Me numrin e viktimave të tërmetit që rritet nga momenti në moment, Qeveria shqiptare pritet të shpallë edhe zyrtarisht ditën e mërkurë si Ditë Zie Kombëtare.
Qeveria fton të gjitha shoqatat, organizatat, bizneset dhe qytetarët që duan të ndihmojnë për të kontribuuar financiarisht përmes tre llogarive bankare të hapura në një bankë të nivelit të dytë.
“Kryeministria fton të gjithë bashkëpunëtorët, shoqatat dhe bizneset të ofrojnë ndihmën e tyre në këtë moment solidariteti për familjet dhe qytetarët në nevojë të prekur nga termeti. Shqipëria Solidare! Për t’u ardhur në ndihmë të gjitha familjeve të dëmtuara nga tërmeti kemi vendosur në dispozicion disa llogari bankare, “Kontribute vullnetare, Emergjenca ” në banke të nivelit të dytë”, thuhet në njoftim.
Llogaritë janë në Bankën Credins dhe kushdo që dëshiron të ndihmojë financiarisht në këtë situatë mund të kontribuojë në numrat bankarë si më poshtë:
Banka Credins
IBAN në ALL (Lek): AL29 2121 1016 0000 0000 0030 0001
IBAN në EUR : AL72 2121 1016 0000 0000 0030 0003
IBAN në USD: AL02 2121 1016 0000 0000 0030 0002
Përveç ftesës për të ndihmuar financiarisht, Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar edhe nënshkrimin e marrëveshjeve me strukturat e hotelerive në Durrës, Kavajë dhe Vlorë për strehimin e banorëve që iu shkatërruan shtëpitë nga tërmeti.
“Dimri nuk kalohet dot as nën qiell të hapur e as në tenda, prandaj Qeveria do të nënshkruajë një marrëveshje me strukturat hoteliere të Durrësit, Kavajës dhe edhe Vlorës po të jetë nevoja, që të gjitha familjet e mbetura pa çati, të strehohen në kushte optimale, të shërbehen në kushte optimale, t’i kalojnë edhe festat e fundvitit në kushte optimale bashkë me fëmijët e tyre, ndërsa këta të fundit jo vetëm të mos jenë të detyruar të braktisin shkollën asnjë ditë, po edhe të mësojnë në kushte optimale”, thotë Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




