Ngjarje

Hajdutët godasin “Lagjen e Pasanikëve” në Londër, grabiten miliona dollarë

Shtëpia e Tamara Eçlestone në Londrën Perëndimore, modele dhe vajza e ish-kreut të Formula 1, Bernie Eçlestone ka rënë pre e grabitësve.

Media britanike raportojnë se grabitësit ja kanë dalë mbanë që të shmangin të gjitha sistemet e sigurisë dhe janë larguar prej banesës me një total prej rreth 64 milionë dollarë bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë.

Tabloidi “The Sun” shkruan se në total grabitësve u është dashur rreth 50 minuta kohë, që të realizonin një prej vjedhjeve më të bujshme në atë që njihet si “Lagjja e Miliarderëve” në kryeqytetin anglez.

I njëti burim thotë se në total kanë qenë tre grabitës. Ata janë futur në vilën e modeles 35-vjeçare pasi më pari ja kishin dalë mbanë që të shmangnin dy ekipet e sigurisë që patrullojnë vazhdimisht në këtë lagje dhe më pas edhe vetë sistemet e alarmit dhe të truprojave në banesën e familjes Eçlestone.

Mediat britanike saktësojnë se grabitja ka ndodhur në një kohë që vetë Tamara Eçlestone ishte larguar nga Londra për pushimet e Krishtlindjes, ndërsa një burim familjar konfirmoi se grabitja kishte ndodhur, por pa dhënë më tepër hollësi.

Policia britanike thotë se po heton mbi rastin, ndërsa paraprakisht besohet se autorët mund të jenë të njohur të familjes Eçlestone, me gjasë të vetë modeles. Këto dyshime lindin nga koha e përzgjedhur dhe mënyra e realizimit të grabitjes, çka do të thotë se grabitësit njihnin jo vetëm sistemin e sigurisë së lagjes, por edhe atë të vetë shtëpisë së modeles 35-vjeçare.

Ndërkohë, në disa media hidhën dyshime të forta në lidhje me vlerën reale të objekteve të grabitura. Sipas tyre, vlera prej 64 milionë dollarësh sa po trumbetohet është e tepruar. Ato thonë se shuma nuk kalon më shumë se 6 milionë dollarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë