Ekspertët: Drafti i PS për shitblerjen e votës, aspak serioz. Depolitizoni KQZ-në
Komisioni i Reformës Zgjedhore ka kërkuar mendim nga ekspertë dhe organizma të pavarur për reformën zgjedhore. Mes organizmave që u është kërkuar mendim është edhe Instituti i Studimeve Politike. Ky Institut ka dalë me një përfundim paraprak vlerësues për draftin e përgatitur nga socialistët, ku qortohet si joserioze zgjidhja që ofrohet për shit-blerjen e votës me burim financiar paratë e krimit të organizuar. ISP thotë se termat e përzgjedhur në këtë pjesë të draftit jo vetëm që lënë në dorë dhe dëshirë të kryetarëve të partive luftën ndaj këtij fenomeni, por nuk plotësojnë as elementët për t’u përfshirë në një reformë elektorale. Ndërkohë, Komiteti Shqiptar i Helsinkit tërheq vëmendjen se ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhet të marrin parasysh jo vetëm rekomandimet e fundit të OSBE/ODIHR, por edhe ato të paraqitur në zgjedhje të mëparshme. Komiteti kërkon që me përparësi të shqyrtohet rekomandimi për depolitizimin e administratës zgjedhore.
Shpresë për negociatat, Conte pret Ramën në Romë
Kryeministri Edi Rama u ndal këtë të premte në Romë, ku shtrëngoi duart për herë të dytë brenda pak javëve me homologun italian, Giuseppe Conte, që ishte në Tiranë tre ditë para vendimmarrjes së Këshillit Europian për negociatat. Vizita mbërrin pas nismës së ndërmarrë nga Italia për të rihapur në nëntor çështjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Këshilli Europian do të mblidhet në nëntor për të diskutuar çështjet e organizimit të brendshëm të institucioneve të Bashkimit Europian pas zgjedhjeve të majit për PE. Pikërisht duke shfrytëzuar këtë mbledhje, Italia ka propozuar që në agjendë të përfshihet edhe çështja e hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Italia ishte njëri prej vendeve që mbështeti më fort hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe një prej zërave më qortues ndaj qëndrimit bllokues të Presidentit francez, Emmanuel Macron.
Hahn: Vendimi i BE-së për Shqipërinë mund të ndryshojë
Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn përmes një Tëitter-i ka deklaruar se shumë shpejtë vendimi i Këshillit të Europës për mos hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të ndryshojë.
“Rezultati zhgënjyes i Këshillit të kaluar Europian, që i refuzoi Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut fillimin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian shumë shpejt do të ndryshojë”, shkruan Hahn në Tëitter.
Deklarata e tij erdhi pas takimit që ai dhe Presidenti Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker patën me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Bruksel.
Këshilli i Europës vendosi në tetor që Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të mos i hapnin negociatat, vend ky që solli pakënaqësi të madhe jo vetëm për dy vendet, por edhe për shumë kryetarë shtetesh, të cilët e cilësuar një gabim historik.
Samiti i Zagrebit në maj 2020, do të jetë destinacioni i radhës ku do të diskutohet nga ana e Këshillit Europian për çështjen e integrimit të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, ku pritet të unifikohet qëndrimi i krerëve të unionit për çështjen e zgjerimit.
Dorëhiqet Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Arlind Gjokutaj
Vetëm 7 muaj pas marrjes së detyrës, dorëhiqet nga detyra Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Arlind Gjokutaj. Mësohet se ai është zëvendësuar nga Gjon Bardhi që mbante pozicionin e zëvendësdrejtorit në këtë institucion.
Arsyet e largimit të Gjokutaj nuk dihen ende dhe e vetmja e dhënë që mund të lërë vend për interpretim është realizimi i planeve lidhur me të ardhurat në arkën e shtetit.
Ky vendim përkthehet në mungesë rezultatesh nga ana e drejtorit të Përgjithshëm të Doganave. Treguesit fiskalë të 9-mujorit, të publikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë reflektonin një mosrealizim prej 4 për qind të planit të të ardhurave nga Doganat që i përgjigjet një shume prej 5 miliardë lekësh.
Gjokutaj u emërua në detyrë, në fund të marsit në të njëjtën kohë me Enton Duron te Tatimet, por ky i fundit u largua në korrik të këtij viti, duke mbajtur pozicionin për vetëm tre muaj.
U kërcënua me jetë, merret në mbrojtje Rudina Hajdari
Garda ka marrë në mbrojtje kryetaren e Grupit Demokrat, Rudina Hajdari.
Vendimi për t’u marrë në mbrojtje nga Garda e Republikës ka ardhur pas denoncimit që ajo vetë bëri në parlament si dhe kërkesës që i kishte drejtuar kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçit se ishte kërcënuar.
“Zoti kryetar, ju kam dërguar një shkresë në lidhje me kërkesës që të siguroni ambientet e Kuvendit dhe të kryesisë së Kuvendit, nuk mund të ndodhë që një femër të kërcënohet, kam pasur raste në zyrën time ku persona më kanë kërcënuar. Ju lutem merrni masa se përpara se të kemi ndonjë një viktimë në Parlament”, do të shprehej Rudina Hajdari në seancën parlamentare të së hënës.
Hajdari iu referua ngjarjeve brenda grupit të saj, ku ka pasur përplasje të forta në lidhje me zhvillimet brenda grupit, ku ka akuzuar deputetin Korab Lita se së bashku me deputetët e tjerë kanë kërcënuar për firmat e marra për ndryshimet brenda drejtuesve.
PD, Çupi i nxjerr videon: Si Rama e mbrojti Kajmakun
Partia Demokratike akuzon kryeministrin Edi Rama se po mbron kryebashkiakun Agim Kajmaku të Vorës, duke mos e shkarkuar atë. Ish-deputetja Dhurata Çupi ka selia e PD-së i nxori një video ku kryeministri Edi Rama në një emision televiziv mbronte Kajmakun duke e cilësuar si personin që nuk ka marrë asnjë gjobë në jetën e vet dhe se nuk verifikohet asgjë dhe media e sulmon pa bazuar asnjë gjë konkrete. Nesër Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të marrë një vendim për kryebashkiakun e Vorës, ku prokuroria e ka nxjerrë si fajtorë për fshehjen e së shkuarës së errët të tij.
Festa dhe pushimi për Kongresin e Lushnjës sjell përplasje mes socialistëve
Propozimi i deputetit të opozitës, Myslim Murrizi që 21 janari të jetë festë zyrtare dhe njëherësh ditë pushimi, në kujtim të Kongresit të Lushnjës ka sjellë përplasje mes socialistëve. Propozimi i Murrizit është kundërshtuar nga socialisti Alket Hyseni, i cili kërkoi rrëzimin nismës gjatë shqyrtimit në komisionin parlamentar të Ligjeve, me argumentin se kjo shkakton një faturë financiare për buxhetin e shtetit.
Socialisti tjetër Bashkim Fino e ka mbështetur nismën, duke e cilësuar jo të drejtë argumentin e kolegut të tij për faturën financiare. Mazhoranca pranoi propozimin e Finos që vendimi për këtë nismë të mos të merret sot, por të shtyhet për një javë.
Thirrje antishqiptare, mbërrin në Gjirokastër dosja për nënën e Kacifas
Kanë mbërritur në Prokurorinë e Gjirokastrës materialet hetimore në ngarkim të nënës së ekstremistit grek, Kostandinos Kacifa, që u vra më 28 tetor të vitit të kaluar pasi hapi zjarr mbi policinë shqiptare.
Materialet për Vasilika Kacifa u referuan nga sektori i Luftës kundër terrorizmit në Policinë e Shtetit, Tiranë. Nëna e ekstremistit grek akuzohet për nxitje të dhunës dhe urrejtjes.
Akuzat ndaj saj u ngritën pas thirrjeve të saj për vrasje, dhunë e luftë mbi varrin e të birit, gjatë ceremonisë së 1-vjetorit të vdekjes së Kostandinos Kacifa. Hetimet për nënën e Kacifas do të kryhen nga Prokuroria e Gjirokastrës.
Gjatë meshës përkujtimore, ajo i cilësoi tradhtarë shqiptarët dhe bëri thirrje të forta kundër ndaj tyre. Duke folur në greqisht, nëna e Kacifas tha se Vorio-Epiri është Greqi, dhe se rinia duhet të ngrihen të armatosur kundër një shteti që ajo e quan diktaturë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.