës, Opozitës dhe pjestarëve të Partisë Socialiste që kanë dhënë vazhdimisht mbështetje për kauzën e Teatrit që të ndihmojnë në ndaljen e dorës së qeverisë që fshihet pas Policisë. U bëjmë thirrje përfaqësuesve të ambasadave të kalojnë përmbi barrierën e ruajtjes së marrëdhënieve diplomatike. Në një vend të NATO-s e kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian nuk mund të bëhet sikur nuk shikohet që qytetarët kërcënohen me procedime penale për mbrojtjen e pronës publike e trashëgimisë kulturore dhe së shpejti, me kalimin e ligjit të ashtuquajtur “anti-shpifje” do të dënohen për shprehjen e fjalës së lirë. Koha e diktaturës në Shqipëri ka mbaruar në vitin 1990 ”- citon Aleanca.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




