Podcast

Audio-Lajme shkurt 13 dhjetor 2019

Konferenca e donatorëve mbahet në Tiranë. Rama: Do dalim më të fortë
Vendimin e marrë nga Komisioni Europian për mbajtjen e Konferencës së Donatorëve në Tiranë në fund të muajit janar për të ndihmuar Shqipërinë në planin për rindërtimin pas tërmetit, kryeministri Rama e ka quajtur një lajm të shumëpritur.
Me anë të një postimi në “Facebook”, Rama shkruan se mbajtja e premtimit prej liderëve europianë për këtë konferencë të domosdoshme, i jep energji dhe optimizëm për të dalë të gjithë të fortë nga kjo tragjedi.
Ndërkohë, presidenti francez, Emanuel Macron, pas bisedimeve të së enjtes në Këshillin Europian, në një deklaratë për mediat, tha se i gjendemi pranë Shqipërisë.

Arben Ahmetaj caktohet ministër i Shtetit për Rindërtimin, presidenca pro emërimit
Kryeministrin Edi Rama, ka vendosur t’i shtojë kabinetit të tij një ministri të re, për t’ju përshtatur situatës së vështirë të krijuar në vend pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit. Ministria e re do të quhet Ministria për Rindërtim, dhe to të jetë në nivelin e ministrisë pa portofol. Ministër Shteti për Rindërtim, është propozuar Arben Ahmetaj, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit Edi Rama.
Presidenti Ilir Meta e ka miratuar menjëherë propozimin e kryeministri Rama. “Asnjë sekondë vonesë për dekretimin e ministrit të ri të Shtetit për Rindërtimin” shkruajti zëdhënësi i presidentit, Tedi Blushi.

Meta emëron Shemsi Prençin Këshilltar të Posaçëm për Emergjencat Civile
Ish-drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi ka marrë një detyrë të re pranë presidentit Meta.
Prençi është emëruar Këshilltar i Posaçëm për Emergjencat Civile.
Lajmi është bërë me dije nga zëdhënësi i presidentit Tedi Blushi nëpërmjet një postimi në “Facebook”.
Ndërkohë, më herët kryeministri Rama ka rikthyer në qeveri Arben Ahmetajn, duke e emëruar ministër të Shtetit për Rindërtimin.

SPAK, 8 prokurorët betohen te presidenti më 19 dhjetor
Tetë prokurorët e Strukturës së Posaçme, e njohur si SPAK, do të betohen para presidentit më 19 dhjetor nw orën 9:00.
Lajmi bëhet i ditur nga zyra e shtypit pranë Presidentit Meta, në një njoftim shpërndarë mediave nga zëdhënësi Tedi Blushi.
Ngritja e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion do të sjellë edhe shkrirjen e Gjykatës dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, institucione të krijuara në vitin 2004.
Në datën 18 dhjetor do të kryhet edhe procedura për kreun e SPAK dhe po në këtë datë këshilli do të votojë dhe për kryetarin.

Basha: Bizneset e prekura nga tërmeti duhet të kenë lehtësi fiskale
Kryedemokrati Lulzim Basha ka takuar bizneset e prekura nga tërmeti dhe ka deklaruar se biznesi duhet të përfitojë lehtësira nga qeveria.
Basha ka propozuar një plan me 5 pika, që sipas tij, ofron lehtësira fiskale për biznesin, sipas përvojës së ndjekur nga Italia në situatë të njëjtë pas tërmetit në Aquila.
Për të dalë nga kjo situatë, PD ka propozuar 5 masa:Pezullim të faturave të energjisë dhe të ujit.

Pezullim të të gjitha taksave vendore, duke përfshirë taksën e pronës,

Pezullim dhe shtyrje e pagesës me këste të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore

Anulim i çdo takse të tatim-fitimit apo taksa të tjera për të gjithë kohën derisa situata të normalizohet.

Kryetari i PD propozon përjashtim nga TVSH për lëndët e para dhe materialet që përdoren për rikuperimin e dëmeve.
Duke sjellë në vëmendje rastin e Italisë, Basha vuri në dukje se nëse kjo paketë lehtësuese nuk zbatohet nga qeveria, biznesi do të vuajë pasoja të rënda.

Çifti vetëhelmohet 5 ditë pas martesës, ndërron jetë 19-vjeçarja
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Librazhdit. Një çift të rinjsh, prej 5 ditësh të martuar, kanë mbërritur të helmuar në spitalin e Librazhdit dhe e reja, 19-vjeçarja Rezarta Hajdari, ka ndërruar jetë.
Ndërsa mësohet se bashkëshorti i saj ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Olsian Hajdari, 27 vjeç është dërguar në spitalin e Elbasanit.
Çifti banonte në fshatin Xhyrë të Librazhdit. Në profilet e tyre në rrjetet sociale, nuk mungojnë as foto nga dasma para pesë ditësh.
Fillimisht çifti i vetëhelmuar është gjetur në gjendje të rëndë nga nëna e Olsianit.
Kryeplaku i fshatit Xhyrë u shpreh se të gjithë kanë ngelur të habitur nga kjo ngjarje.
Ndër të tjera, kryeplaku tha se “Policia Kriminale po heton rastin. S’mund të japim informacione për vetëhelmimin”.

Abuzoi me fondet te Ujësjellësi në Librazhd, procedohet shefja e financës
Procedohet penalisht shefja e Financës së Ujësjellës Kanalizimeve në Elbasan.
Bëhet fjalë për 35-vjeçaren me inicialet A. S, banuese në Librazhd, me profesion shefe Finance pranë Shoqërisë të Ujësjellës Kanalizimeve në këtë qytet.
35-vjeçarja dyshohet se ka abuzuar me fonde të kësaj shoqërie.
Policia thotë së dyshohet se ajo ka abuzuar me fonde të kësaj shoqërie.
Ajo akuzohet për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”.

Britanikët i japin Boris Xhonsonit një mandat të “plotfuqishëm”

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Britaninë e Madhe rezultuan të ishin fitore të jashtëzakonshme për konservatorët.
Partia kryeministrit Boris Xhonson ka triumfuar bindshëm me 364 deputetë, duke fituar kështu 36 ligjvënës më shumë se shumica e nevojshme për të formuar qeverinë.
Sipas rezultateve, Partia Laburiste siguroi 213 deputetë, (47 deputetë më pak së në zgjedhjet e kaluara), Partia Kombëtare e Skocisë 48 dhe Liberal-Demokratët 11.
Analistët janë të bindur se fitorja e Boris Xhonson do ta vërë Brexitin në rrugën e duhur, pasi me fitoren e fuqishme në zgjedhjet e 12 dhjetorit, ai rikthehet si kryeministër me kapital shumë më të madh politik.
Në fjalimin e tij të fitores, Xhonson deklaroi se rezultati i jep fund edhe debatit për mbajtjen e një referendumi të dytë për daljen nga Bashkimi Europian.
“Kjo zgjedhje do të thotë Brexit, është vendimi i pakundërshtueshëm dhe i paharrueshëm i popullit britanik. Dhe se me këto zgjedhje unë mendoj se ne i japim fund të gjitha kërcënimeve të mjerueshme për një referendum të dytë”, tha ai.

Bilanci i klubeve për 10-vjeçarin e fundit, Igli Tare dallon nga të tjerët
Efekti i punës së Igli Tares, drejtorit sportiv të Lacios, është i jashtëzakonshëm në aspektin financiar. E konfirmojnë shifrat e bilancit të 10 viteve të fundit për klubet më të mëdha sa u takon shitblerjeve të kësaj periudhe. Shtypi italian i ka kushtuar një artikull kësaj teme, duke evidentuar bilancet e klubeve të mëdha europiane. Falë intuitës për të bërë blerje të zgjuara, Igli Tare ka arritur ta minimizojë bilancin negativ të Lacios, duke e çuar atë deri në minus 56 milionë euro. Mund të duket e çuditshme që ky deficit e bën Lacion ndër klubet me bilancin më pozitiv në Europë, por po të shohësh klubet e tjera e kupton qartë se çfarë ka arritur të bëjë drejtuesi shqiptar. Pas Lacios, bilancin më të mirë nga ekipet e Serisë A e ka klubi tjetër i kryeqytetit, Roma, me minus 68.9 milionë euro. Më pas vijnë Napoli me minus 161.9 milionë euro, Interi minus 391.1 milionë euro, Juventusi minus 413.7 milionë euro dhe Milani minus 438,8 milionë euro. Ne treshen e klubeve me bilancin më negativ të 10-vjeçarit të fundit janë Mançester Junajtid me minus 832.6 milionë euro, PSG-ja me minus 901.3 milionë euro dhe Mançester Siti me minus 1 miliard e 90.8 milionë euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë