Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë në një njoftim për shtyp shprehet se ka konstatuar që pavarësisht forcës së tërmetit me magnitudë prej 6.3 të shkallës Rihter dhe forcë afro 8 ballë në qytetin e Durrësit, siguria e ndërtimeve të pas viteve ‘90 u vu në një provë të rëndësishme.
Për shoqatën, thuajse plotësisht, qëndrueshmëria e strukturave të këtyre ndërtimeve ka mundur të mbajë këtë forcë shkatërrimtare të natyrës.
Në asnjë rast, citon shoqata, strukturat bazike të ndërtimeve nuk janë kolapsuar nga forca e madhe e tërmetit të mëngjesit të 26 nëntorit. “
Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë konstaton gjithashtu se dëmet në ndërtimet e reja janë shkaktuar kryesisht në muret e brendshme dhe në rifiniturat plotësuese, por në asnjë rast në strukturën qëndrore të objekteve.
Në këtë situatë, shoqata sugjeron se është domosdoshmëri hartimi i normave teknike, që aktualisht mungojnë për këto procese në kushtet e veprimeve sizmike mbi strukturat skelet.
Normativat ne fuqi, vëren shoqata, nuk trajtojnë në formë koherente mbrojtjen e rifiniturave nga veprimi sizmik.
Sipas saj, eksperienca europiane nëpërmjet Eurokodeve duhet të përqafohet sa më shpejt nga legjislacioni shqiptar. Gjithashtu është nevojë imediate, thotë shoqata, të plotësohet legjislacioni si dhe të organizohen struktura të posaçme shtetërore për kontrollin e punimeve që nga faza e marrjes së lejes e deri në vënien në shfrytëzim të objektit, gjë që për investimet private praktikisht mungon.
Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë shprehet e gatshme që, së bashku me qeverinë dhe parlamentin, të ofrojë asistencën e saj për ndryshimet e mundshme ligjore për të patur akoma dhe më shumë ndërtime cilësore dhe sa më të sigurta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




