Podcast

Audio-Lajme shkurt 25 nëntor 2019

Rama zbulon paketën ligjore Anti-KÇK
Kryeministri Edi Rama prezantoi paketën e re kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilësuar si pjesë e grupit “Kap Ça të Kapësh”, KÇK. Paketa përmban: Verifikim i barrës së provës së pronave dhe pasurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve, sekuestrim i pasurive dhe ndalim për të udhëtuar jashtë Shqipërisë janë disa prej parashikimeve të nismës të re, të cilën qeveria synon ta miratojë me një akt normativ. Me këtë nismë i jepen kompetenca më të gjera Policisë, duke krijuar edhe një strukturë të posaçme antikorrupsion.
Kryeministri Edi Rama bëri një paralajmërim të fortë edhe për deputetët socialistë, duke i deklaruar se kush nuk e voton këtë nismë do të përjashtohet nga Partia Socialiste.

Opozita ngre alarmin: Anti-KÇK, polici politike që minon SPAK
Opozita ka kundërshtuar paketën e re të paraqitur nga kryeministri Edi Rama duke deklaruar se kjo nismë minon organet e reja të hetimit Prokurorinë e Posaçme, SPAK dhe Byronë Kombëtare të Hetimit. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi u shpreh se “sot që ngrihet SPAK dhe Byroja e Hetimit, që për më shumë se 2 vitesh është mbajtur peng nga Edi Rama dhe grupi i tij, sot ai na lançon KÇK e famshme, policinë politike të tij”. Partia Demokratike e cilësoi si të panevojshme një nismë e që synon të bllokojë Byronë Kombëtare të Hetimit.
“Kuadri ligjor në Shqipëri për të luftuar krimin e organizuar është i plotë dhe madje shumë i fortë. Qytetarët presin ngritjen e SPAK dhe BKH për ta zbatuar atë. Qytetarët nuk presin që SPAK-un dhe BKH-në, e ngritur me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ta zëvendësojë Edi Rama, Sandër Lleshaj apo Ardi Veliu”, deklaroi sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi

Hapet gara për drejtuesin e SPAK, 8 prokurorët betohen te Meta më 19 dhjetor
Gjatë mbledhjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë janë miratuar me 11 vota pro projekt-aktet për emërimin e 8 prokurorëve të SPAK.
Tetë anëtarët e “Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar” (SPAK), do të betohen para presidentit Ilir Meta më 19 dhjetor.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në mbledhjen e ditës së sotme, emëroi me 11 vota Altin Dumanin, Arben Krajën, Behar Dibrën, Edvin Kondillin, Elida Celami (Kaçkini), Ened Nakuçin, Enkeleda Millonai, Klodian Braho, për të qenë anëtarë të kësaj strukture.Anëtarët e SPAK-ut do të kenë një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë emërimi.
Pas emërimit të 8 anëtarëve të parë, KLP ka hapur garën për drejtuesin e përkohshëm kësaj strukture, e cila do të ketë si fokus hetimin e zyrtarëve të lartë të korruptuar dhe krimin e organizuar.
Kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi deklaroi se afati për të zgjedhur drejtuesin e përkohshëm të SPAK është 15 ditë, duke nisur nga kjo e hënë.

Tedi Blushi pas dëshmisë në Prokurori: Kanë qenë dy telefonues
Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi, në një prononcim për mediat pas dëshmisë në Prokurori lidhur me shantazhin që pretendon se është bërë ndaj tij më 21 nëntor për shkak të një postimi në “Facebook”, tha se kanë qenë dy shtetas të ndryshëm, me të cilët ka komunikuar në shqip dhe në një gjuhë tjetër.
Blushi ndër të tjera deklaroi se i ka vënë në dispozicion gjithçka prokurorisë.
Mes të tjerash, ai tha se i është drejtuar prokurorisë pak orë pasi kishte marrë telefonatat.

Meta sërish thirrje për 8 dhjetorin: Kjo pakicë politike po dhunon Kushtetutën
Presidenti Ilir Meta u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë t’i bashkohen në sheshin “Demokracia” në Qytetin Studenti më 8 dhjetor.
Në një postim në “Facebook”, kreu i shtetit thotë se duhet t’i jepet fund kësaj pakice politike që po dhunon Kushtetutën.
“Mjaft me këtë pakicë politike që keq qeveris vendin e s’mban asnjë përgjegjësi! Referendumi është një e drejtë kushtetuese, që populli e vendosi vetë me Referendum më 22 Nëntor 1998”, thekson presidenti.
Ai deklaron se Shqipëria do të hyjë me çdo çmim në epokën e referendumeve.
“Shqipëria do të hyjë me çdo çmim në epokën e referendumeve”, shkruan më tej presidenti.

Mbyllen hetimet për abuzimet me pronat në Lezhë, ish-deputeti i PS nën akuzë
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur të mbyllë hetimet për një nga grupet e dosjes 339, që ka lidhje me abuzimin e pronave në Tale, Shëngjin dhe Ranën e Hedhun.
Pjesë e këtij grupi është dhe ish-deputeti i PS në Lezhë, Arben Ndoka dhe disa prej familjarëve të tij, që kanë shërbyer si zyrtarë në Lezhë.
Ndoka dhe të pandehurit e tjerë do paraqiten në Prokurori që t’u komunikohet akuza.
Veprat penale që akuzohen janë “Falsifikimi i dokumenteve”, Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, “Shpërdorimi i tokës”, në kuadër të një grupi kriminal.
Të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen se kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234.548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare.

Ndryshon situata te Tirana, Ahmataj mbetet në detyrë
Julian Ahmataj mbetet në detyrë. Një ditë pas humbjes në Korçë, trajneri elbasanas bëri prapakthehu, duke mohuar atë çfarë kishte thënë në linjë direkte pas asaj disfate. Ahmataj u shpreh se kishte paraqitur dorëheqjen te presidenti Refik Halili, akuzoi se kishte nga ata lojtarë që nuk dëshironin të preknin topin, që mendojnë se si të heqin trajnerin dhe se në këto kushte është e pamundur të punohet. Një ditë më pas ai u shfaq krejtësisht ndryshe. Tha se presidenti Halili i ka kërkuar të vazhdojë punën dhe se te Tirana nuk ka ndërhyrje te trajneri për formacionin. Një situatë vërtet komike që vetëm sa vërteton për të disatën herë se klubi më i titulluar në vend ka probleme serioze. Cilin Ahmataj duhet të besojmë, atë pas humbjes në Korçë të shtunën? Apo Ahmatajn e së dielës në mbrëmje, i kundërt me atë të një dite më parë? Tifozët e Tiranës e kanë të qartë se çfarë ndodh me ekipin e tyre të zemrës tani e prej shumë vitesh. Mjafton të shohësh komentet në faqen zyrtare të klubit pas ndeshjes në Korçë


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë