Podcast

Audio-Lajme shkurt 13 nëntor 2019

Ekskluzive / Avokati i Popullit “nxin” Astirin
Mungesë transparence, devijime të projektit, trajtime preferenciale në vlerësimin dhe dëmshpërblimin e banorëve, e deri tek shkelje të rënda të të drejtave të njeriut nga ana e strukturave të rendit ndaj protestuesve të “Astirit”. Këto janë disa nga gjetjet e një raporti që institucioni i Avokatit të Popullit ka dorëzuar në Kuvend që më datë 21 tetor të këtij viti. Raporti nuk është publikuar ende, por Gazeta “Si” përmes disa burimeve ju sjell thelbin e përmbajtjes së tij. Në bazë të ligjit organik të Avokatit të Popullit, ky institucion mund të paraqesë në Kuvend me nismën e tij raporte të veçanta, për çështje të caktuara, sidomos për ato që në këndvështrimin e këtij institucioni përbëjnë shkelje të të drejtave kushtetuese, apo ligjore. Gjithnjë sipas përcaktimit ligjor, Kuvendi ka kohë deri më datë 20 dhjetor që të diskutojë mbi këtë raport. Por, aktualisht, raporti për “Astirin” i Avokatit të Popullit nuk është futur ende në procedurë dhe nuk dihet nëse do të futet apo jo brenda këtij afati. Ajo që dihet është se nëse Kuvendi nuk e diskuton këtë raport, atëherë në fund të afatit 60-ditor, Avokatit të Popullit i lind e drejta që të bëjë publike gjetjet e raportit në fjalë.

Kryeprokurori i ri, tre kandidatët paraqesin platformat
Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi intervistat për kandidatët për Prokurorë të Përgjithshëm, Arta Marku, Fatjona Memçaj dhe Olsian Çela. Kryeprokurorja aktuale Arta Marku ishte e para që doli përpara KLP-së, e cila u shpreh për mundësitë e kufizuara që ka pasur në dispozicion për ushtrimin e ligjit. Marku mohoi se ka mbështetje të politikës dhe për këtë solli provë faktin e vendimit për ndjekjen penale të kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku. Kandidatja tjetër Memçaj shprehu rezerva për mënyrën se si ka vepruar Prokuroria deri më tani duke deklaruar se ka një perceptim se po favorizohen të fortët. Integriteti, paanshmëria, autoriteti dhe lidershipi ishin disa nga ato që Memçaj shpalli gjatë platformës së saj.
Ndërsa, kandidati Çela ngriti shqetësimin se organi i akuzës është treguar i ashpër me shtresat e dobëta dhe jo me ata persona të veshur me pushtet. KLP pas këtyre intervistave do të realizojë renditjen e kandidatëve sipas pikëzimit dhe do t’ia dërgojë Parlamentit për të zgjedhur kryeprokurorin e ri. Në rast se nuk zgjidhet me shumicë të cilësuar votash, atëherë kandidati i parë zgjidhet automatikisht kryeprokuror.

Konfirmohet në detyrë zv. drejtori i Përgjithshëm i SHÇBA, Adriatik Ago
Është konfirmuar në detyrë Zv/drejtori i Përgjithshëm i SHÇBA-së, Adriatik Ago.
Trupa vlerësuese e përbërë nga Ana Kapaj, relatore, Elvira Daberdaku, kryesuese e trupës, Elida Liko, anëtare pasi shqyrtoi provat dhe faktet në lidhje me integritetin etik dhe profesional, si dhe ligjshmërinë e pasurisë vendosi të konfirmojë në detyrë z. Ago.
Adriatik Ago ishte i dyti që u përball me Komisionin e Jashtëm të Vlerësimit, siç e kishte përcaktuar shorti. I pari që kaloi në procesin e vettingut në polici ishte Oltjon Shehu, shefi i Sektorit të Ankesave në SHÇBA, Oltion Shehu, por ai nuk e kaloi dot testin e vetingut dhe u shkarkua nga detyra.

Pendarovski-Macron/ Formati për negociatat e Maqedonisë gati në mars
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski njoftoi se metodologjia e re e zgjerimit të BE-së do të jetë gati deri në pranverë të vitit 2020. Sipas tij, pas kësaj do të merret vendimi për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Franca tashmë ka paraqitur një propozim joformal për vendet anëtare të BE-së që për reformimin e metodologjisë së negociatave të pranimit, një reformë që Macron po kërkon të miratohet përpara se të japë dritën e gjelbër për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Në parim, ai mendon se metodologjia duhet të miratohet deri në mars”, tha Pendarovski, pas takimit me presidentin Macron. Ai shfaqi shpresën se në samitin e BE-së në Zagreb, më 6 maj 2020, mund të merret një vendim pozitiv.

Gjendet e vdekur regjisorja Arzana Kraja, vajza e Mehmet Krajës
Sot në mëngjes, në lagjen Kalabrí të Prishtinës, është gjetur trupi i pajetë i regjisores Arzana Kraja. Ajo është vajza e kryetarit të Akademisë së Shkencave të Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 9:00 të paradites së sotme. Mendohet se shkak për vdekjen e saj mund të ketë qenë edhe epilepsia.
Kraja ishte regjisore e filmit “Fusha e mëllenjave”, që shënoi edhe hapjen e edicionit të 11 të PriFest dhe ka një kontribut të shquar në artin kosovar.
Për vdekjen e Krajës ka ngushëlluar edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.

Hapet Panairi i Librit “Tirana 2019”
Panairi i librit “Tirana 2019” ka hapur sot dyert e edicionit të tij të 22-të në Pallatin e Kongreseve. Si çdo vit, shtëpitë botuese në vend vijnë me tituj të rinj për të gjithë dashamirësit e librave artistikë dhe jo vetëm.
Lexuesit në këto ditë mund të takohen nga afër edhe me autorët, të cilët gjenden në stendat ekspozuese. Ky është një nga evenimentet kryesore të promovimit të librit dhe kulturës në përgjithësi.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, pjesë e panelit vuri në pah rëndësinë e këtij eventi për kryeqytetin. Sipas saj, këto ditë do të shërbejnë për të shfletuar shumë tituj të rinj, për të takuar autorë, përkthyes, për të marrë pjesë në prezantime librash, workshope, etj. Panairi do të qëndrojë i hapur deri të dielën më 17 nëntor.

Reja: Kam skuadër inteligjente, në fushë zbret Shqipëria dhe jo individi
Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, ka folur në konferencë shtypi për ndeshjen me Andorrën, mungesën e Taulant Xhakës dhe skemën e lojës. “Kam një skuadër me djem inteligjentë, ata e dinë si të sillen në ndeshje të tilla. Ua kam thënë se kjo është pika jonë e referimit, ndeshja me Andorrën. Nëse nuk fitojmë me Andorrën, atëherë gjithçka kemi bërë deri tani, do të zhvlerësohet”, ka thënë Reja. Sipas tij, Cikalleshi ka pasur rendiment në ndeshjet që ka luajtur, por për vendin e sulmuesit ka disa alternativa. Ndërsa lidhur me Xhakën, Reja u shpreh se ai ka preferuar të qëndrojë në klubin e tij për t’u rehabilituar. “Kemi mentalitetin e duhur në skuadër, jemi të qetë dhe nuk krijojmë probleme. Vendimet i merr trajneri dhe mban ai përgjegjësi, një lojtar duhet të jetë gati gjithmonë. Në fushë zbret Shqipëria, jo një lojtar i caktuar, qoftë ai edhe shumë i rëndësishëm, në këtë rast Xhaka. Brenda grupit tonë, nuk ka probleme. Nëse dikush krijon probleme, nuk bën pjesë në këtë grup”, tha ndër të tjera Reja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë