Putin e dinte që negociatat për Shqipërinë nuk do të hapeshin
Pas shtyrjes së negociatave, Rusia i ka dërguar një ftesë zyrtare Shqipërisë të bëhet pjesë e Bashkimit Euro-Aziatik. Deklarara erdhi publikisht nga Përfaqësuesi i Përhershëm i Rusisë në BE, Vladimir Chizhov, i cili ka ftuar edhe Shkupin edhe Tiranën që të anëtarësohet në Bashkimin Ekonomik Euro-Aziatik (EEU) gjatë një forumi të këtij bashkimi ekonomik në Verona të premten.
Por Gazeta “Si” ka mësuar se ftesa zyrtare i ka ardhur Shqipërisë 1 muaj më parë dhe kërkesa ka mbërritur në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Gazeta mëson se Ministria e Jashtme është kapur në befasi nga ftesa zyrtare dhe po shqyrton prej një muaji këtë ofertë, për të cilën nuk nuk ka ende një qëndrim publik.
Por do të ishte diplomati Chizhov ai që do ta artikulonte publikisht këtë ftesë, duke i kujtuar Tiranës zyrtare se oferta është ende të tavolinë. Ai u ndal tek shtyrja e nisjes së bisedimeve të anëtarësimit, duke thënë se si Shqipëria ashtu edhe Maqedonia e Veriut do ta gjejnë gjuhën e përbashkët më shpejt me Rusinë sesa me BE-në. Unioni Ekonomik Euro-Aziatik është një bashkim ekonomik i udhëhequr nga Rusia. Ai është formuar në vitin 2014 nga Bjellorusia, Kazakistani, Armenia, Kirgistani dhe Rusia.
PD shkresë KQZ-së për Kajmakun: Shkarkojeni pa vonesë
Partia Demokratike iu drejtua zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke i kërkuar që veprojë menjëherë për rastin e kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku. PD kujton se për këtë vepër të kryer nga Agim Kajmaku, ligji parashikon humbjen e menjëhershme të mandatit dhe dënimin e tij me deri në 4 vjet burg. Kërkesa i është dërguar për dijeni edhe Ambasadës së SHBA dhe BE në Tiranë, ndërsa në të nënvizohet edhe qëndrimi i mëparshëm që KQZ-ja ka mbajtur në rastet e heqjes së mandatit të deputetëve Gledion Rahovica dhe Aqif Rakipi, raste këto që janë identike me atë të Agim Kajmaku.
KQZ vendos të premten për fatin e Kajmakut
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mblidhet të premten për të diskutuar mbi raportin hetimor të prokurorisë për kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku. Sipas njoftimit zyrtar të KQZ-së në mbledhjen e 1 nëntorit në ora 10:00 në rendin e ditës është “shqyrtimi i rezultatit të verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme për funksionarin publik z. Agim Ymer Kajmaku, me funksionin kryetar i bashkisë Vorë, qarku Tiranë, në zbatim të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Anëtarëve të KQZ-së iu është shpërndarë edhe materiali që është vënë në dispozicion nga Prokuroria, i cili e fajëson Kajmakun për fshehje të faktit se ka qenë në kërkim dhe i dënuar në Greqi për falsifikim të eurove në vitin 2003.
Basha: Sa më parë zgjedhje të parakohshme! PS të reflektojë
Pas takimit me raportuesit e Këshillit Evropian, lideri demokrat Lulzim Basha, një një prononcim për mediat ka deklaruar sërish se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare është rruga e vetme për ecjen përpara të vendit. Basha u shpreh se edhe diskutimi me raportuesit e KiE, u fokusua te kriza politike dhe se çfarë mund të bëjë opozita për reformën zgjedhore.
Kryedemokrati tha se është koha për të marrë vendimin e duhur për vendin duke vendosur interesat e vendit para atyre politike e për këtë i bëri thirrje Partisë Socialiste të reflektojë sa nuk është vonë. “Nuk është kurrë vonë për të reflektuar, ndaj dhe thirrja ime ndaj PS është të reflektojë sa nuk është vonë. Kjo nuk është një situatë që mund të vazhdojë pa fund. Ndërkohë që ne përgatisim ofertën tonë jo vetëm për reformën elektorale, por edhe për të nxjerrë vendin nga kjo krizë, të jeni të sigurt që edhe durimit të njerëzve po i vjen fundi dhe as Rama dhe askush tjetër nuk duhet të mendojë se të vazhdojë ta trajtojë Shqipërinë si çifligun e vet dhe shqiptarët si bujkrobërit e vet”, vijoi më tej kryedemokrati Basha.
Basha i kërkoi dorëheqjen, Rama: Mbetem timonieri i qeverisë
Kryeministri Edi Rama ka postuar një video në rrjetet sociale, duke i ironizuar njëherësh edhe opozitën mbi kërkesat e saj për dorëheqjen nga posti i kryeministrit. Duke shfrytëzuar një ngjarje të një kompanie private të telefonisë mobile të aplikimit të teknologjisë së rrjetit 5G, Rama hipën në një makinë në dukje të autokomanduar, ku në vend të “timonierit” bën narratorin.
“Me timon pa timon shoferi jon osht kampion” thotë ajo kënga e vjetër, ndërsa këtu jam unë që i jap makinës pa prek timon me dorë”, shprehet kryeministri. Në videon prej tre minutash, nuk i ka kursyer lojërat e fjalëve dhe thumbimet në adresë të opozitës.
Apeli rrëzon ankimimin e Klevis Balliut
Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje” për ish-deputetin e PD-së, Klevis Balliu. Apeli rrëzoi ankimimin e Balliut për këtë masë sigurie.
Ndërkohë, jashtë dyerve të Gjykatës, ish-deputeti Balliu është shprehur se Shqipëria është kthyer në një vend ku ligji nuk funksionon. “Banorët e Unazës refuzojnë të përplasen me policinë për interesat e Edi Ramës. Këtu kapet vetëm ai që ka pirë një cigare hashash. Agallarët që vjedhin çdo ditë vazhdojnë të rrinë në Surrel”, u shpreh Balliu.
Klevis Balliu u arrestua më 13 tetor së bashku me disa banorë të Unazës, apsi bllokuan rrugën. Policia i arrestoi protestuesit, duke argumentuar se kishin hyrë në fuqi ndryshimet në Kodin Penal, që sipas uniformave blu kanë ashpërsuar dënimet për bllokimin e rrugëve. Ai u lirua tri ditë më pas për t’u lënë në masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”.
Shiste sende të vjedhura të vëllait nga Gjermania, arrestohet polici nga Laçi
Shërbimi për Çështjet e Brendshme ka ndaluar një polic të Laçit, se shiste në Shqipëri sende të vjedhura nga i vëllai në Gjermani. Polici akuzohet për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë”.
Policia bën me dije se inspektori E. I., 32 vjeç, ishte punonjës në Seksionin e Policisë Rrugore. Ky procedim lidhet me një hetim të nisur nga autoritetet gjermane për vjedhje banesash në kuadër të një grupi kriminal të strukturuar.
Në qytetin e Hamburgut janë arrestuar dhe ndiqen në gjendje të lirë disa persona, në mes tyre edhe vëllai i efektivit të Policisë Rrugore në Lezhë.
Në kuadër të hetimeve përgjatë vitit 2019 është dokumentuar se punonjësi i Policisë ka pranuar sendet e vjedhura nga i vëllai në Gjermani, duke i përdorur përkohësisht, e shitur më vonë në treg.
Skandali në Laç/ Trajneri dhunon lojtarët e tij, përfundon në polici
Një ngjarje skandaloze në futbollin e fëmijëve ka ndodhur në Laç. Trajneri i ekipit U-17, Ndue Tarazhi, është filmuar teksa godet dhe fyen rëndë lojtarët e tij, pasi ata kanë humbur një ndeshje. Një veprim ky i konsideruar shumë i rëndë për një trajner që ka shumë vite që merret me këtë punë. Trajneri Tarazhi, i cili tashmë është shoqëruar në polici, fillon t’i godasë me radhë lojtarët 17-vjeçarë me shpulla kokës, ndërkohë që i shan dhe fyen ata.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.