Podcast

Audio-Lajme shkurt 18 nëntor 2019

“Kina rreziku më i madh për Shqipërinë!”
Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka vlerësuar sërish sot Shqipërinë për mosblerjen e rrjetit 5G nga Kina duke deklaruar se vendi ynë fitoi një “betejë” në luftën për siguri.
E ngarkuara me punë e SHBA-së në Shqipëri Leyla Moses-Ones deklaroi në konferencën ‘Demokracia përballë rrezikut të teknologjisë’ se Tirana është e palëkundur në partneritetin me Amerikën duke ua bërë të qartë disa vendeve, referuar Kinës, se disa gjëra nuk janë në shitje. Si Moses-Ones ashtu edhe ekspertë të tjerë të pranishëm në këtë konferencë u shprehën të sigurtë se Kina është rreziku më i madh për Ballkanin dhe Shqipërinë.
Diplomatja e SHBA-së e cilësoi teknologjinë 5G si një “armë në duart e Kinës”. Edhe për gjeneralin amerikan James Jones shqetësimi kryesor për Shqipërinë është Kina dhe tentativa e saj për të kontrolluar të dhënat globale përmes teknologjisë 5G.

Projekti i Unazës, PD: Nul! Nuk ka studim topografik
Partia Demokratike thotë se i gjithë projekti për ndërtimin e Unazës së Re është me leje të pavlefshme ndërtimore dhe ish-deputeti Klevis Balliu tha në një konferencë për shtyp se e gjithë shkelja ka nisur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Balliu thotë se ARRSH fillimisht ka shkelur nenin 1 të ligjit për sponsorizimet, duke pranuar si dhuratë një projekt me vlerë 1 mln euro nga një kompani private. Sipas PD vetë projekti teknik ka shkelje të rënda. Atij i mungon studimi topografik. PD thote se kompania “AVE CONSULTING”, që ka sponsorizuar projektin, në kundërshtim me ligjin, nuk ka drejtues teknik në fushën e gjeodezisë.

Basha në Lezhë: Jehona e shqiptarëve, Rama ik!
Lulzim Basha u ndal në Lezhë në një takim me fermerët në këtë rreth për të prezantuar platformën e Partisë Demokratike për ta. Duke iu referuar shifrave të projektbuxhetit 2020, Basha akuzoi Ramën se jep 120 mln euro për oligarkët dhe më pak se 10 për qind të kësaj shume për bujqësinë. Kreu i opozitës u zotua se me PD-në në pushtet, kjo do të ndryshojë. Basha u ndal edhe tek episodi i hapjes së stadiumit të ri, ku një pjesë e tifozëve brohoritën “Rama ik”. “Të gjitha e dëgjuam jehonën e shqiptarëve, që është një mesazh i qartë për Ramën që të hapë rrugën për zgjedhje të lira e të ndershme që janë dhe zgjidhja e krizës që ka pllakosur”, tha ai.

Rasti i Alvinit, Meta: Duhen ngritur urgjentisht qendra rehabilitimi
Presidenti Ilir Meta në konferencën ndërkombëtare me temë “Feja si instrument i paqes”, përmendi rastin e vogëlushit shqiptar, Alvin Berisha, i shpëtuar pak javë më parë nga kampi “Al Hol” në Siri.
Në fjalën e tij, Meta deklaroi se i gjithë opinioni u trondit nga rasti i Alvinit, ndërsa shtoi se ai u shpëtua falë gazetarisë profesionale të huaj dhe vendase.
Më tej, Meta deklaroi se duhen ngritur urgjentisht qendra rehabilitimi për t’u ardhur në ndihmë personave që shpëtohen nga kampet e luftës, në mënyrë që të përballojnë traumat e përjetuara.
Referuar emigracionit në rritje, ai theksoi se nuk duhet lejuar që Shqipëria të vuajë dimrin demografik të Europës.
Në këtë aktivitet merr pjesë edhe Sam Brownback, zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Presidenti e cilëson privilegj koordinimin me DASH për këtë konferencë dhe lirinë fetare, që në këndvështrimin e tij është thelbësore për paqen dhe stabilitetin.

KPK shkarkon nga detyra gjyqtarin e Apelit në Durrës
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin Arjan Balliu.
Gjyqtari Balliu ushtronte detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit në Durrës.
Ai u përball me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit më 11 nëntor. Nga hetimet e KPK, ai ka rezultuar me probleme pasurie, dyshime për konflikt interesi dhe për deklarim të rremë.
Edhe pse Arjan Balliu kundërshtoi gjetjet dhe kërkoi rivlerësim në të 3 shtyllat kryesore të vettingut, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konstatuar shkeljet dhe e ka shkarkuar nga detyra.

Aksident në aksin Krujë-Laç, tre të plagosur rëndë
Një aksident ka ndodhur sot paradite në aksin rrugor Krujë-Laç, ku tre persona kanë mbetur të plagosur. Aksidenti ka ndodhur pranë vendit të quajtur “Kthesa e Gjelit” ku makina e të plagosurve është përplasur me një mur anash rrugës. Të lënduarit janë dërguar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në kryeqytet për trajtim më të specializuar. Shkak i aksidentit mendohet të ketë qenë shpejtësia e madhe.
Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendin e ngjarjes, ndërsa ka nisur hetimet për dokumentimin e plotë të rastit.

Rinovimi i Rejës, në pikëpyetje pas dy ndeshjeve të fundit
Nga dje në mbrëmje, Shqipëria është zyrtarisht pa trajner. Marrëveshja e italianit Edi Reja me Federatën Shqiptare të Futbollit ishte 6-mujore, pra deri në mbylljen e eliminatoreve të Europianit. Deri muajin e kaluar, palët ishin shumë entuziaste për vazhdimin e bashkëpunimit, si presidenti i FSHF-së Armand Duka, ashtu edhe trajneri Reja. Firma e rinovimit të kontratës dukej një formalitet, por dy ndeshjet e fundit mund të kenë vënë sërish në mendime kreun e futbollit shqiptar. Kreditet e Rejës mund të kenë rënë pak. Barazimi 2-2 me Andorrën, ku llogaritë ishin për fitore të sigurt, dhe humbja e djeshme 0-2 me Francën mund të kenë lëkundur disi pozitat e Rejas, edhe pse në këtë moment ai duket alternativa më e mirë, pasi ka nisur një cikël të ri në Kombëtare dhe gjykimi duhet bërë në total. Por duhet pranuar se entuziazmi i mëparshëm ka rënë. Ajo që ngre më shumë dyshime është loja e kuqezinjve në ndeshjet e fundit. Sipas specialistëve të futbollit në Shqipëri, loja e Kombëtares ka pasur regres, sidomos ndaj Francës, ku eksperimenti i trajnerit italian me Qosen titullar dhe Ismajlin në stol, dështoi plotësisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë