Podcast

Audio-Lajme shkurt 4 nëntor 2019

Qeveria ka plan operacional për kthimin e shqiptarëve nga Siria
Ministrja e Shtetit, Elisa Spiropali gjatë interpelancës në Parlament bëri të ditur se 72 shqiptarë gjenden të bllokuar në kampin Al Hol që kontrollohet nga luftëtarët e ISIS në Siri. Spiropali deklaroi se qeveria ka një plan operacional për kthimin e shqiptarëve të bllokuar, duke përmendur edhe rastin e 11-vjeçarit, Alvin Berisha.
Ministrja bëri të ditur edhe pak detaje të një operacioni të dështuar, pas kohës kur ushtria turke u fut në zonën e luftës, çka bëri që nisma e qeverisë shqiptare për kthimin e shqiptarëve të mos realizohet.

Presidenti bën thirrje për dialog
Presidenti Ilir Meta apeloi sërish për dialog për zgjedhjen e krizës politike. Duke folur në ekspozitën e piktorit Avni Delvinës në Teatrin Kombëtar, kreu i shtetit tha se vetëm me dialog mund të zgjidhim në mënyrë të arsyeshme sfidat e së ardhmes, larg arbitraritetit dhe interesave okulte. Sa i përket çështjes së Teatrit, presidenti deklaroi se ka kryer vetëm detyrën në mbrojtje të ligjit dhe Kushtetutës, duke mos pranuar prishjen e këtij objekti.

Palmer: Do të përpiqemi të bindim BE-në që të ndryshojë mendje për negociatat
Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mundohen të bindin BE-në të ndryshojë qëndrim për hapjen e negociatave me Shqipërinë, përpara samitit të Zagrebit në maj të vitit të ardhshëm.
Përfaqësuesi Special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor Methju Palmer tha sot se shtyrja e hapjes së negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ishte një gabim historik i cili dërgon një mesazh të keq për të gjithë rajonin.

Qeveria ligj të veçantë për kontrollin e ndërtesave mbi 50-vjeçare
Të gjitha godinat mbi 50-vjeçare në Shqipëri do t’i nënshtrohen kontrollit teknik nga ana e qeverisë. Kjo është nisma e më e fundit e depozituar në Parlament, pas situatës emergjente të krijuar nga dëmtimet që ka shkaktuar tërmeti i fuqishëm i datës 21 shtator 2019 në disa qytete të vendit.

Ankimimi, seanca për gjyqtarin Besnik Muçi shtyhet më 7 nëntor
Shtyhet për në datën 7 nëntor seanca për gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi. Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka kërkuar që provat e gjyqtarit Muçi të paraqiten në formën e kërkuar. Muçi doli sot përpara trupit gjykues në KPA, ku Komisioneri Publik ka apeluar konfirmimin e tij në detyrë.
Për ish-prokurorin e Krimeve të Rënda pretendohet se ka bërë deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë, por Muçi e ka quajtur atë të pabazuar dhe ka dorëzuar prova të reja. Sipas Komisionerit Publik, subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur me të nuk e justifikojnë pasurinë. Një raport sekret i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar po merret gjithashtu në shqyrtim. Presidenti Ilir Meta e ka propozuar Besnik Muçin si një prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Atentati ndaj prokurorit Ndoja, shoqërohet i dyshuari kryesor nga Fushë-Kruja
Tri ditë pas atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja është shoqëruar mbrëmjen e së hënës nga policia si i dyshuar kryesor një shtetas nga Fushë-Kruja. Ndërkohë priten rezultatet nga ekspertiza për provat e gjetura në automjet për të thënë fjalën e fundit.
Në makinën që përdorën autorët për atentatin, por që nuk arritën që ta digjnin për të zhdukur gjurmët, u gjetën dhe u sekuestruan fije floku dhe gjurmë gishtash, të cilat janë dërguar për ekspertizë për të zbuluar se kujt i përkasin.
Atentati mafioz ndodhi pasditen e së premtes në mbikalimin e Shkozetit, pranë autostradës Tiranë-Durrës, duke lënë të plagosur tre persona. Sipas të dhënave të policisë atentati kishte për qëllim sulmin ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja. Nga ngjarja e ndodhur ngelën të plagosur edhe dy të tjerë, shoferi i Ndojit dhe shoku i tij, Aleksander Laho dhe Arlind Maloku.

Anëtari i Kamorrës fshihej në Durrës si dentist, i sekuestrohen 750 000 euro pasuri
Policia e Durrësit ka sekuestruar një pasuri me vlerë 750 mijë Euro, e cila dyshohet se është vënë në rrugë kriminale dhe që i përket 56-vjeçarit italian F. M. Ai rezulton i dënuar në Itali si pjesë e konflikteve mes klaneve kriminale kamorriste në Napoli, por edhe porositës i një vrasjeje.
Policia thotë se shtetasi italian F. M. ishte me leje qëndrimi në Shqipëri dhe fshihej këtu si dentist.
Hetimi i policisë shqiptare ka nisur prej 18 muajsh për pastrim parash ndaj italianit të rrezikshëm, ku janë sekuestruar 5 apartamente banimi, me sipërfaqe 413.8 m2, në Durrës; 13 garazhe me sipërfaqe 622.7 m2, në Durrës; 1 automjet me vlerë 40 000 Euro dhe afro 10 000 euro llogari bankare.

Luis Hamilton, kampion bote për herë të 6-të
Piloti anglez, Luis Hamilton, feston titullin e 6-të kampion bote me vendin e dytë në “Çmimin e Madh të Austin” në Amerikë, ku fitoi shoku i skuadrës, Botas. Në vend të tretë doli Vershtapen, kurse për Ferrarin kjo garë shkoi keq.
I pari shkoi në finish Bota s, por pas garës është kurorëzuar kampion bote Luis Hamilton. Anglezi triumfon në kampionat për herë të 6-të në karrierë, më mirë se Juan Manuel Fangio dhe një titull më pak se Mikel Shumaker. Që Hamilton është mes më të mëdhenjve të historisë së Formulës 1, dihej prej kohësh, por tashmë ai i sheh të gjithë nga një pozicion më i lartë dhe për më tepër nuk njeh kufij. Fundi për të është ende larg.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë