Podcast

Audio-Lajme shkurt 17 dhjetor 2019

Paketa Antishpifje, KiE thellësisht i shqetësuar: Minon lirinë e fjalës dhe të medias
Këshilli i Europës i kërkon Qeverisë shqiptare që të rishikojë dy ligjet që përbëjnë paketën antishpifje, duke deklaruar se nene të caktuara të propozimeve cenojnë lirinë e fjalës dhe lirinë e shtypit. Komisionerja për të drejtat e njeriut në Këshillin e Europës, Dunja Mijatoviç qortoi përmes një postimi në rrjetet sociale dy projektligjet e mazhorancës. Komisionerja për të drejtat e njeriut në KiE kërkon rishikimin e tyre, sidomos në pjesët ku parashikohet që shteti të ndërhyjë si rregullator i medias online, apo ku organizma shtetërorë mund të mbyllin media pa patur më parë një vendim gjykate. Duke shpërndarë këtë deklaratë të Mijatoviç, Presidenti Ilir Meta paralajmëroi se paketa antishpifje nuk kërcënon vetëm lirinë e fjalës, por edhe integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

PD, thirrje Ramës: Mos na nxi më shumë imazhin ndërkombëtar
Partia Demokratike hedh akuza mbi kryeministrin Rama lidhur me paketën antishpifje. Nëpërmjet ish-deputetes Albana Vokshi, PD thotë se këto janë orët e fundit që Rama të mos prishë imazhin ndërkombëtar. Vokshi tha se me anë të paketës antishpifje, Shqipëria rrezikon kryesimin e radhës së OSBE-së dhe nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Ish-deputetja e PD-së theksoi se paketa antishpifje ka si qëllim heshtjen e mediave online për të mos publikuar aferat korruptive të Edi Ramës dhe familjes së tij.

Paketa antishpifje, Kryemadhi: Mbështetje totale ndaj njerëzve të medias
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi me anë të një deklarate për mediat deklaroi se ajo dhe partia e saj ofrojnë mbështetje totale për të gjithë ata që luftojnë për lirinë e shprehjes, duke iu referuar paketës antishpifje, të cilën qeveria kërkon ta kalojë në parlament më 19 dhjetor.
Kryemadhi shprehet se kryeministri tanimë është vendosur haptazi kundër Europës, duke nxjerrë në pah sipas saj axhendën antieuropiane dhe antishqiptare. Kryetarja e LSI paralajmëroi se kryeministri Edi Rama do ta humbasë betejën me gazetarët dhe të vërtetën.

Ndryshimi i sistemit, opozita e re i frikësohet një pakti mes PS-së dhe PD
Opozita parlamentare kërkon përfshirjen në diskutime të ndryshimit të sistemit zgjedhor dhe se ky pritet të jetë edhe kushti i saj për reformën zgjedhore. Deputetja e opozitës, Rudina Hajdari u shpreh se duhet të futet ndryshimi i sistemit në komisionin parlamentar, duke paralajmëruar ndonjë marrëveshje të fshehtë mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Opozita e re ishte e pranishme në tryezën e shoqërisë civile ku u diskutua ndryshimi i sistemit, por që ajo u braktis nga ana e deputetëve socialistë.

Tërmeti dikton samitin e “Shengenit Ballkanik”, dilemat e pjesëmarrjes
Tërmeti i 26 nëntorit ka zhvendosur si vendin e organizimit të samitit të tretë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të nismës për “Shengenin Ballkanik”, ashtu edhe agjendën e përcaktuar nga pala shqiptare, si organizatore e këtij takimi. Samiti ishte parashikuar që të zhvillohej në Durrës në datat 20 dhe 21 dhjetor, por tashmë do të mbahet në Tiranë. Në njoftimin e shpërndarë nga Kryeministria fjala “Shengen Ballkanik” shmanget dhe në vend të saj përdoret “Katër liritë e BE-së”. Sipas agjendës, samiti do të shfrytëzohet nga Kryeministri Edi Rama për të njohur të ftuarit me nismën e bamirësisë “Ti nuk do të jesh kurrë vetëm”. Një event në kuadër të kësaj nisme do të zhvillohet në Parkun Olimpik, ku do të marrin pjesë edhe delegacionet e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Godina e hipotekës së Tiranë do të shembet
Godina e Hipotekës së Tiranës do të shembet pasi ka pësuar dëme të konsiderueshme nga goditjet e tërmetit të 26 nëntorit. Pas vlerësimit të aktit të ekspertimi të godinës shtetërore është vendosur që të shembet. Gazeta ‘Si’ ka mësuar se punonjësit janë urdhëruar që të zhvendosin dosjet dhe arkivën në godinën e re që të jetë në zonën e Rinasit. Ky do të jetë institucioni i parë shtetërore që do të shembet në zonën e kryeqytetit.

Vdiq pas lindjes/ Prokuroria kërkon arrestimin e mjekut, por ai ka ikur në SHBA
Prokuroria ka kërkuar arrestimin e mjekut nga Elbasani, Ardjan Kadaifçiu, i cili dyshohet si përgjegjës për vdekjen e 25-vjeçares, Rexhina Debrova, e cila humbi jetën gati një orë pasi lindi fëmijën e saj.
Mësohet se vendimi për arrestimin e mjekut është marrë një ditë më parë nga prokurori i çështjes, Xhelian Seferi.
Ai i ka kërkuar Gjykatës së Elbasanit, caktimin e masës së “arrestit në burg” në mungesë.
Por edhe pse prokuroria ka nxjerrë një urdhër-arresti, mjeku nuk mund të arrestohet nga policia e Elbasanit, pasi ai është larguar në muajin gusht 2019 drejt Amerikës bashkë me familjen e tij.
Ndërkohë pritet ndërhyrja e Interpol për të bërë të mundur arrestimin e tij dhe ekstradimin më pas në drejtim të Shqipërisë, për t’u përballur me akuzat.
Po ashtu, kardiologu Mehmet Ibaj dhe reanimatori Niko Thana akuzohen për “mjekim të pakujdesshëm” dhe është kërkuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Vranë policin malazez, arrestohen dy vëllezërit dhe nëna e tyre nga Kopliku
Policia malazeze ka vënë në pranga një familje shqiptare nga Malësia e Madhe (qyteti i Koplikut), nënën 67-vjeçare dhe dy djemtë e saj, pas vrasjes së efektivit të policisë nga Mali i Zi.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në qytetin Igalo në Mal të Zi. Dy policë malazezë i kanë ndaluar tre shqiptarët nga Malësia e Madhe, pasi ishin pa dokumente.
Dy djemtë, Luan dhe Lulëzim Hasanaj, bashkë me nënën e tyre Nure Hasanaj, janë marrë me makinë policie për t’i çuar në komisariat.
Siç shkruajnë mediat malazeze, shqiptarët ishin ulur në sediljet e pasme të makinës dhe kishin shkëmbyer disa fjalë në shqip me njëri-tjetrin dhe më pas Luani kishte nxjerrë armën, duke qëlluar në kokë policin malazez, Milutin Lekoviç.
Menjëherë pas kësaj, ata janë arratisur, duke tentuar të kalojnë në Kroaci, por janë kapur pas një shkëmbimi zjarri me policinë malazeze.

Partizani shet Jasir Asanin në Suedi, Superiorja humb një talent
Jasir Asani do të lërë në janar Superioren për t’u transferuar në Suedi, tek ekipi i AIK Stokholmit. Lajmi është bërë i ditur zyrtarisht nga klubi i Partizanit. Bëhet fjalë për një huazim të sulmuesit anësor me të drejtën e blerjes nga klubi suedez në fund të sezonit. “Klubi njofton arritjen e marrëveshjes së transferimit të Jasir Asanit drejt ekipit suedez AIK. Mesfushori do të kalojë në formulën e huazimit nga janari 2020. Klubi i AIK njëkohësisht do të ketë të drejtën e blerjes së kartonit të Asanit në fund të sezonit”, shkruan mes të tjerash në njoftimin zyrtar klubi i Partizanit. Asani do të luajë me fanellën e kuqe edhe dy ndeshjet e fundit të këtij viti, ato ndaj Teutës dhe Vllaznisë. Futbollisti 24-vjeçar shkëlqeu sezonin e kaluar, duke qenë një nga titullarët më të rëndësishëm për rikthimin e titullit me golat e tij. Këtë sezon ish-trajneri Lerda nuk e ka preferuar shumë si titullar, por kjo nuk e ka zbehur interesimin e klubeve të huaja për Asanin. Partizani nuk ka dhënë asnjë detaj në lidhje me shumën që përfiton klubi i kuq nga ky transferim, që tashmë është një punë e mbaruar. Superiorja humb kështu një nga elementët më të mirë të saj, ndërsa vetë Asani përfiton financiarisht dhe profesionalisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë