Ekonomi

Bashkia Tiranë dhuron apartamente për familjarët e viktimave të tërmetit

Shtatëmbëdhjetë apartamente në pronësi të Bashkisë Tiranë të ndodhura në njësinë administrative nr.1, në juglindje të kryeqytetit, do tu kalojnë në pronësi familjarëve të viktimave.

Po ashtu në fondin e dhurimit do të përfshihen edhe apartamente nga fondi publik i banesave sociale, të përfituara sipas legjislacionit për strehimin social.

Vendimi është bërë me akt normativ për shkak të nevojës që lind për përballimin dhe lehtësimin e pasojave të fatkeqesisë natyrore, duke i ardhur në ndihmë familjarëve të viktimave të cilët humbën jetën gjatë tërmetit të datës 26 nëntor, dhe kanë pësuar dëmtime në banesat e tyre duke i bërë ato të pabanueshme.

Referuar relacionit të aktit normativ, për të krijuar mundësinë e një strehimi sa më të shpejtë në kushtet e situatës emergjente të krijuar nga tërmeti, në këtë akt normativ është parashikuar përjashtimi nga parashikimi i ligjit, “Për kadastrën”, dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës kryen fillimisht regjistrimin e apartamenteve që do të dhurohen në regjistrat e pasurive të paluajtshme në emër të Bashkisë Tiranë dhe më pas kryen veprimet e nevojshme për kalimin e regjistrimin e tyre në pronësi të familjarëve të viktimave të shkaktuara nga tërmeti.

Procedura e dhurimit të këtyre apartamenteve do të realizohet nëpërmjet kontratës së dhurimit, sipas parashikimeve të Kodit Civil, si dhe duke ndjekur procedurat përkatëse sipas legjislacionit në fuqi.

Bashkia Tiranë, brenda 2 (dy) ditëve pune do të lëshojë certifikatën e përdorimit sipas gjendjes dhe dokumentacionit ekzistues të objektit.

Kontrata e dhurimit do të realizohet sipas parashikimeve të Kodit Civil dhe do të nënshkruhet nga kryetarët e bashkive në të cilat është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore dhe përfaqësuesit e familjeve përfituese të përcaktuara në listën e dërguar nga Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile.

Shpenzimet procedurale për kryerjen e transaksioneve për dhurimin e pasurisë paguhen nga bashkitë në të cilat është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore.
Apartamenti i dhuruar do të regjistrohet në bashkëpronësi të të gjithë anëtarëve të familjes përfituese.

Strukturat shtetërore në bazë të aktit normativ vendosin në dispozicion të gjitha burimet njerëzore dhe mjetet logjistike të nevojshme që nevojiten për transferimin e këtyre familjeve në banesat e reja në Tiranë.

Efektet financiare të këtij akti normativ për dhurimin e apartamenteve dhe çdo shpenzim procedural për kryerjen e transaksioneve për dhurimin e tyre do të përballohen nga buxheti i njësive të vetëqeverisjes vendore ku është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore.
Të gjitha shpenzimet për burimet njerëzore dhe mjetet logjistike të nevojshme që nevojiten për transferimin e këtyre familjeve në banesat e reja në Tiranë, si dhe shpenzimet e mobilimit e të pajisjeve elektroshtëpiake për këto apartamente mbulohen nga buxheti i shtetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë