Politike

“Do digjej Parlamenti”, Komisioni njihet me raportin sekret të SHISH

Komisionit hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta njihet me dokumentin sekret të Shërbimit Informativ Shtetëror, i cili njoftonte kreun e shtetit se në ditën e protestës së opozitës do të sulmoheshin institucionet si Parlamenti. Pikërisht kjo deklaratë e presidentit dhënë në dëshminë e tij para komisionit hetimor më 9 shtator u bë shkak që të kërkohet raporti i detajuar për të njohur se nga cili Shërbim Sekret kishte dhënë një informacion i tillë.

Mbledhja e sotme e komisoinit hetimor. Gazeta Si, 22 nëntor 2019


Raporti sekret i SHISH është dorëzuar nga vetë presidenti Meta si provë për argumentuar arsyen se e nxjerrjes së dekretit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Kryekomisioneri Ulsi Manja bëri publike faktin e mbërritjes së dokumentacionit “Top Secret” për informacionin e paraqitur nga presidenti Meta dhe se paralajmëroi deputetët, anëtarë të këtij komisioni se publikimi i të dhënave sekreteve në media elektronike apo të shkruar, fotokopje apo origjinale përbën një vepër penale. Gjithashtu, socialisti Manja bëri të ditur se jo të gjithë anëtarët e këtij komisioni janë të pajisur me certifikatë sigurie dhe se sipas tij, lista i ka ardhur nga sekretari i Përgjithshëm se cilët nga anëtarët e disponojnë atë. Pas kësaj, Manja kërkoi që të zhvillohet mbledhje me dyer të mbyllura për të diskutuar mbi natyrën e dokumenteve sekret dhe të raporteve të komisionit të Venecias.

Zeneli: Mos shtyni afatin, ne jo pjesë e pazareve Rama-Meta

Nënkryetari i komisionit hetimor, deputeti i opozitës, Alban Zeneli doli kundër shtyrjes së afatit të apo të zgjerimit të hetimit të komisionit. Ai kërkoi që menjëherë të mbyllet sa më parë hetimi dhe të dilet në një vendim brenda ditës së sotme dhe të mos vazhdohet me retorika politike, pasi kjo sipas tij, i bën dëm punës së komisionit. “Të mos merremi me retorika boshe se nga informacionet që kemi ne ky komision kërkohet ti shtyhet koha për të mos marrë vendimin e duhur. Të bëhet sa më parë administrimi i provave të shqyrtojmë që sot e të dalim me vendim të prerë nëse e ka shkelur presidenti apo jo Kushtetutën. Çdo lloj retorike tjetër e ka cenuar integritetin e këtij procesi. Nuk dua të bëhem pjesë e retorikës apo pazarit Rama-Meta. Kërkoni kohë për pazarin e radhës", deklaroi Zeneli.

Alban Zeneli (qendër) gjatë një mbledhjeje të Komisionit Hetimor që po heton vendimet e Presidentit Ilir Meta. Gazeta Si, 22 nëntor 2019


Ai shtoi se kryeministri Edi Rama ose të mbrojë atë që ka thënë, ose të deklarojë se ka gënjyer.
Por kryekomisioneri Manja u shpreh se mazhoranca i qëndron atyre që ka deklaruar dhe kjo është vërtetuar edhe me faktin se ka firmosur edhe kërkesën për shkarkimin e presidentit Meta. Ndërsa bëri të ditur se ndryshe se sa është deklaruar një ditë më parë nga kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla, nuk është për shtyrjen e afatit të hetimit. Gjithsesi një vendim i tillë pritet të merret në ditët në vijim, pasi socialistët mbështesin idenë e hedhur nga ndërkombëtarët për t’iu drejtuar komisionit të Venecias për të marrë një opinion mbi debatin e hapur mbi dekretimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese.
Çfarë deklaroi Meta në komision?
Në shtator të këtij i viti, Presidenti Meta ishte i ftuar në mbledhjen e komisionit hetimor për të dëshmuar mbi arsyet e vendimit për të nxjerrë dekretin për anulimin e datës zgjedhjeve të parashikuar më 30 qershor. Meta si një nga argumentet e fortë nxori pikërisht një informacion të ardhur në zyrën e tij nga agjencitë e shërbimit sekret ku njoftohej se në ditën e protestës së opozitës do të kryesin akte nga persona të armatosur dhe që do të sulmonin e digjnin Parlamentin.
Në fjalën e tij para komisionit hetimor parlamentar, Presidenti Ilir Meta, tha se një ditë para se të shpallte anulimin e datës së zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit, kishte marrë informacion se persona të caktuar do të shfrytëzonin mitingun e paralajmëruar nga opozita, mes të tjerave, edhe për djegien e Kuvendit të Shqipërisë.

Presidenti Ilir Meta gjatë seancës dëgjimore para Komisionit Hetimor Parlamentar. Gazeta Si, 22 nëntor 2019

“Presidenti i Republikës, për shkak të detyrës së tij ka pasur informacione të mjaftueshme, për përpjekje për të organizuar akte destabilizimi në vend. Në mënyrë të veçantë, në datën 7 Qershor, një ditë para se Presidenti të bënte publik shfuqizimin e datës 30 Qershor, ka marrë një informacion, sekret dhe të klasifikuar, në rast se komisioni dëshiron të njihet me të mund të ndodhë pasi të marrim edhe konfirmimin nga institucioni. Ky informacion bënte të qartë se persona të caktuar do të shfrytëzonin mitingun e paralajmëruar nga opozita, mes të tjerave, edhe për djegien e Kuvendit të Shqipërisë”, deklaroi presidenti në komision. Meta tha se ky informacion ishte i besueshëm duke pasur parasysh edhe zhvillimet e kaluara.


“Presidenti nuk mund të pranonte, lejonte apo të mos shmangte një Rajshtag të ri në Shqipëri, e cila mund të prodhonte jo vetëm plagosje të policisë dhe qytetarëve, por edhe një shkatërrim të imazhit të Shqipërisë. Së bashku me ekipin tim, pas këtyre informacioneve, gjykuam se ishte momenti i duhur për të parandaluar një ngjarje që mund të sillte pasoja të mëdha”, do të theksonte presidenti. Komisioni hetimor u mblodh sot për miratimin e procesverbalit të mbledhjes së komisionit datë 18.09.2019 dhe administrimin e Opinionit Paraprak dhe Opinionit Final të ardhur nga Komisioni i Venecias dhe njoftimi i informacionit të ardhur nga Presidenti i Republikës, duke respektuar rregullat e përcaktuara në ligj “Për Informacionin e klasifikuar “Sekret Shtetëror”” (i përditësuar). Afati i këtij komisioni u shty një herë me vendim parlamentit, pasi ishte në pritje të raportit të Venecias i cili doli më 10 tetor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë